Merz dëshiron bisedime për sistem bërthamor evropian
28 Shkurt 2025Kryetari i CDU-së, Friedrich Merz dëshiron të negociojë me Francën, Britaninë dhe aleatët e tjerë për një sistem evropian të parandalimit bërthamor. Gjermania aktualisht ka një "pjesëmarrje bërthamore" me Shtetet e Bashkuara, tha Merz për gazetën Frankfurter Allgemeine Sonntagszeitung. Përsa i përket përshtatjes së "pjesëmarrjes bërthamore", Merzi tha: "Ne duhet të flasim me njëri-tjetrin se ç'pamje do të kishte kjo."
Deri sot, Gjermania ka bashkëpunuar me SHBA-në për "pjesëmarrjen bërthamore". Kjo do të thotë se avionët gjermanë do të transportonin bomba bërthamore amerikane në objektivat e tyre në rast lufte. Qeveria franceze ka ofruar vazhdimisht të diskutojë këtë çështje me qeverinë gjermane, tha Merz. Megjithatë, qeveritë e mëparshme federale nuk e kishin trajtuar kurrë këtë.
"Ne duhet të përgatitemi për faktin se Donald Trumpi nuk do ta respektojë më plotësisht premtimin e mbështetjes në Traktatin e NATO-s”, tha Merzi më tej në televizionin ZDF. Prandaj, evropianët duhet të bëjnë përpjekje më të mëdha për të qenë në gjendje të mbrojnë vetë kontinentin”.
"E rëndësishme kush e ka vendimin përfundimtar për përdorimin e armëve"
Nëse kjo mund të arrihet me Francën apo Britaninë e Madhe, këtë ai dëshiron ta diskutojë në negociatat për formimin e koalicionit qeveritar dhe gjithashtu edhe me partnerët e BE dhe NATO-s.
Presidenti francez Emmanuel Macron i kishte ofruar vazhdimisht Gjermanisë dhe partnerëve të tjerë të BE-së bashkëpunim për parandalimin bërthamor. Shkaku ishin deklaratat e Presidentit amerikan Trump, i cili kishte kërcënuar vazhdimisht se nuk do të mbështeste vendet e NATO-s në rast të një sulmi, nëse nuk investonin mjaftueshëm në mbrojtje.
Franca dhe Britania e Madhe kanë shumë më pak armë bërthamore se SHBA dhe Rusia. Franca gjithashtu synon të bashkëpunojë me partnerët për arsye të shpenzimeve.
Është e rëndësishme se kush e ka vendimin përfundimtar për përdorimin e armëve bërthamore, tha Merz. "Por nëse ne ka nevojë të bëhemi thjesht më të pavarur edhe në Evropë nga SHBA është një pyetje që ekspertët e politikës së jashtme dhe të sigurisë e kanë debatuar për shumë vite."
dlf/zeit