Miratohet ligji i kontestueshëm i pronave - opozita në Tiranë kundër
18 Korrik 2006Parlamenti shqiptar ka miratuar në mbrëmje ligjin e pronave përsëri me forcën e kartonave të maxhorancës duke vijuar kështu një praktikë të kontestuar edhe nga BE. Vetë presidenti i Komisionit Europian, Hose Emanuel Barroso, e ka vleresuar si një parakusht të rëndësishëm konsensusin e gjere politik për çështjen e pronës në proceset integruese europiane të Shqipërisë.
Maxhoranca e djathtë e ka anashkaluar këtë sugjerim dhe e ka miratuar ligjin me 75 vota pro në Parlamentin e përbërë nga 140 deputetë. Opozita ka braktisur sallën dhe republikanët, forca aleate më e afërt e demokratëve të Berishës, që bashkëqeveris me ta, kanë votuar kundër.
Në ligjin e sapomiratuar ruhet neni 7501, apo ndryshe "neni i barazisë sociale", i miratuar që në qeverisjen e parë të demokratëve dhe i ruajtur edhe në qeverisjet e socialistëve. Në bazë të tij është parimi "Toka i takon atij që e punon", parim ky i kundërshtuar fuqimisht nga pronarët e ligjshëm, si parim komunist, por i mbështetur nga masa e fshatarëve që me këtë parim morën në 1992 token që punuan për më se 45 vjet gjatë regjimit të kaluar, por që me dokumenta u takon pronarëve të ligjshëm, të çpronësuar nga regjimi i kaluar.
Perveç ruajtjes së nenit 7501 në ligjin e sapomiratuar, kthimi i tokës pronarëve të ligjshëm është i limituar në masën e 100 hektarëve. Kryeministri Berisha, kryetar i demokratëve duke mbështetur qëndrimin e maxhorancës së djathtë tha se "miratimi i këtij ligji ngre një bazë reale për kthimin dhe kompensimin e pronave në Shqipëri" dhe se "republikanizmi nuk bashkohet me latifondizmin."
Republikanët votuan kundër ligjit pasi sipas tyre ai është antikushtetues. Kushtetuta e Shqipërisë sanksionon të drejtën e kthimit pa kufi të pronës tek pronari i ligjshëm. Kryetari i republikanëve, Fatmir Meditu tha se "forca e tij politike nuk mund tju heqë te drejtën pronarëve të Shqipërisë të gëzojnë pronën e tyre të plotë dhe pa kufi"
Por kryeministri Berisha e ka cilësuar ekstreme kërkesën e republikanëve për kthim pakufi të pronës tek pronari i ligjshëm. Ndonëse në minorance ekstreme, kundërshtim për ligjin ka patur edhe brenda grupit të deputetëve demokratë. Spartak Ngjela, i identifikuar muajt e fundit edhe si zëri ndryshe brenda këtij grupi ka votuar kundër.
Ndërkohë, edhe shoqatat e pronarëve në Shqipëri janë shprehur kundër kufizimit të kthimit të tokës deri në masën e 100 hektarëve dhe kanë paralajmëruar protesta. Ato kanë kërkuar mbështetjen e BE-së në kundërshtimin e tyre për atë që pronarët e konsiderojnë shkelje të së drejtës themelore të pronës.