Ministri gjerman i punëve të jashtme Joshka Fisher nis vizitën tri ditore në SHBA
11 Maj 2004Vizita e kreut të diplomacisë gjermane në SHBA, zhvillohet në një cast të vështirë për Uashingtonin. Ndonëse ministri i jashtëm Fisher është i ndërgjegjshëm për këtë, ai nuk mund ta lërë jashtë axhendës së konsultimeve në ministrinë e jashtme amerikane dhe në Shtëpinë e Bardhë, cështjen e akuzave për keqtrajtime e tortura të të burgosurve irakianë prej ushtarëve amerikanë. Këto veprime Fisher i konsideron si krime të pështira e madje edhe si një rezik për të ardhmen e Irakut. Fisher kërkon: "që ato që tashmë janë bërë publike, veprime që për mua ashtu si edhe për të gjithë në SHBA e gjetkë, janë të pështira dhe të tmerrshme, duhet të zbardhen pa u retushuar aspak dhe autorët të hetohen e të ndëshkohen."
Eshtë megjithatë e hapur, se në c´mënyrë do ta trajtojë Fisher këtë cështje në bisedimet me homologun Kolin Pauell dhe këshilltaren e sigurisë, Kondoliza Rais. Një gjë është megjithatë mëse e sigurtë, që Fisher do të flasë lidhur me të ardhmen e Irakut, gjë që sipas Berlinit zyrtar do të varet shumë prej pasojave që do të sjellë me vete skandali i torturave.
Fisher në State Departament do të kërkojë që të vendosen sa më shpejt piketat për dorëzimin e sovranitetit popullit të Irakut. Në Këshillin e Sigurimit ndërkohë po diskutohet lidhur me një rezolutë të re për Irakun. Për këtë duhet pritur megjithatë edhe raporti i ardhshëm i të ngarkuarit të posacëm të OKB-së, Lakdar Brahimi. Gjermania do të kontribuojë për një kthesë pozitive në Irak, pavarësisht se Fisher, e ka të qartë që opcionet për zhvillime pozitive janë disi të zbehta: "Kushte është që në radhë të parë OKB-ja të marrë përsipër procesin politik dhe që Lakdar Brahimi të ketë sukses në përpjekjet e tij për vendosjen e një konsensusi të brendshëm irakian, në mënyrë që procesi i vetëvendosjes demokratike në Irak të avancojë hap pas hapi sipas planit kohor ekzistues. Nëse nuk arrihet kjo, mendoj që opcionet pozitive, të cilat gjithësesi janë zbehur, do të ishte e vështirë që të zhvilloheshin në kah pozitiv."
I lidhur ngushtë me gjendjen në Irak është edhe procesi i paqes për Lindjen e Mesme mes Izraelit dhe palestinezëve që aktualisht ka mbetur në vendnumëro. Fishe rkonsiderohet si një ndërmjetësues i mirëseardhur në Lindjen e Mesme, ndaj edhe në Uashington mendimi i tij do të dëgjohet me interes. Gjatë javës së shkuar kreu i diplomacisë gjermane ka diskutuar për këtë rajon në takimin me homologët e tij të BE-së dhe të vendeve të mesdheut.