Njeriut i shkojnë drithma kur dëgjon zotërinjtë Bush ose Putin të vringëllijnë shpatat...
19 Tetor 2007Në gazetën MÄRKISCHE ALLGEMEINE për këtë temë lexojmë:
"Gazeta NEW YORK TIMES e botoi paralajmërimin e Bushit për luftën botërore si një lajm modest në faqen 6, ndërsa në gazetën WASHINGTON POST për këtë nuk gjeje asnjë rresht. Përkundrazi, mediet evropiane lëshuan britmën, njësoj si sot, kur lajmi janë planet e armatimit të Putinit. A mos vallë jemi histerikë ne? Me siguri që jo. Zhurma e luftës është po kaq e papërgjegjshme si mburrjet atomike. Në zgjidhjen e konflikteve ndërkombëtare një vrëngëllimë e tillë shpatash të hyn pak në punë. Kush do ta bëjë Luftën e Tretë Botërore? Dhe kundër kujt kërkon t'i përdorë Putini armët e tij të fuqishme? Përballë konfliktit të Iranit, marrëdhënia midis antipodeve të Luftës së Ftohtë, Moskë dhe Uashington po ecën edhe më tej drejt një niveli tjetër shumë të ulët."
RHEIN-ZEITUNG që botohet në Mainc shkruan:
"Pa dyshim është e justifikueshme që përballë Iranit të përdoren gradualisht tone më të ashpra. Mullatë e Teheranit, të cilëve u bën reveranca presidenti Putin, po zhvillohen gjithnjë e më tepër në një rrezik për sigurinë. Me miliardat e tyre të naftës ata nxehin luftën në Irak. Marrëveshjet ndërkombëtare ata i anashkalojnë me lehtësi. Dhe politika e tyre atomike rrezaton pasiguri në të gjithë rajonin e Lindjes së Afërt. Nuk ka dyshim: Irani kërkon të avancojë në një fuqi hegjemoniale atomike. "
Ndërsa analisti i gazetës që botohet në Këln, EXPRESS është i mendimit:
"Njeriut i shkojnë drithma kur dëgjon zotërinjtë Bush ose Putin të vringëllijnë shpatat e tyre. Njëri paralajmëron për Luftën e Tretë Botërore, ndërsa tjetri kremton me krenari krijimin "grandioz" të armëve të reja atomike. Bushi dhe Putini janë dy politikanë, që nuk kanë simpati për njëri-tjetrin dhe që e tregojnë këtë për fat të keq gjithnjë e më shpesh. A duhet të kemi frikë ne nga ky shkak, që bota do të zhytet në një luftë të re? Shpesh mjaftonte një krizë lokale, si atëherë në Kubë, dhe bota e shihte veten përballë humnerës atomike. Ato që dikur identifikoheshin me Kubën dhe Kastron, identifikohen sot me Iranin dhe Ahmadinexhadin- një eksploziv që mund të shpërthejë në çdo kohë."
BERLINER KURIER pyet:
"A po çmendet Xhorxh Bushi dhe a kërkon ta përgatisë ai botën me ndërgjegje të plotë për luftën atomike? Ka kohë që dihet, që Bushi dhe nxitësit e tij të luftës do të preferonin ta pushtonin edhe Iranin. Pas kësaj fshihet mendimi se Irani mund ta sulmojë Izraelin dhe t'i vinte me këtë flakën botës. Nëse SHBA e sulmojnë Iranin, atëherë kjo nuk do të ndodhte. Mendon Bushi- dhe bën me këtë një gabim fundamental. Prandaj bota duhet t'i thotë këtij zotnie: zoti president, ju jeni një luftënxitës, nuk ju duam më. Dorëzoheni postin. Ju jeni një rrezik për paqen. Mjafton, Xhorxh W.Bush!"
Edhe HANDELSBLATT që botohet në Dyseldorf shtron pyetjen për palët kundërshtare në një luftë të supozuar atomike:
"Shtrohet pyetja thelbësore: kush do të luftonte në një luftë të tretë botërore kundër kujt? SHBA kundër një fronti të të pabesëve? Kush bën pjesë në ta? Paralajmërimi i Bushit kthehet kundër atij vetë. Mjafton katastrofa amerikane në Irak për të kuptuar që një sulm ndaj Iranit do të ishte tepër i rrezikshëm. Nëse nga ky sulm rezulton një shkallëzim i përbotshëm, atëherë braktiset perandoria e një politike të bazuar në arsye. Këtë duhet ta pranojë edhe presidenti amerikan Xhorxh Bush. Këtë do të bënte mirë ta mendonte edhe Putini, nëse si reagim ndaj shkarjes së gojës nga Bushi ai kërcënon tani me armatime masive."
Ja së fundi edhe mendimi i SÄCHSISCHE ZEITUNG që botohet në Dresden:
"Ajo që kanë lënë pas vetes kryetarët e shteteve të SHBA dhe të Rusisë në dy ditët e fundit, nuk është e përshtatshme për t'ia bërë pjesës tjetër të botës të besojë sensin e tyre për realitetet e kësaj bote. Që të menduarit si fuqi e madhe kuptohet në radhë të parë si të menduar ushtarak- këtë bota e ka përjetuar disa herë. Në asnjë rast ajo nuk ka patur të mirë prej kësaj. Që pushteti, aq më tepër pushteti i një fuqie të madhe kanë të bëjnë edhe me përgjegjësi për këtë botë, sërish kalon në harresë. Vetëm: kush mund t'ua shpjegonte atyre këtë?"