Njësitë speciale marshojnë në Kiev
26 Maj 2007Trupat e ministrisë së brendshme janë formalisht nën urdhrat e ministrit të brenshëm, i cili është aleat i kryeministrit Janukoviç. Por komandanti i ushtrisë është në krahun e presidentit. Presidenti dhe kryeministri i Ukrainës u takuan të shtunën 26.5. për të gjetur një rrugëdalje nga kriza shtetërore.
Raundi i parë i bisedimeve ndërmjet Viktor Jushçenkos, presidentit të Ukrainës dhe rivalit të tij të përhershëm, kryeministrit Viktor Janukoviç, thuhet të ketë qenë konstruktiv. Kjo ishte natën duke u gdhirë e shtuna. Por çfarë do me thënë kjo, kur në të njëjtën kohë afro 2500 ushtarë të njësive speciale marrin rrugën për në Kiev, siç bëri të ditur njëri nga zëdhënësit e ministrisë së brendshme Michail Kornijenko.
Të premten presidenti Viktor Jushüenko i kishte vendosur këto grupe paraushtarake nën urdhrat e tij. Gjenerali përgjegjës i ministrisë së brendshme, Alexander Kiçenko, është besnik ndaj presidentit.
"Ju e dini, me dekret të presidentit ne jemi në varësi të drejtpërdrejtë të tij. Kështu u jemi nënshtruar edhe më parë urdhrave të ministrit të brendshëm. Por do të vazhdojmë edhe më tej të bashkëpunojmë ngushtë me ministrinë e brendshme. Tani, trupat tanë po i ndihmojnë milicisë që të mbrojë rendin shoqëror. Si në Kiev ashtu edhe në tërë vendin", tha Kiçenko.
Në të kundërt, ministri i brendshëm Zushko është në krahun e kryeministrit Janukoviç dhe i hedh poshtë udhëzimet e presidentit, sikurse dhe pushimin e Prokurorit të Përgjithshëm, Piskun, duke i quajtur ato "puç". Ky i fundit kërcënoi të shtunën se do të arrestonte komandantin Kiçenko.
Të shtunën pasdite vazhduan bisedimet mes Jushçenkos properëndimor dhe Janukoviçit prorus, si dhe kryetares së opozitës, ish- kryeministres Julia Timoshenkos. Por ato nuk zgjatën shumë. Tre politikanët po kërkojnë një konsensus për datën e zhvillimit të zgjedhjeve të reja. Tashmë kanë kaluar dy muaj që nga shpërndarja e parlamentit dhe ata ende nuk kanë rënë dakord.
Në fillim të prillit, Jushçenko e kishte shpërndarë parlamentin me arsyetimin se Janukoviçi po i ndërhynte në kompetenca me anë të shumicës që zotëronte në parlament. Simpatizantët e kryeministrit e kanë cilësuar këtë hap si ilegal. Mbas shumë javësh debati ata ranë dakord që për këtë të vendoste Gjykata Kushtetuese, e cila nuk e ka shpallur ende vendimin e saj.
Interesant pritet të bëhet roli i Këshillit për Siguri dhe Mbrojtje Kombëtare, që sundohet nga simpatizantët e Jushçenkos. Presidenti aty ka thirrur një numër të madh guvernatorësh provincash, ndoshta për të krijuar prej tij një qeveri për rast nevoje, në rast se Jushçenko do të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme dhe të shkarkojë qeverinë e Janukoviçit.
Të shtunën politikanët opozitarë rreth Jushçenkos dhe Timoshenkos e rritën presionin: afro 170 deputetët e tyre thanë se do t'i dorëzojnë mandatet për të arritur domosdoshmërinë e zgjedhjeve të reja mbi bazën e Kushtetutës.