Momente të paharruara në ceremonitë hapëse të Lojërave Olimpike
Muhhamed Ali, foshnja e Hiroshimës, një hark me shiegjetë dhe një hartë gjigante botërore, ceremonitë e hapjes së Lojërave Olimpike ofrojnë çdoherë momente rrënqethëse.
1896: Lojërat e para në kohën moderne
Lojërat e para të antikitetit janë zhvilluar në Greqi, duke filluar nga 776 p.e.s. deri më 393, kur perandori Theodosius i ndaloi ato si „kult pagan“. Falë francezit Pierre de Coubertin lojërat u ringjallën në kohët moderne: Nga 6-15 prill 1896 Lojërat u zhvilluan në Athinë, ku hapja u bë nga Mbreti grek Georg. Në atë kohë është dëgjuar për herë të parë himni olimpik.
1920: Flamuri olimpik, betimi olimpik
Dy vjet pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore Lojërat Olimpike u zhvilluan në Anvers. Për herë të parë u ngrit flamuri olimpik i projektuar në vitin 1913. Gjashtë ngjyrat e flamurit- sfondi i bardhë, rrathët me ngjyrat: të kaltër, të verdhë, të zezë, të gjelbër dhe të kuqe të lidhura njëra pas tjetrës- i gjen edhe në të gjithë flamujt kombëtarë. Edhe Betimi olimpik u bë për herë të parë këtu.
1928: Rregullat e qarta në Amsterdam
Pjesë të mëdha të protokollit të sotëm janë zhvilluar gjatë Olimpiadës Verore të vitit 1928 në Amsterdam. Për herë të parë atletët grekë bënë hyrjen e sportistëve në stadium, të pasuar nga të gjithë të tjerët sipas rendit alfabetik. Ndërsa ekipi i kombit mikpritës marshoi i fundit.
1936: Pishtari i parë olimpik
Fillimi i një tradite të gjatë: më 1936 nisi udhëtimi për herë të parë me pishtarin olimpik, në atë kohë nga Athina në Berlin, ku u ndez flaka olimpike. Rreth 3000 atletë morën pjesë në stafetën e pishtarit olimpik, flaka olimpike u ndez nga atleti Fritz Schilgen (në fotografi). Lojërat Olimpike në Berlin u shfrytëzuan paturpësisht nga nazistët për qëllime propagandistike.
1964: Memoriali për Hiroshimën
Yoshinori Sakai, i njohur gjithashtu si „Hiroshima baby“, erdhi në jetë më 6 gusht 1945, në ditën kur SHBA hodhi një bombë atomike në qytetin e Hiroshimës në Japoni. Në hapjen e Lojërave të para Olimpike në Azi, 19 vjeçari në vitin 1964 mbajti pishtarin olimpik në stadiumin e Tokios. Një moment i paharruar olimpik dhe një simbol i paqes në botë.
1980: Bojkot në Moskë
Një rol të rëndësishëm në Lojërat Olimpike luan edhe klima politike. Shefi britanik Komitetit Ndërkombëtar Olimpik Dick Palmer mban flamurin olimpik gjatë ceremonisë së hapjes në Moskë në vend të flamurit kombëtar. Japonia dhe Republika Federale Gjermane u bashkuan me protestën kundër pushtimit sovjetik të Afganistanit në vitin 1979 dhe në bojkotimin e Lojërave në Moskë, në bashkëpunim me SHBA-në.
1992: Sinkronizim perfekt në Barcelonë
Spektakulare: Në vitin 1992 shigjetari paralimpik Antonio Rebollo, ndezi flakën olimpike me një shigjetë të zjarrtë në hapjen e ceremonisë së XXV-të në Barcelonë. Në të vërtetë, ai gjuajti mbi tasin e zjarrit, ndërsa flaka u ndez nga poshtë: koha e përkryer.
1996: Momenti magjik me Muhammad Ali
Vetëm katër vite më vonë sërish një moment impresionues, kur legjenda e boksit Muhammad Ali, i prekur nga sëmundja e parkinsonit, ndezi zjarrin. Në SHBA, ai ishte një figurë e diskutueshme, për shkak të refuzimit t’u rekrutuar në luftë në Vjetnam, por është nderuar për arritjet e tij sportive.
2004: Një fustan mahnitës në Athinë
Ceremonia e hapjes bëhet me një protokoll të rreptë, por si duket ka vend edhe për kreativitet. Kur këngëtarja islandeze Bjork në vitin 2004 në Athinë këndoi këngën e saj „Oceana“, u shpalos ngadalë fustani i saj dhe u shtri si një qilim mbi atletët: një hartë shumë e madhe e botës.
2008: Superlativa në Pekin
Pekini sfidoi me ceremoninë e hapjes në vitin 2008.Thuhet se festa ka kushtuar 100 milionë Dollarë, në krahasim me 40 milionë Dollarë në Londër, katër vite më vonë. Pikërisht në vitin 2008 perkusionistët u binin daulleve tradicionale kineze me shkopinj të ndezur. Performanca e stuhishme ishte pjesa më interesante e një shfaqjeje të planifikuar dhe të ekzekutuar në mënyrë të përkryer për tri orë.
2012: Në shërbim të Madhërisë së saj
Mbretëresha Elizabetë e II hapi ceremoninë në Londër në vitin 2012, ku ajo, si James Bond në videot e tij marramendëse, dukej sikru erdhi me parashutë. Mbretëresha është e para si kreu i një shteti, që ka bërë hapjen e dy Lojërave Olimpike, si Mbretëresha e Kanadasë ajo pati nderin të hapë ceremoninë edhe në vitin 1976 në Montreal.