Netanjahu para Kongresit të SHBA: largim nga disa koloni, ruajtje pozicionesh
25 Maj 2011Kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu u shpreh për herë të parë për largimin nga koloni të veçanta në Jordanin Perëndimor. Njëkohësisht, në një fjalim të pritur me vëmendje përpara dy dhomave të Kongresit të SHBA në Uashington, Netanjahu theksoi se nuk do ta pranojë kurrë një ndarje të Jeruzalemit dhe një kthim të refugjatëve palestinezë.
Përballë mosmarrëveshjes me presidentin e SHBA, Barack Obama për procesin e paqes në Lindjen e Afërt, kryeministri izraelit theksoi lidhjen e ngushtë midis të dyja vendeve. Por ai e refuzoi sërish kërkesën e Obamas për t'u kthyer në kufijtë para fillimit të Luftës Gjashtëditore si bazë për negociatat e territorit me palestinezët.
Nuk ka kthim në kufijtë e pambrojtshëm të vitit 1967
"Izraeli nuk mund të kthehet në kufijtë e pambrojtshëm të vitit 1967" - theksoi Netanjahu që të hënën në mbrëmje në Uashington, në një fjalim përpara organizatës më të madhe lobiiste izraelite Aipac. Palestinezët ai i akuzoi se nuk duan ta përfundojnë "konfliktin që po zgjat gati 100 vjet dhe se nuk duan ta njohin shtetin e Izraelit": "Por unë shpresoj që ta avancoj paqen me palestinezët, sepse është koha kur ne pranuam një të vërtetë tjetër: ky konflikt ka zgjetur prej gati një shekulli, sepse palestinezët refuzojnë t'i japin fund atij. Ata refuzojnë ta pranojnë shtetin hebre".
Netanjahu kishte paralajmëruar një fjalim historik para Kongresit, por të martën ai përsëriti pozicionet e tij të vjetra të njohura. "Në kuadër të një marrëveshje paqeje të vërtetë, e cila i jep fund konfliktit, disa koloni do të jenë në fund jashtë kufijve të Izraelit," tha për herë të parë ai. Por njëkohësisht kryeministri bëri të qartë se Izraeli do t'i mbajë blloqet e mëdha të kolonive.
Palestinezët reagojnë me zemërim
Palestinezët reaguan të zemëruar ndaj fjalimit dhe thanë se nuk shohin bazë për një startim të ri të negociatave të paqes. Netanjahu nuk është më partner për paqe, u shprehën palestinezët. "Ai kishte shansin që të vendoste midis së kaluarës dhe së ardhmes, ai zgjodhi të kaluarën," tha kryenegociatori palestinez Saeb Erekat në Ramallah. "Netanjahu nuk është njeri i paqes", tha Erekati.
Netanjahu e mbështeti sërish në parim një shtet të pavarur dhe në gjendje për të mbijetuar të palestinezëve. Konflikti megjithatë nuk bëhet për ngritjen e një shteti palestinez, por për ekzistencën e një shteti hebre, tha ai. Ai shtoi se "Izraeli do të jetë bujar përsa i përket madhësisë së një shteti palestinez. Por siç tha Presidenti Obama, kufiri do të jetë i ndryshëm nga ai, që ekzistonte më 4 qershor."
Ndërsa zëdhënësi i Presidentit palestinez Abbas përforcoi nga ana e tij se palestinezët duan ta ndërtojnë në Rripin e Gazës dhe në Jordanin Perëndimor shtetin e tyre, me pjesën arabe lindore të Jeruzalemit si kryeqytet.
Netanjahu i kërkoi presidentit palestinez Abbas që ta anulojë marrëveshjen më të fundit me Hamasët, që kanë pushtetin në Rripin e Gazës.
Netanjahu kërkon ashpërsi ndaj Iranit
Deklaratat e Netanjahut u ndoqën me duartrokitje entuziaste nga deputetët. Vetëm një grua e ndërpreu fjalimin e tij me thirrje të herëpashershme, gjë që Netanjahu e mori me humor.
Në fjalimin e tij kryeministri i Izraelit kërkoi edhe një qëndrim më të ashpër të Perëndimit ndaj Iranit dhe që SHBA t'i dërgojnë një mesazh të qartë Iranit. Ndryshimet demokratike në shtetet arabe ai i përshëndeti dhe tha se Lindja e Afërt vërtet demokratike do të jetë edhe e paqtë.
Autor: Auron Dodi (dpa/DW)
Redaktoi: Lindita Arapi