Në Davos filloi punimet Forumi Ekonomik Botëror
26 Janar 2012Kancelarja gjermane Angela Merkel (CDU) paralajmëroi në Forumin e 42-të Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës nga pritjet e tepruara nga Gjermania për zgjidhjen e krizës së euro-s. Lidhur me kërkesat për një kontribut më të madh gjerman në masat kundër krizës, kancelarja tha në fjalën e saj hapëse se ajo nuk do të premtojë diçka që Gjermania nuk do të jetë në gjendje ta përmbush deri në fund: "Kjo për faktin se nëse Gjermania, premton diçka në emër të të gjitha vendeve evropiane, që në rastin e goditjes së rëndë të tregjeve nuk do të përmbushej, atëherë gjithë Evropa do të mbetej në duart e fatit ."
Qeveria federale gjermane ndodhet aktualisht nën presion për të pranuar një rritje masive të fondit për shpëtimin e euros. Edhe pse është planifikuar që fondi i ardhshëm për shpëtimin e euros, ESM të ketë një vëllim kredie prej 500 miliardë euro, kërkohet ndërkohë një dyfishim apo trefishim i ndihmave. Kancelarja kritikoi në Davos: "Unë gjithmonë pyes veten edhe sa kohë kjo është e besueshme?"
Gjermania është e gatshme që ta trajtojë krizën e borxheve duke marrë përsipër detyrime. Megjithatë: "Me gjithë këto miliarda të ndihmës dhe ombrellat e shpëtimit ne gjermanët duhet të kemi kujdes që në fund të mos mbarojnë forcat tona, për shkak se mundësitë tona nuk janë pafund," u tha Merkel disa gazetave evropiane.
"Mungesa e strukturave politike"
Kancelarja duke folur për veprimet e ndërmarra deri tani në krizën e euros ka pranuar se: "Ato nuk janë të mjaftueshme." Por Evropa është e gatshme për tu përballuar me krizën e borxhit. Megjithatë deficitet nuk mund të kapërcehen me "një goditje shkopi." Në krizën e euros sipas fjalëve të Merkel është treguar se Evropa nuk ka struktura politike. Në këtë mënyrë shtetet duhet t'i japin më shumë kompetenca Evropës.
Para hapjes zyrtare të Forumit investitori i njohur George Soros kishte sulmuar ashpër mënyrën e menaxhimit të krizës që po udhëhiqet nga Gjermania. Ai akuzoi Gjermaninë se po u cakton shteteve të euros të përfshira nga kriza objektiva të paarritshme. Menaxhimi i krizës aktuale po shkakton rezistencë në vendet periferike.
Në Davos të Zvicrës përfaqësues udhëheqës të politikës, ekonomisë, shkencës dhe shoqërisë civile do të diskutojnë për pesë ditë me radhë për problemet ekonomike. Takimi këtë vit zhvillohet nën moton: "Transformimi i madh - krijimi i modeleve të reja".
Autorë: Hajo Felten / Naima El Moussaoui / Esat Ahmeti (dpa, dapd, afp)
Redaktoi: E. Xhani