Negociata pavarësisht dyshimeve për spiunazh
29 Tetor 2013Zemërimi mbi aktivitetet e spiunazhit të organeve sekrete amerikane dhe biznesi ndahen pastër në Bashkimin Evropian. Kancelarja gjermane Angela Merkel ( CDU ) bëri të qartë në fund të javës së kaluar se negociatat me SHBA-në për marrëveshjen e tregtisë së lirë duhet të vazhdojnë patjetër pavarësisht aferës me NSA-në. Ky është mendimi edhe i të gjithë 28 kryetarëve të shteteve dhe qeverive që morën pjesë në samit. Zëdhënësi i Merkelit konfirmoi të hënën në Berlin se tregtia e lirë është më e rëndësishme se zemërimi mbi përgjimin e telefonave celularë. Kjo edhe pse si nga radhët e CSU-së konservatore edhe të SPD-së partneres së mundshme në koalicion, ka pasur kërkesa për një ngrirje të bisedimeve me SHBA-në.
Marrëveshja e tregtisë së lirë
Në bisedimet me Shtetet e Bashkuara bëhet fjalë për një Marrëveshje për Tregtinë dhe Doganat që do t'u sigurojë të dy palëve rritje të re ekonomike. Për kompanitë synohet të zvogëlohen pengesat e tregtisë dhe të krijohen standarde të njësuara. Zona më e madhe e tregtisë së lirë në botë në mes të SHBA dhe BE pritet të realizohet nga fundi i vitit të ardhshëm. Komisioni i BE-së dhe Parlamenti Evropian e kanë shpallur këtë marrëveshje si një prej projekteve të tyre kryesore. Deputeti Christian Ehler ( CDU ) që drejton grupin parlamentar evropian-amerikan tha për Deutsche Welle-n : "Unë mendoj se ne nuk duhet t'i ndërpresim bisedimet për tregtinë e lirë, sepse dëmtojmë veten. Fjala është për miliarda mundësi për biznesin në të dy anët e Atlantikut. Pse duhet ta ndëshkojmë veten për një diskutim që nuk lidhet direkt me këtë? " Marrëveshjet e tregtisë së lirë nuk duhet të merret si një " peng " për probleme të tjera." - tha Ehler.
SPD dëshiron një pauzë për të menduar
Presidenti i Parlamentit Europian, Martin Schulz, sugjeron një pezullim të negociatave me SHBA. Schulz i cili drejton për socialdemokratët negociatat për koalicionim aktual në lidhje me çështjen e "Evropës" për formimin e qeverisë në Berlin, thotë se në thelb është pro marrëveshjes së tregtisë së lirë, por do që të bëhet një pushim për shkak të skandalit të spiunazhit dhe të përgjimit të telefonave.
Pjesë e marrëveshjes së tregtisë së lirë do të jetë gjithashtu edhe një marrëveshje për mbrojtjen e të dhënave në tregtinë e mallrave dhe në internet. Në këtë mes përfytyrimet e BE-së janë të ndryshme nga ato të SHBA-së. Ndër të tjera është fjala edhe për qëndimin e ardhshëm të BE-së ndaj koncerneve të tilla si Google, Facebook apo Amazon që të dhënat që mbledhin janë të detyruara me ligj që t'ua vënë në dispozicion shërbimeve sekrete amerikane.
Kanzlerja Merkel vazhdon të mendojë ende për SWIFT-in
Parlamenti Evropian kërkoi javën e kaluar si përgjigje ndaj abuzimeve të NSA-së pezullimin e marrëveshjes SWIFT me Shtetet e Bashkuara. Marrëveshja SWIFT rregullon kontrollin e lëvizjeve të llogarive bankare në trafikun financiar ndërkombëtar, dhe i shërben në fakt përndjekjes së përsonave të dyshuar për terror. Komisionarja e BE-së Cecilia Malmstrëm e refuzon pezullimin e marrëveshjes SWIFT, kurse kancelaren gjermane Angela Merkel të paktën do të mendonjë rreth kësaj. "Ne duhet të peshojmë gjithmonë me kujdes se çfarë mund të humbasim në lidhje me sigurinë e qytetarëve tanë. Unë kam një lloj mirëkuptimi për rezolutën e Parlamentit Europian." - tha Merkel. Martin Schulz do ta ngrijë marrëveshjen SWIFT për t'i sinjalizuar SHBA-së se diçka duhet bërë për të krijuar përsëri besimin.
Ende nuk ka datë për raundin e ardhshëm
Për shkak të krizës për buxhetin në SHBA data për raundin e ardhshëm të bisedimeve me BE dhe SHBA-së për marrëveshjent e tregtisë së lirë nuk është caktuar ende. Sipas përfaqësuesit të SHBA-së Michael Froman raundi i ardhshëm i bisedimeve pritet të zhvillohet näë Bruksel në muajin nëntor. Ndërkohë Gjermania dhe Franca duan që deri në fund të vitit të nënshkruajnë me SHBA marrëveshje dypalëshe në lidhje me të drejtat e shërbimeve sekrete. Këto bisedime dhe marrëveshje nuk zhvillohen në nivel evropian, seüse shërbimet sekrete nuk janë kompetencë e BE-së por e vendeve anëtare.