Në shtëpi në Gjermani dhe në botë
24 Nëntor 2006Sektori gjerman i ndërtimit të makinerive, i fortë në eksport, do të rrisë tre vitet që vijnë edhe më tej prodhimin e tij jashtë vendit. Bëhet fjalë para së gjithash për shpërndarjen, shitjen dhe prodhimin ndërkohë që kërkimi dhe zhvillimi do të vazhdojnë të mbeten në Gjermani. Ky është rezultati i një anketimi të Shoqatës së Ndërtuesve Gjermanë të Makinerive dhe Pajisjeve të prezantur këtë javë në Frankfurt.
Ashtu si dhe më parë në Gjermani vazhdon të mbizotërojë me kokëfortësi paragjykimi se ekonomia gjermane po pëson një lloj eksodi masiv, se i gjithë prodhimi po zhvendoset jashtë vendit aty ky pagat janë të ulëta derisa në vend të mbeten vetëm kioskat e patateve të skuqura dhe sanduiçëve. Natyrisht bëhet fjalë vetëm për një paragjykim. Pikësëpari jo të gjithë e zhvendosin prodhimin e tyre jashtë vendit dhe së dyti prania jashtë siguron edhe vende pune në Gjermani.
Sektori i ndërtimit të pajisjeve dhe makinerive donte të dinte saktësisht përmasat e këtij fenomeni për këtë degë dhe ngarkoi Institutin e Ekonomisë Gjermane (IDW) me pyetjen e më shumë se 1.200 firmave të përzgjedhura. Rezultati është qetësues: nuk mund të bëhet fare fjalë për eksod masiv. Michael Hüther, drejtor i IDW shprehet: "Tre të katërtat e sipërmarrjeve të anketuara eksportojnë, një e dyta është aktive jashtë Gjermanisë me firma distribucioni dhe shitjeje dhe gjysma tjetër blen në të gjithë botën. Por vetëm një e pesta prodhon jashtë pra një pjesë shumë më e vogël dhe kërkimi e zhvillimi - një temë e cila këtu tek ne diskutohet me të drejtë në sfondin e vazhdimësisë së zhvillimit ekonomik - pra zhvillimi dhe kërkimi vetëm në 6% të rasteve bëhet jashtë vendit."
Edhe Michael Hüther e vlerëson qetësues këtë fakt. Përsa kohë kërkimi dhe zhvillimi ose si të thuash koka e zinxhirit të krijimit të vlerës mbetet në Gjermani nuk ka vend për shqetësime për vendndodhjen ekonomike "Gjermani". Megjithatë një e pesta e ndërtuesve të anketuar të makinerive planifikojnë ngritjen e firmave të reja ose zgjerimin e prodhimit jashtë vendit. Si motiv kryesor përmendet dinamika më e lartë dhe rritja më e fortë e xhiros jashtë se sa në gjithë tregun e brendshëm.
Për punësimin në Gjermani zhvendosja e prodhimit nuk ka patjetër pasoja negative, përkundrazi. Vetëm një e treta e firmave e ka shoqëruar zhvendosjen e prodhimit jashtë me reduktim të personelit në vend. Në 40% të rasteve ndërtimi i fabrikave jashtë nuk ka patur asnjë ndikim në vendet e punës në Gjermani dhe 28% e sipërmarrjeve kanë krijuar vende të reja pune jo vetëm jashtë por edhe në vend. Për Michael Hüther, drejtorin e Institutit të Ekonomisë Gjermane, ndërtuesit gjermanë të makinerive kanë një pozicion shumë të mirë në plan ndërkombëtar: "Sektori është globalizuar sa i takon shitjes dhe blerjes së lëndëve të para, ai shfrytëzon dinamikën e tregjeve botërore në krahasim me tregun e brendshëm. Bie në sy zhvendosja vetëm e njësive të prodhimit, ndërsa sa i takon kërkimit dhe zhvillimit këto mbeten një temë shumë e rëndësishme në Gjermani dhe janë të ankoruara këtu."
Kush vendos të ruajë në Gjermani pjesën prodhuese ka arsye të forta. 40% e atyre që qëndrojnë bëjnë të ditur se vetëm në Gjermani mund të sigurojnë cilësinë e nevojshme. Kualifikimi i punonjësve është një plus për qëndrimin në Gjermani. Por arsye të mira ka edhe kush shkon jashtë. Këto arsye i përmend Dieter Brucklacher, president i Shoqatës së Ndërtuesve Gjermanë të Makinerive: "Klientët kanë nevojë për afërsi me firmën, ndaj është e rëndësishme që ato të shkojnë atje për të sfiduar konkurrentët. Pra unë mund të siguroj firmën time dhe vendet e punës në Gjermani nëse jam i pranishëm në këto tregje dhe zë atje pozicion."
Vendimi për të zhvendosur prodhimin jashtë në shumë pak raste merret vullnetarisht. Në shumicën e rasteve sipërmarrjet detyrohen nga tregu. Prania jashtë vendit për sigurimin e vendeve të punës në Gjermani, ky është lajtmotivi i ndërtuesve gjermanë të makinerive. Në vend bëhet fjalë për rreth 860.000 vende pune ndërsa jashtë ky sektor numëron rreth 260.000 punonjës.