Në Bruksel flitet për të pagjeturit
15 Janar 2025Në Bruksel zhvillohet takimi i parë në kuadër të dialogut i Komisionit të përbashkët të Kosovës dhe Serbisë për të zhdukurit, pjesë e marrëveshjes së vitit të shkuar për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Të dyja vendet u pajtuan që të zbatojnë një Deklaratë të përbashkët për personat e zhdukur, e cila ndër të tjera përfshinë: Palët të bashkëpunojnë ngushtë në identifikimin e vendvarrezave dhe të angazhohen në gërmimin e tyre; të sigurojnë qasje të plotë në informata të besueshme e të sakta që ndihmojnë në gjetjen dhe identifikimin e personave të zhdukur gjatë periudhës kohore nga një janari i vitit 1998 deri më 31 dhjetor të vitit 2000; si dhe të përdoren të gjitha materialet, shkrimet, urdhrat, dokumentet, regjistrimet dhe çfarëdo lloj dokumenti tjetër, përfshirë edhe ato që cilësohen si të klasifikuara nga institucionet përkatëse të të dyja palëve.
Shifrat e larta
Sipas të dhënave të Kryqit të Kuq Ndërkombëtar, në Kosovë konsiderohen të zhdukur gjatë luftës ende 1.612 persona. Kryetari i Komisionit qeveritar për persona të zhdukur Andin Hoti, thotë se takimi i parë në Bruksel "ka për qëllim përcaktimin e planit të punës për seancat e ardhshme, si dhe adresimin e disa çështjeve të rëndësishme për çështjen e personave të zhdukur”.
"Delegacioni ynë që udhëhiqet nga Halil Cenaj, do të prezantojë disa kërkesa kyçe, që ndërlidhen kryesisht me monitorimin e zbatimit të Deklaratës për Personat e Zhdukur, me fokus të veçantë në shkresën për arkivat, të cilën e kemi adresuar te Vuçiqdhe çështje të tjera të rëndësishme në këtë fushë. Ky takim është një hap i rëndësishëm drejt zbatimit të marrëveshjes ekzistuese 'Deklaratës për Persona të Zhdukur' e miratuar më 2 maj 2023”, tha Hoti.
Takimin në Bruksel të Komisionit të përbashkët Kosovë-Serbi një ditë më parë e paralajmëroi emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Miroslav Lajçak. Në një postim në Facebook, ai tha se ditët e para të këtij viti i priti me mision në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
"Misioni im i parë i vitit më çoi në SHBA. Në Uashington, D.C., u angazhova në diskutime të hollësishme me ndihmëssekretarin e Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, Jim O'Brien dhe zëvendësndihmëssekretarin e Shtetit për Ballkanin Perëndimor, Sasha Kasanof. Së bashku, ne u thelluam në sfidat dhe mundësitë gjeopolitike me të cilat përballet rajoni, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm dhe nevojën për të avancuar në Dialogun e Normalizimit, për t'u kthyer përsëri në Bruksel, me fokusin e kësaj jave për çështjen e personat e zhdukur me takimin e parë të Komisionit të Përbashkët”, shkroi Lajçak.
Fati i të pagjeturve duhet të zbardhet
Çështja e personave të zhdukur është pjesë e dialogut Kosovë-Serbi, një përpjekje për të mësuar për fatin e të zhdukurve. Aktivisti nga Fondi për të Drejtën Humanitare të Kosovës, Bekim Blakaj, pati thënë për DW në bashkëpunim me një program të RYCO-os, se "deklarata për të zhdukurit dhe zbatimi i saj, sjell shpresë të re”. Sipas tij, kjo është hera e parë që të dyja palët angazhohen për të lejuar qasje në dokumente të ndjeshme, që mund të hedhin dritë mbi fatin e mbi 1600 personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë.
"Plaga më e rëndë nga cilido konflikt janë personat e zhdukur. Familjet e personave të zhdukur nuk do të gjejnë asnjëherë shërim dhe plaga e tyre do të mbetet e hapur përderisa fati i më të dashurve të tyre nuk është zbardhur. Sigurisht se kjo reflektohet edhe në shoqëri në përgjithësi. Prandaj, nuk mund të ketë një proces të pajtimit të qëndrueshëm në Ballkanin Perëndimor pa zbardhjen e fatit të personave të zhdukur. Edhe në raste ku mund të ketë një iluzion se pajtimi është afër, problemi i personave të zhdukur do të kthehet dhe do të pengojë këtë proces”, thotë Blakaj.
Gjurmimi dhe gjetja e lokacioneve të varrezave masive apo individuale, ku mund të jenë të varrosur trupat e personave të zhdukur, është një proces shumë i vështirë kaq gjatë pas përfundimit të luftës. Kosova ka kryer gërmime në lokacione të ndryshme ku dyshohen për mbetje mortore të personave të vrarë gjatë luftës. Por autoritetet shpesh kanë thënë se problemi qëndron në lokacionet në Serbi, ku dyshohet se janë varrosur viktimat e luftës në Kosovë.