Merkel viziton Indinë
30 Tetor 2007Kancelarja gjermane, Angela Merkel ka paralajmëruar në fillim të vizitës së saj në Indi përmirësimin e mëtejshëm të raporteve ekonomike. Para nisjes për një Nju Delhi, Merkel tha se qëllimi i saj është thellimi i raporteve ekonomike, politike dhe shkencore. Rritja ekonomike në Indi aktualisht është rreth nëntë përqind, ngjashëm me bumin ekonomik të Kinës.
"Mos e harroni Indinë, sepse është një treg shumë interesant. Për një kohë të gjatë evropianët dhe gjermanët nuk janë prezantuar sa duhet në këtë vend", theksoi Merkel, e cila në Indi është pritur me nderimet më të larta ushtarake. Kancelarja do të theksojë vendosmërinë e Gjermanisë për të ndihmuar zhvillimin e Indisë. Ndër pikat qendrore do të jenë luftimi i varfërisë, ruajtja e klimës dhe teknologjitë e reja. Në Indi Merkel po shoqërohet nga një delegacion i lartë ekonomik.