Fotogaleria: Ngjyrat e koalicioneve të qeverive gjermane
Flamujt dhe semaforët simbolizojnë koalicionet e ndryshme pas zgjedhjeve në Gjermani, një praktikë e zakonshme nën sistemin proporcional të përfaqësimit.
Koalicioni kuqezi (CDU, SPD)
E zeza e konservatorëve e kombinuar me të kuqen tradicionale të së majtës politike është kodi i ngjyrave të një koalicioni mes kristiandemokratëve dhe socialdemokratëve. Në Gjermani ky quhet "koalicion i madh" (GroKo). Ka qenë në pushtet për herë të parë në vitet 1966-1969, si dhe në vitet 2005-2009 dhe 2013-2021 nën udhëheqjen e kancelares Angela Merkel
Koalicioni "Semafor" (SPD, Të Gjelbrit, FDP) — e kuqe, e verdhë dhe jeshile
Nga viti 2021 deri në 2025, Gjermania u qeveris për herë të parë nga një koalicion i qendrës së majtë nën drejtimin e kancelarit Olaf Scholz (SPD). Quhet semafor (Ampel) për shkak të ngjyrave. e kuqe për SPD, e verdhë për FDP dhe e gjelbër për ekologjistët. E filloi mandatin si një "koalicion i progresit", por për shkak të grindjeve të shumta dështoi pas tre vjetësh
E zezë dhe e gjelbër (CDU, Të Gjelbrit)
Unioni Kristian-Demokrat (CDU) bashkëqeveris me Të Gjelbrit në disa lande gjermane, duke funksionuar mirë në nivel rajonal. Në Baden-Vyrtemberg, kryeministri i vetëm i Gjelbër, Winfried Kretschmann, formoi në vitin 2016 një qeveri me CDU-në. Ndërsa kryeministri demokristian, Hendrik Wüst, prej vitit 2022 drejton një qeveri të tillë në landin më të populluar të Gjermanisë, Renani Veriore - Vestfali
Xhamajka (CDU, Të Gjelbrit, FDP) — e zezë, e verdhë dhe e gjelbër
Një marrëveshje trepalëshe midis CDU-së, Të Gjelbërve dhe liberalëve të FDP-së nuk u realizua në nivel kombëtar në vitin 2017, pasi FDP-ja u tërhoq nga negociatat. Por ky model është testuar në nivel rajonal, si në Schleswig-Holstein, ku qeveria "Xhamajka" e kryeministrit Daniel Günther ishte në pushtet deri në zgjedhjet e vitit 2022, kur ai vendosi të kalojë në një qeveri CDU-Të Gjelbrit.
Koalicioni kenian: E zezë, e kuqe, e gjelbër (CDU, SPD, Të Gjelbrit)
Landin lindor të Saksonisë e qeveriste një koalicion midis CDU-së, SPD-së dhe të Gjelbërve deri në vitin 2024, nën drejtimin e kryeministrit Michael Kretschmer. Ky koalicion i pazakontë u krijua për të penguar rritjen e ekstremit të djathtë AfD, por në zgjedhjet e fundit, Të Gjelbrit nuk arritën të kalonin pragun prej 5% për t'u rikthyer në parlament.
E zezë, e kuqe, e verdhë (CDU, SPD, FDP)
Në landin lindor Saksoni-Anhalt qeveris që nga viti 2021 një koalicion i tillë, drejtuar nga kryeministri demokristian, Rainer Haseloff. Ky koalicion i papritur ishte e vetmja alternativë e mundshme për të penguar rritjen e partisë ekstremiste të djathtë AfD.
E zeza dhe portokalli, CSU dhe FW
Prej vitit 2018, Unioni Kristian-Social i Bavarisë (CSU) qeveris me Votuesit e Lirë (FW), ngjyra e të cilëve është portokalli. FW është një parti populiste me bazë lokale dhe me prirje nga e djathta ekstreme, e drejtuar nga Hubert Aiwanger. E fortë në zonat rurale të Gjermanisë jugore dhe lindore, FW synon një rol më të madh në nivel kombëtar dhe aktualisht ka tre deputetë në Parlamentin Europian