Deutscher Schulpreis
7 Qershor 2011E pabesueshme, por fatkeqësisht e vërtetë! Gjermania është një vend tepër i zhvilluar ekonomikisht dhe teknikisht, por sa i përket arsimit, në rang ndërkombëtar ajo është shumë prapa. Paradoksale është se: nga njëra anë, Gjermanisë i mungojnë specialistët – nga ana tjetër, me mijëra nxënës gjermanë nuk gjejnë vende specializimi nëpër ndërmarrje pas përfundimit të shkollës. Shkak është niveli i dobët i arsimit, atyre u mungojnë veçanërisht kompetencat sociale, ankohen sipërmarrjet. Një shkollë berlineze tani po përpiqet t'u kundërvihen.
Kolegji i mësuesve të shkollës «Heinz Brandt» e ka ndryshuar vetë planin mësimor dhe kështu ka arritur, që nga një e ashtuquajtur vatër problemesh sociale është bërë një shkollë shembullore. Për këtë ajo është propozuar për Çmimin Gjerman të Shkollës, (që jepet më 10.6., i shënuar me 100.000 euro).
Është e mërkurë paradite. Nxënësit e tjerë këtë kohë janë në shkollë, Julia jo. «Service Learning» (Mësim shërbimi) - kështu quhet lënda e kësaj ore për nxënësit e klasës së shtatë në shkollën «Heinz Brandt». Për Julien kjo do të thotë që çdo të mërkurë paradite ajo vjen të ndihmojë në strehimoren e të moshuarve në lagjen berlinase Prenclauer Berg. «Është shumë bukur kur shikon se si njerëzit gëzohen kur të shohin sërish. Kjo është një ndjenjë shumë e këndshme.»
Julia, 14vjeçare, si dhe shoku i saj i klasës, Olmo, e zgjodhën vetë strehimoren e të moshuarve. Të tjerët ndihmojnë në institucionet të tjera sociale: kopshte fëmijësh, shkolla fillore ose kuzhina për të vobektit. Nxënësit duhet ta gjejnë vetë vendin e praktikës, kështu ata bëjnë përvojën e tyre të parë me intervistat për vend pune. Drejtuesja e sektorit të përkujdesjes që i shoqëron dy praktikantët nxënës. «Në fillim isha pak me dyshim: Nxënësit në klasën e shtatë janë në moshë shumë të re dhe këtu nuk ka vetëm gjëra të bukura për të parë, këtu shikon shumë të sëmurë, ulokë, njerëz me sklerozë të cilëve duhet t'u prezantohesh sa herë që i sheh. Këta të dy më lanë përshtypje të mirë, prandaj i pranuam. Mund të them se patëm fat, kam besim tek të dy, dhe tani janë mbështetje për mua».
Edhe Julia është e habitur nga praktika e saj. Më parë ajo u druhet kontakteve me të moshuar, thotë ajo dhe ngutet të shtojë, se shumë shpejt e mësoi se si ta kapërcejë këtë druajtje. Kjo përvojë e re ka filluar të ketë ndikim edhe jashtë praktikës. «Tani unë jam më e gatshme të ndihmojë njerëzit që kanë nevojë për ndihmë. Unë shoh një ndryshim të madh tek vetja ime.»
Këtë e ka konstatuar edhe juria e «Çmimit gjerman për shkollën». Për dy ditë me radhë ajo e vurin nën llupë shkollën e mesme nga Berlini. 119 shkolla patën konkurruar, shkolla e Julies e kaloi pengesën e parë dhe tani po konkurron me 14 shkolla të tjera për çmimin më të mirë që mund t'i jepet një shkolle në Gjermani. Juria vlerëson tek shkolla «Heinz Brandt» rritjen e «ndjenjës së përgjegjësisë» dhe «aftësisë reflektuese» - edhe pse notat nuk janë gjithmonë më të mirat. Këto kompetenca sociale shumë shpesh janë më vendimtare, kur vjen puna për të gjetur një vend profesionalizimi, thotë Daniela Strezinski, nëndrejtore e shkollës.
