Një projekt i ri ndërkulturor në Berlin u vjen në ndihmë migranteve të reja në Gjermani
15 Prill 2006Fatima ishte 17 vjeç kur u prezantua në Turqi me bashkëshortin e saj të ardhshëm. Një burrë i panjohur për të, por i pranuar nga familja. Në fillim ajo besonte në një aventurë të bukur kur i shoqi e morri me vete në Gjermani. Por pak kohë pasi erdhi këtu, Fatima përjetoi periudhën më të vështirë në jetën e saj. I shoqi e rrihte pothuajse përditë, vjehrri dhe vjehrra e kyçnin në një dhomë të vogël me ditë të tëra dhe nuk i jepnin as për të ngrënë. Falë ndihmës së një shoqeje, Fatima arriti të arratiset dhe kërkoi ndihmë në një shtëpi për gra. Sot ajo ka një banesë të vetën në një projekt ndërkulturor banesash në Berlin. Së bashku me 9 gra të tjera, të cilat kanë përjetuar eksperienca të ngjashme, Fatima është sot për herë të parë në jetë e pavarur. Ky nuk ishte një hap i lehtë, por sipas pedagoges sociale Cornelia Haupt, e cila kujdeset për të, një hap vendimtar:
"Mund të them se Fatima është bërë më e hapur dhe sigurtë. Në fillim ajo i druhej madje edhe vështrimeve, dukej sikur kishte turp. Por tani ajo thotë qartë se çfarë do dhe se ku ka nevojë për ndihmë. Ajo e pranon gjithashtu kur i themi se për disa gjëra nuk ka nevojë ta shoqërojë njeri. Unë jam e bindur dhe e shoh që nga mënyra si hyn këtu, se do t´ja dalë mbanë vetëm."
Por sidoqoftë Fatima nuk është ende e gatshme të flasë mbi fatin e saj. Ajo ka ende shumë frikë se dikush mund t´ja njohë zërin dhe se familja apo burri i saj mund ta gjejnë se ku ndodhet. Tani ajo jeton në anonimitet të plotë.
Projekti ndërkutulturor i banesave ndodhet në një lagje të qetë në periferi të Berlinit. Për gratë fillon këtu një jetë e re. Këtu ato mësojnë për herë të parë se kanë të drejta dhe se qëndrimi i tyre në Gjermani nuk varet nga burri apo familja. Luise Baghramian është kordinatore e këtij projekti:
"Këto gra janë shumë konfuze sepse shumë prej tyre nuk dinë as gjermanisht. Ato nuk i njohin strukturat vendore, nuk dinë ku është zyra e punës, ndjehen të pasigurta dhe të vetmuara. Në bisedat e para që zhvillojmë më to, e shohim se kanë shumë frikë. Detyra jonë është t´u themi se nuk kanë asnjë arsye për të pasur frikë dhe se kanë të drejta. Por në fillim gratë janë shumë të pasigurta."
Kurse gjuhësore, terapi, biseda në grupe, shoqërim tek mjeku dhe në zyrën e punës - bashkëpunëtorët e projektit të Berlinit i ndihmojnë migrantet e reja me hapa të vegjël dhe shumë durim në fillim. Për shumicën e grave ndarja nga familja është hapi më i rëndë dhe ato e vuajnë këtë gjë.
Tani Fatima do të divorcohet nga bashkëshorti i saj. Dikur në të ardhmen ajo do të martohet prapë, por burrin tjetër do ta zgjedhë vetë, thotë ajo.