Merkeli kritikohet për menaxhimin e krizës
27 Janar 2012Diskutimet në Davos në nivel të lartë politikanësh, ekspertësh dhe studiuesish të ekonomisë e financave vazhdojnë. Ministri gjerman i Financave, Schäule, homologu i tij francez, François Baroin, ministri spanjoll i Ekonomisë, Luis de Guindos, si edhe komisionieri i BE-së për Valutën, Olli Rehn janë pjesëmarrës të premten në diskutimet në Davos.
Të enjten kryeministri britanik, David Cameron e shfrytëzoi forumin për të bërë një sulm të hapur ndaj mënyrës së menaxhimit të krizës nga ana e kancelares gjermane, Angela Merkel. "Nuk vazhdohet më me lojëra sa andej-këtej. Duhet të jemi të guximshëm dhe të fortë dhe jo hezitues e të frikësuar", tha Cameron. Duhet të tregojmë cilësi të udhëheqjes dhe jo të udhëhiqemi nga frika e dështimit, u shpreh Cameron, fjalë që i adresoheshin kancelares Merkel. Planet e Merkelit dhe Sarkozisë për futjen e taksës së transaksioneve, Cameron i quajti thjesht "çmenduri".
Schulz: "Menaxhimi i krizës nga Merkel - jo i suksesshëm
Kritikat e forta të David Cameron për mënyrën e menaxhimit të kancelares Merkel janë vënë në qendër të raportimeve të mediave të premten. Mbi mënyrën e menaxhimit të krizës nga ana e kancelares gjermane, jep opinionin e tij edhe Presidenti i ri i Parlamentit Europian, Martin Schulz dhe kryetari i eurosoëcialistëve në një intervistë për televizionin gjerman, ZDF. Schulz vlerëson se nuk do të ishte e drejtë të atakoje vetëm kancelaren Merkel për zgjidhjet e munguara. Ajo nuk është e vetme në Këshillin e BE-së, aty ka edhe të tjerë, thotë Schulz. Por fakt është se prej dy vitesh po diskutohet për zgjidhje të ndryshme, dhe ende nuk kemi një zgjidhje përfundimtare, kritikon presidenti i Parlamentit Europian. "Le ta themi kështu. Nuk mund të quhet i sukseshëm menaxhimi i krizës nga kancelarja gjermane."
Presidenti i Parlamentit Europian, Martin Schulz pronocohet edhe mbi kritikën e hapur të kryeministrit britanik Cameron, duke e parë atë në kontekstin e problemeve në të cilat ndodhet vetë kryeministri britanik David Cameron. "Ai është izoluar shumë këtu në Bruksel me veton kundër ndryshimeve të marrëveshjes europiane, nga ana tjetër me qëndrimin e tij ka inkurajuar kundërshtarët radikalë të euros në partinë e tij, të nxjerrin Britaninë e Madhe nga Bashkimi Europian."
Martin Schulz e vlerësin retorikën e David Cameronit më shumë të vlefshme për "skenën politike në vendin e tij" se sa për skenën europiane."
Nga Davosi thirrje qytetarëve të mbështesin masat e kursimit
Në Davos ndërkohë, krerët e shteteve dhe qeverive i kanë bërë thirrje qytetarëve të vendeve të zhytura në borxhe të pranojnë masat e kursimit dhe t'i përkrahin ato, Vetëm kështu do të mund të dalin këto vende nga kriza dhe të kenë rritje ekonomike, u tha në Davos. "Gjërat mund të lëvizin përpara shumë më shpejt, se sa e përfytyrojnë vetë njerëzit", tha kryeministri irlandez, Enda Kenny, vendi i të cilit mori ndihma nga fondi i shpëtimit. Irlanda shihet si vendi model për vendet që luftojnë me krizën e borxheve.
Takimi në Davos zgjat deri të dielën.
Autor: Schmiese Wulf/Agj/Arapi
Redaktoi: Esat Ahmeti