Koncepti i praktikës njëditore në një institucion social, që në shkollë njihet me emrin «Service Learning» - është me shumë rëndësi për zhvillimin e nxënësve, thotë ajo. «Ne vendosëm ta ndryshonim planin mësimdhënës kur pamë që shumë nxënësve u mungonte vetëdija për veten. Ata kishin bërë përvojën se janë të panevojshëm, të tepërt dhe se nuk dinë të bëjnë asgjë. Atëherë ne vendosëm se kështu nuk mund të ecet më tej, pra nxënësit fillimisht kanë nevojë për diçka, që u tregon atyre se janë të dobishëm, se dikush po i pret, dhe se edhe ata mund të bëjnë diçka për të tjerët e të marrin përsipër përgjegjësinë për dikë tjetër.»
Mbas kësaj përvoje të rëndësishme vetëdijësimi, vitin e ardhshëm shkollor nxënësit përgatiten enkas për t'i hyrë jetës profesionale. Për këtë gjë shkolla ofron më shumë orë në lëndët kryesore si matematikë, gjermanisht dhe anglisht, si dhe këshillime për profesionin e duhur e trajnime për të konkurruar për një vend pune. Në klasën e dhjetë nxënësit bëjnë sërish një praktikë të ngjashme me atë të orës «Service Learning». Por këtë radhë ata shkojnë në ato profesione, ku do të donin të punonin edhe vetë në të ardhmen. Disa sipërmarrje i mbajnë nxënësit edhe mbas përfundimit të shkollës për t'u mësuar profesionin.
«Kur fillova të punoj këtu, vetëm 10 a 20 përqind e nxënësve hynin në shkollimin dual. Ndërsa gjatë viteve të fundit janë 60-67 përqind e nxënësve, të cilëve u kemi ndërmjetësuar një profesionalizim dual. Kjo është një rritje shumë e madhe».
Juria e cilësoi këtë rritje një «sensacion». Tani Daniela Strezinski, mësuesit dhe nxënësit e shkollës shpresojnë që ky sukses të shpërblehet edhe me një çmim.
Me «Çmimin gjerman për shkollën» nismëtarët nderojnë rezultatet shembullore pedagogjike dhe i japin kështu një impuls të rëndësishëm zhvillimit të shkollës dhe mësimdhënies në Gjermani.
Programi përbëhet nga një konkurs, në kuadër të të cilit çdo vit përzgjidhet nga një shkollë për t'u nderuar me «Çmimin gjerman për shkollën». Që nga viti 2008 e këtej, çmimi kryesor kap shumën prej 100 000 euro. Katër shkolla të tjera marrin gjithashtu çmime me nga 25 000 euro. Fondacionet kanë vendosur ta zgjerojnë spektrin me dy çmime të mëtejshme, për t'u dhënë shkollave më shumë mundësi që të nxjerrin në pah përvojat e tyre të ndryshme dhe t'i transmetojnë ato më tej. Përveç kësaj, këtë vit për herë të parë do të jepet edhe «Çmimi i jurisë» dhe «Çmimi i Akademisë», secila me nga 15000 euro.
- «Çmimi i Jurisë» shkon në adresë të një shkolle, e cila me gjithë kushtet e pazakonta, e shpesh të pafavorshme – megjithatë – arrin të dalë me rezultate të shkëlqyera dhe të ketë efekt shembullor.
- «Çmimi i Akademisë» jepet për një shkollë, e cila pavarësisht nga kriteri i cilësisë, arrin diçka të jashtëzakonshme në një fushë të caktuar dhe me «gjetjen e saj pedagogjike» shërben edhe si impuls i vlefshëm për akademinë e «Çmimit gjerman për shkollën».
Konkursi shënon fillimin e Akademisë së Çmimit Gjerman, e cila ka si synim përhapjen e praktikës së mirë pedagogjike dhe këmbimin e përvojës reciproke.
Autor: Nadine Wojcik/ Anila Shuka
Redaktoi: Aida Cama