Në rrezik marrëveshja për armët konvencionale
14 Qershor 2007Pas të gjitha kërcënimeve të fundit, e ashtuquajtura "konferencë krize" në Vjenë me të vërtetë po zhvillohet në një klimë problematike. Në fund do të shihet nëse do të thellohet kriza, ndonëse Rusia dhe Amerika kanë shprehur gatishmëri për një dialog konstruktiv. Marrëveshja për armët konvencionale është një prej më të suksesshmeve që janë nënshkruar deri tani.
I deleguari amerikan Daniel Frid thotë se nuk është kurrsesi në interesin e Uashingtonit që në Vjenë t'i jepet fund kësaj marrëveshjeje të suksesshme.
"Eshtë një moment i vështirë, sepse cënohet marrëveshja për armatimin konvencional. Por SHBA, Natoja dhe shumë partnerë perëndimorë duan që ta ruajnë këtë marrëveshje. Synimi është që marrëveshja të ketë rëndësinë që ka pasur prej fillimit, si një faktor shumë i rëndësishëm për sigurinë në Evropë", theksoi Frid.
Presionet po vijnë nga Moska, sepse ajo mendon që për Rusinë ka ndryshuar rrënjësishëm gjendja e sigurisë, pas ndryshimeve në Evropën lindore. Vëllezërit e dikurshëm nga koha e Luftës së Ftohtë tani janë bërë anëtarë të Natos. Për këtë arsye, në një takim të OSBE-së, në vitin 1999 në Stamboll, 30 vende kanë nënshkruar një marrëveshje të re me të cilën merret parasysh harta e re politike.
Në esencë fjala është që ndryshimet tek trupat ushtarake mund të bëhen vetëm me pëlqimin e partnerëve të tjerë. Këtë marrëveshje deri tani nuk e kanë nënshkruar shtetet anëtare të Natos, me shpjegimin se Rusia edhe më tej mbanë trupat e saj në Gjeorgji dhe në Moldavi. Moska mendon ndryshe.
"Rusia ka përmbushur të gjitha pjesët e marrëveshjes që kanë të bëjnë me Gjeorgjinë dhe Moldavinë", pohon udhëheqësi i delegacionit rus, Anatolji Antonov.
Rusia e ndjen veten të diskriminuar, sepse gjithnjë e më shumë ish-vëllezërit po bashkëpunojnë ushtarakisht me Amerikën. Me kërcënimet e saja në prag të konferencës ka shtuar presionet.
"Dua të theksoj se në këtë fazë nuk bëhet fjalë për daljen nga marrëveshja. Për momentin nuk do të ketë as moratorium, por dua ta them shumë hapur: delegacioni ynë nuk ka ardhur në Vjenë për ta mbrojtur këtë marrëveshje. Ne jemi përgatitur për bashkëpunim në baza partneriteti dhe për zgjidhjen e problemeve të fundit", thotë Antonov.
Rusia e cila në Vjenë ka ardhur gjoja me shumë propozime, duket se në çantë ka vetëm kërcënime. Për shembull me anullimin e përkohshëm të marrëveshjes, siç ka kërcënuar presidenti Putin edhe në prill të këtij viti, i zemëruar për shkak të afrimit tepër të madh të sistemeve raketore amerikane pranë kufirit rus.
Rusia mund të përdorë edhe kartën e Kosovës, sipas motos, në qoftë se doni që në Këshillin e Sigurimit të mos përdorim veton kundër pavarësisë së Kosovës, atëherë duhet të plotësoni disa kërkesa të Rusisë. Por cilat? Përgjigja është aq e panjohur sa edhe ardhmëria e marrëveshjes për armë konvencionale.
Deri tani një është e qartë: në qoftë se presidentit Putin nuk i pëlqen rezultati i konferencës së Vjenës, është gati e sigurt se ai përkohësisht do të dalë nga kjo marrëveshje. Në këtë situatë, argumenti amerikan se nuk mund të ketë moratorium, nuk do të luante ndonjë rol të rëndësishëm.