Migrantët që votojnë për herë të parë
11 Shtator 2013Në jetën e saj të mëparshme aristokratja Carla von Boeselager quhej Carla Santos Oliveira. Nuk ka shumë kohë që ajo mban një titull fisnikërie dhe banon madje në një kështjellë. Ajo ka lindur në Brazil dhe është martuar me Peter Freiherr von Boeselager. Që atëherë shumë gjëra kanë ndryshuar në jetën e saj. Santos Oliveira mban tani titullin Freifrau dhe jeton në kështjellën e vogël Heimerzheim në Renani. Ajo është një nga 5,8 milionë votuesit me sfond migracioni dhe me një histori të posaçme, që nuk është tipike as për migrantët, as për gjermanët e lindur këtu. Kur ajo mori pasaportën gjermane dhe u tregoi me krenari dokumentin anëtarëve të familjes dhe miqve, dëgjoi t'i thonë: "Mos voto për të Gjelbrit!"
Natyralizimi
Çfarë nuk i pëlqen aristokrates? Dy fëmijët e saj nga martesa e parë nuk kanë akoma pasaportë gjermane. Edhe nëse janë krejtësisht të integruar, në Gjermani anëtarët e familjes marrin nënshtetësinë vetëm pas shtatë, ose tetë vjetësh. Atyre u shtyhet leja e qëndrimit kohë pas kohe. Prandaj për Carla von Boeselager tema e nënshtetësinë ka rëndësi të veçantë. Ajo do ta shprehë këtë në votimin e saj të parë: "Për mua ka rëndësi që si i huaj në Gjermani të ndjehesh mirë dhe i mirëpritur. Mua më intereson të di, se përse megjithë integrimin e mirë, është kaq e vështirë, që prindërit dhe fëmijët të natyralizohen në të njëjtën kohë.“
Zonja e kështjellës ka hulumtuar në internet programet e partive dhe ka zbuluar se Gjermania në krahasim me vendet e tjera të Evropës ndodhet në mes, përsa i përket procesit të natyralizimit. Në Francë dhe Holandë fëmijët e saj do të kishin marrë qëkur nënshtetësi.
Merkel kundër nënshtetësisë së dyfishtë
Tema e emigracionit mund të fitojë peshë në vitet e ardhshme, sepse tregu gjerman i punës ka nevojë urgjente për punonjës të kualifikuar nga jashtë. Që sot ata përbëjnë 10% të zgjedhësve potencialë. Sikur të gjithë migrantët me të drejtë vote, nga mosha 18 vjeç, të merrnin pasaportën gjermane, ata do të përbënin madje 20% të personave me të drejtë vote në popullsinë gjermane.
Shumica e emigrantëve janë me prejardhje turke. Ata janë pasardhësit e punëtoreve emigrantë turq. Por shumë prej tyre hezitojnë, sepse si jo qytetarë të BE u duhet të dorëzojnë pasaportën e tyre të parë dhe në këtë mënyrë do të humbasin dokumentin më të rëndësishëm të identitetit të tyre. Kancelarja Angela Merkel (CDU) e refuzon nënshtetësinë e dyfishtë.
Cem Tekin vitin e kaluar vendosi megjithatë të merrte nënshtetësinë gjermane, edhe pse si aktor, regjisor dhe drejtor artistik ai udhëton vazhdimisht mes Gjermanisë dhe Turqisë. Cem Tekin, i lindur para 31 vjetësh në Ankara, ishte katër vjeç, kur erdhi me prindërit në Gjermani.
Ai nuk e ka patur kurrë ndjenjën se është i huaj, apo se është trajtuar si i tillë: "Është një çertifikatë, që të thotë: Okay, tani edhe ti bën pjesë, je gjerman, dhe të lejohet pjesëmarrja në politikë“, thotë Tekin. Synimi i tij politik është promovimi i kulturës. Gjermania është një komb i madh që e do kulturën dhe ka shumë krijues, thotë ai në bisedë me DW. Edhe pse ekzistojnë shumë mundësi për të bërë kërkesa për financime, në të njëjtën kohë në këtë sektor bëhen vazhdimisht kursime. „Eshtë për të të ardhur keq, sepse kjo është fusha, ku njerëzit mund të realizojnë me lëhtësi diçka së bashku dhe kështu arrihet integrimi.“
Për kë votojnë teorikisht migrantët
Por në programin elektoral të partive kultura nuk luan rol. Dennis Spies, politolog në universitetin e Këlnit, ka analizuar, sjelljen e asaj pjese të elektoratit, që ka marrë së voni nënshtetësinë gjermane, në bazë të kritereve të moshës dhe prejardhjes. Prognoza e tij është: „Po të marrim parasysh gjininë, arsimimin e tyre në Gjermani, socializimin e tyre, ndikimin nga shtëpia e prindërve, atëherë sipas statistikave ata votojnë me probabilitetin më të madh ose për socialdemokratët, ose për ekologjistët. „Shumë pak gjasa ka që të votojnë për të kristiandemokratët, apo për liberalët“, mendon Spies.
Me politikë për Europën nuk mund të bësh fushatë
Anita Martinez Amor nuk e di ende, se për kë do të votojë. Ajo e di, se me votën e saj do që të kontribuojë për një politikë më solidare në Evropë. Ajo ka lindur në Spanjë dhe para dhjetë vjetësh erdhi në Gjermani për hir të dashurisë. Tani së fundi ajo ka marrë nënshtetësinë gjermane. Papunësia e lartë dhe politika e vazhdueshme e kursimeve në Spanjë janë shpesh temë e bisedave me familjen e saj dhe me miqtë dhe shokët në Këln.
„Por Europa luan një rol dytësor në fushatë", thotë Thomas Traguth, politolog në universitetin e Këlnit, në bisedë me DW, "sepse zgjidhja e problemeve aktuale dhe konvergjenca në Evropë do kohë dhe nuk është temë e përshtatshme për fushatë zgjedhore". Traguth thekson se kursimet do të vazhdojnë të jenë në agjendën politike të kristiandemokratëve CDU, kristiansocialëve CSU dhe të liberalëve FDP. "Socialdemokratët, të Majtët si dhe ekologjistët janë me siguri për më pak kursime.“ A ia bën vallë ky konstatim më të lehtë Anitës se për kë do të votojë?