Muzika jep shpresë
11 Gusht 2013Rreth 60 muzikantë nga shtatë vende arabe, e shohin drejt në sy dirigjentin nga Bremeni Heiner Buhlmann, ndjekin lëvizjet e krahëve dhe gjestet e tij: sinfonia nr. 8 e Dvorak-ut është shfaqja e tyre e rëndësishme në shtëpinë e koncerteve në Berlin.
Mbështetur nga Ministria e Jashtme, Orkestra Filarmonike Rinore Arabe me muzikantë nga Egjipti, Algjeria, Bahreini, Libani, Siria, Tunizia dhe krahinat palestineze, është mbledhur për herë të parë në Berlin për prova. Repertori muzikal përbëhet nga pjesë orkestrale evropiane dhe vepra tradicionale me origjinë arabe. "Kemi për shembull me vete pjesën e Debussy-së 'Valle për harpë', pasi harpat kanë qenë në origjinë instrument egjiptian", thotë 22-vjeçarja Toaa Salah El-Deen nga Kajro, që luan harpën. "Jam aq krenare që mund të dal në skenë për herë të parë si soliste me një orkestër. Për mua kjo është një përvojë shumë e çmuar!"
Bashkëjetesë paqësore
"Orkestra Filarmonike Rinore Arabe është për një bashkëjetesë paqësore në botën arabe, çka është kthyer në një pasiguri të trishtueshme", thotë Dr. Favzy El-Shamy. "Për këtë arsye mendimi është pikërisht sot kaq i rëndësishëm!" Ish drejtori i Konservatorit të Kajros dhe themelues i okestrës duket optimist: "Natyrisht muzikantët e rinj gjatë pushimeve flasin shumë edhe për politikë. Pasi të gjithë duan të jetojnë në paqe. Ata pyesin për sfondin e konflikteve arabe dhe për gjëra të cilat i njohin nga televizori,i por nuk i kuptojnë. Ky shkëmbim është shumë i rëndësishëm, pasi mbështet paqen e vogël në grupin tonë. Dhe këtë energji pozitive e sjellim pastaj në skenë", thotë Favzy El-Shamy.
Arratisje në muzikë
"Lajme shumë të këqia!", e përshkruan violonçelisti Somar Ashkar nga Damasku, situatën aktuale në atdhe. Ai nuk di ç'të bëjë. "Ngadalë jeta për ne po bëhet vërtet e vështirë. Asgjë nuk është më si më parë. Por askush nuk e di se çfarë mund të bëjmë. Presim. Çfarë? Diçka duhet të ndodhë dikur... Mjerimi dhe luftimet duhet të ndalen. Vërtet, këtë dëshirojmë, paqe!"
Udhëtimi i tij i mundimshëm drejt Berlinit kaloi nëpën Liban. Në Berlin ai dhe shokët e orkestrës gjejnë strehim tek muzika. "Më parë ishim gjithnjë të lumtur gjatë provave. Këtë e kemi humbur për shkak të luftës. E megjithatë, nuk dorëzohemi. Unë luftoj me mjetet e muzikës! Shokët e mi dhe unë përpiqemi pa u ndalur që t'i bëjmë njerëzit të lumtur dhe të harrojnë atë çfarë ndodh në Siri!"
Shumë pyetje të hapura
"Plot 30 për qind e muzikantëve në orekestrën tonë vijnë nga Siria. Prej tyre doja të mësoja: kush është pro dhe kush është kundër Bashar al Assadit? Dhe çfarë po ndodh atje?" Violinistja Jasmin Assom de Meledin El-Serafi nga Aleksandria mendohet pak. "Atëherë ata më shpjeguan se ka shumë sirianë që janë në ushtri dhe që i kundërvihen shumë, shumë civilëve. Asnjë prej tyre nuk e kupton përse!"
Muzika duhet të ndryshojë jetën e njerëzve të tjerë dhe të vetën. "Në muzikë nuk ka mirë dhe keq", thotë koncertmaestri 22-vjeçar nga Egjipti, Kalim Samir Sale, i cili prej katër vitesh studion në Berlin. "Edhe kur ne arabët dëshirojmë ndonjëherë t'i japim një tjetër karakter muzikës klasike, me dirigjentin tonë Heiner Buhlmann gjejmë gjithnjë një rrugë të mesme të përshtatshme. Ne preferojmë gjithnjë të luajmë pak më ngadalë. Ai na shtyn përpara. Kjo funksionon!"
Muzikë dhe kohë
"Unë personalisht flas pak për politikë: ka gjithnjë dy mendime dhe secili kërkon të ketë të drejtë", thotë koncertmaestri. "Kjo prish karmën! Për këtë arsye këto kohë mendoj se është më mirë të mendojmë vetëm për muzikën. Situata politike për mua nuk është interesante. Ajo nuk është në rregull, këtë e kupton edhe një fëmijë!"
Si dhuratë nga atdheu muzikantët e rinj me ambicie kanë sjellë pjesën Suitë Arabe nga Attia Sharara, e vitit 1978: një potpuri melodish nga Egjipti, Maroku, Jordania, Libia, Siria dhe Libani. Melodi të njohura. Pas duartrokitjesh të gjata muzikantët zbresin nga skena. Ata duken të gëzuar, si njerëz të tjerë.
"Ne kemi shumë halle", thotë Favzy El-Shamy. "Në atdhe unë isha çdo ditë me studentët e mi në sheshin Tahrir. Gjithnjë! Dhe kur të kthehemi do të shkojmë përsëri në Tahrir!" "Të rinjtë kanë gjithnjë shpresa", shton koncertmaestri. "Unë mendoj se kemi nevojë për më shumë kohë, shumë më tepër kohë!"