Migrimi motor për uljen e varfërisë në botë
22 Nëntor 2007Politika e migrimit dhe ajo e zhvillimit nuk janë të harmonizuara sa duhet, mendojnë ekspertë të qendrës së zhvillimit të OECD-së. Sipas tyre vendet në zhvillim mund të përfitojnë nga migrimi. Studimi u paraqit të mërkurën në Berlin.
Migrimi mbart në vetvete një shans të madh
Kështu mendojnë autorët e raportit të OECD-së. Ai mund të bëhet një motor i rëndësishëm për luftimin e varfërisë në të gjithë botën. Por për këtë emigracioni duhet të shihet nga një tjetër perspektivë dhe të harmonizohet me politikën e zhvillimit. Sipas mendimit të specialistëve kjo gjë ende nuk ndodh. Ekonomisti Johannes Jütting nga qendra për zhvillim e OECD-së në Paris shpjegon: "Shumë njerëz në Gjermani, në Europë dhe në vendet e OECD-së janë të shqetësuar për përmasat e varfërisë në botë. Nga ana tjetër migrimi diskutohet nga aspektet e politikës së sigurisë dhe nxirren në pah vetëm disavantazhet ose më mirë të themi disavantazhet e supozuara. Për këtë ne themi: kujdes migrimi mund të kontribuojë për të ulur varfërinë në vendet në zhvillim."
Migrimi ul varfërinë
Ata që lënë vendin e tyre për të punuar jashtë shtetit dërgojnë një masë të konsiderueshme të fitimeve në atdhe. Më shumë se 200 miliardë dollarë amerikanë në vit që është sa dyfishi i ndihmës për zhvillimin të vendeve të OECD-së. Në rradhë të parë ata që kanë kualifikim të ulët dhe që zënë vende pune të thjeshta në vendet e industrializuara mbështesin me të ardhurat e tyre pjesëtarët e familjes në atdhe, thotë Dennis Drechsler: "Një pjesë e madhe e të ardhurave shpenzohet për mallra konsumi. Kjo ndoshta nuk është mënyra ideale e përdorimit të këtij fluksi të ardhurash nëse e shohim nga perspektiva e politikës së zhvillimit. Por, në të njëjtën kohë duhet patur parasysh se kështu sigurohet mbijetesa e një familjeje, e cila me këto të ardhura është në gjendje të blejë mallrat e nevojshme për jetën e përditshme."
Për çdo një pezo që investohet, shteti meksikan kontribuon me tre pezo
Në mënyrë që njerëzit në vendet në zhvillim t'i investojnë paratë në mënyrë strategjike përshembull në arsim apo përkujdesje mjekësore sipas specialistëve mund të krijohen stimuj. Drechsler përmend shembullin e Meksikës. Për çdo një pezo që investohet siç duhet shteti meksikan kontribuon me tre pezo. Fjala nuk është megjithatë vetëm për fluks të ardhurash por edhe për know how pra për aftësitë profesionale të fituara nga punëtorët.
Situatë fitimprurëse për të gjithë
"Ideali ynë do të ishte një situatë fitimprurëse për të gjithë. Vendet e OECD-së të mund të mbulojnë përmes migrimit mungesat në krah pune edhe në sektorin e shumë të kualifikuarve dhe nga ana tjetër edhe vendet në zhvillim nga të cilat vjen krahu i punës apo specialistët mund të përfitojnë nga aftësitë e reja dhe kualifikimet."
Një ideal apo thjesht një iluzion?
Pasi një situatë e tillë nënkupton rikthimin në atdhe pas një kohe të caktuar të specialistëve shumë të kualifikuar. Por nuk janë të shumtë ata që e pëlqejnë një zgjidhje të tillë. Edhe autorët e raportit të OECD-së janë të vetëdijshëm për këtë.
Migrantët aktualisht nuk kanë mundësi zgjedhjeje
Mundësitë për të shkuar për një periudhë të caktuar jashtë vendit janë shumë të vogla. Jütting i referohet shëmbullit të SHBA që u mundësojnë pikërisht këtë punëtorëve nga ishujt Karaibe: "Atje fuqia punëtore vjen vetëm për disa muaj për t'u rikthyer në vendet e origjinës. Ata e dinë se do të kenë mundësi të vijnë sërisht në SHBA prandaj nuk vendosen atje përfundimisht. Ndërsa në disa vende të OECD-së stimujt kanë qenë të ndryshëm. Migrantëve iu tha: ju mund të vini por duhet të qëndroni përgjithmonë dhe kështu ata tërhoqën më pas edhe familjet e tyre."
Karta blu zgjidhja?
Oferta fleksibile, ide si karta blu e BE-së që tërheqin specialistë në Europë: të gjitha këto janë hapa në drejtimin e duhur mendojnë ekspertët. Në fund të gjithë përfitojnë, migrantët, vendet e tyre të origjinës dhe vendet ku ata shkojnë të cilat për shkak të zhvillimeve dramatike demografike mund të kompensojnë kështu mungesat në fuqi punëtore. Ideja është se në një botë të globalizuar është e vështirë të ndalohet migrimi.