Mpirje pas tronditjes së bursës në Kinë
28 Shkurt 2007Jo vetëm në Honkong, ku janë ankoruar shumë depozitues që investojnë në Kinë, por edhe në Gjermani indeksi i aksioneve, DAX, humbi të martën më 27 shkurt më shumë se 2 përqind. Pikërisht degët me lidhje të forta me Kinën si industria e çelikut u gjendën nën presion. ThyssenKrupp humbi me 5 përqind. Wallstreet në Nju Jork qysh nga e marta po përjeton ditët më të zeza qysh pas 11 shtatorit 2001. Por e mërkura riktheu një farë qetësie në Shangai.
Rënia e bursës dominon lajmet në Kinë. Në numrin e së mërkurës gazeta e bursës në Shangai u shit plotësisht. Ndonëse mbizotëron një klimë dëshpërimi, në metropolin ekonomik të Kinës nuk ka panik. Indeksi orientues, që me rënien 9 përqind të një dite më parë, pësoi humbjen më të madhe qysh prej dhjetë vjetësh, u stabilizua. Një minus i ri prej 1,3 përqind në hapje të bursës u kompensua brenda pak minutash duke u konsoliduar më shumë me 1 përqind në vlerën 2800. Lidhur me këtë Liu Kan, komentator i televizionit ekonomik kinez: "Një rënie e shkurtër nuk do ta pengojë tregun, që të vazhdojë të rritet. Por depozituesit duhet që ta shohin situatën nga një tjetër këndvështrim."
Më shumë se gjysma e aksioneve në ditën e zisë së bursës humbën 10 përqind, sipas rregullave në Shangani humbja ditore nuk mund të jetë më shumë se kaq. Tregtimi u ndërpre para kohe. Veçanërisht rëndë tërmeti i bursës ka prekur shumë depozitues të vegjël, të cilët duan të përfitojnë vetëm në një vit prej bumit me një rritje 130 përqind.
Një prej tyre është Vang Liang, 29 vjeçar, nëpunës në një firmë gjermane: "Unë kam dy aksione. Njëri ra me 10 përqind, ndërsa tjetri ende nuk është futur në bursë. Unë isha shumë i qetë ndaj të gjithë kësaj që ndodhi. Unë gjithmonë e kam menduar që kurset janë rritur shumë shpejt. Një ditë kjo pritej të ndodhte. Teksa u shpall rekordi të hënën, unë pata ndjenjën, se ka ardhur koha. Unë besoj, pikërisht tani duhet të blihen aksionet. Unë besoj, se rënia e kursit do të ndalet dhe tregu do të stabilizohet. Mendoj se e ardhmja është e mirë."
Por analistët nuk janë kaq optimistë. Gazeta Shangai Daily citon Dai Mingun nga Kingsuan Investment, që thotë: tendenca për shitje mund të vazhdojë një farë kohe, nëse nuk vjen ndonjë impuls i fortë prej qeverisë. Portali në internet Sina.com tërheq vëmendjen, se goditja në bursë erdhi pikërisht dhjetë vjet pas fillimit të krizës financiare në Azinë Jugore. Rënia e kursit është tipike pas një rritjeje të shpejtë të tij, por: edhe rregullat e reja të qeverisë janë bërë shkas për këtë. Qeveria deklaroi, se në të ardhmen do ta mbikqyrë më fort bursën. Me një komision special, në të cilin do të marrin pjesë funksionarë të lartë të bankës emetuese si dhe të entit mbikqyrës të bankave dhe bursave. Broker-at në të ardhmen duhet t´i sqarojnë në kohën e duhur klientët për rreziqet.
Ekspertët si Horst Lëhel nga instituti ndërkombëtar i bankave dhe financave në Shangai vërejnë një farë nervoziteti shqetësues tek depozituesit profesionistë. Blerjet e tyre në panik pikërisht në degët kyçe si imobiliet, bankat, çeliku dhe automobilët ishin përgjegjës për rëzimin e kursit. Sipas Lëhel ata kanë dyshim ndaj vendosmërisë së qeverisë për më shumë reforma. Në janar më kot ata pritën për deklarimet e krerëve të politikës, lidhur me atë se si mund të arrijë bursa kineze nivelin ndërkombëtar. Tregu si edhe më parë vazhdon të jetë masivisht nën kontrollin e politikës.
Dy të tretat e volumit të aksioneve kineze i përkasin shtetit dhe ky është i patregtueshëm. Vetëm pak depozitues të huaj lejohen të investojnë në Shangani dhe në Shenzen. Megjithatë Liu Kan i televizionit ekonomik është optimist: "Këtu ka kaq shumë para. Për aq kohë sa njerëzit do të qëndrojnë të qetë dhe do të kenë besim tek një tendencë pozitive, kurset do të rriten. Madje as rritja e interesave nuk mund ta pengojë këtë."