Merkel: Secili vend ka atë perspektivë që ja krijon vetë vetes
15 Dhjetor 2006Samiti i radhës së Këshillit të Bashkimit Evropian, që përfundoi të premten në Bruksel, ritheksoi perspektivën evropiane të vendeve të Ballkanit. Megjithatë ai vuri në dukje se këto vende duhet të plotësojnë kriteret e parapara për anëtarësim. Në mënyrë të veçantë samiti ritheksoi se dera e BE-së për Serbinë mbetet e hapur, duke dërguar kështu një sinjal në prag të zgjedhjeve parlamentare si edhe sqarimit të statusit të Kosovës. Serbia dhe Kosova do të luajnë një rol të rëndësishëm në politikën e jashtme të BE-së në fillim të vitit të ardhshëm, ka theksuar Angela Merkel.
Duhet të mbështesim përpjekjet e Ahtisaarit, por edhe të kemi kujdes që të mos këmbejmë stabilizimin e një vendi me destabilizimin e një vendi tjetër. Duam pra që Serbia të mbetet në kursin e BE-së, - nënvizoi Merkel. Që e ardhmja e Serbisë do të jetë në BE, kjo është tashmë e vetëkuptueshme për të gjitha vendet anëtare të Bashkimit Evropian. Por për të vazhduar negociatat me BE-në, Serbia duhet të plotësojë detyrimet ndaj Bashkësisë Ndërkombëtare, përkatësisht bashkëpunimin e pakufishëm me Tribunalin e Hagës, ka thënë Merkel më tej.
Vendet e Ballkanit perëndimor me perspektivë për në BE, por ato duhet të plotësojnë kriteret e pranimit
Perspektiva evropiane për vendet e Ballkanit Perëndimor u nënvizua edhe në këtë samit, megjithë debatin e zhvilluar për kapacitetin institucional dhe absorbues të BE-së, që tashmë përballet edhe me sfidat e integrimit të dy anëtarëve të rinj, Bullgarisë dhe Rumanisë: Prisja një debat të mirë dhe ashtu ndodhi. Ne ecëm përpara, nuk vendosëm kritere të reja anëtarësimi, pra, dera është e hapur, tha kryeministri finlandez Mati Vanhanen në konferencën e fundit për shtyp në cilësinë e kryetarit të radhës së BE-së.
Një perspektivë evropiane të konkretizuar duket se ka vetëm Kroacia. Për vendet e tjera, përfshirë këtu edhe ato dy kandidate, Maqedoninë e Turqinë, rruga do të jetë e gjatë, merret vesh nga burimet diplomatike në BE. Angela Merkel e shpreh këtë zvarritje të procesit të integrimit me fjalë të tjera: Perspektiva evropiane nuk është fletë garancie për anëtarësim, tha ajo. Këto vende duhet të vënë në jetë vlerat dhe parimet e Bashkimit Evropian. Secili vend ka atë perspektivë që ja krijon vetë vetes, u shpreh ndër të tjera Merkel.
Në deklaratën përfundimtare theksohet gjithashtu gatishmëria për të afruar më shumë qytetarët e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian. Samiti përshëndet negociatat për lehtësimin e regjimit të vizave. BE-ja ka parasysh dëshirën e njerëzve nga këto vende për heqjen e vizave, hë për hë mbetet tek oferta për lehtësime në dhënien e vizave për të rinjtë që duan të studiojnë në BE.
Tema të tjera në samit
Samiti i radhës së BE/së nuk pati ndonjë pikë grindjeje. Kjo pasi problemi kryesor ai i Turqisë ishte sqaruar që në konferencën e ministrave të jashtëm, që zhvilluar në fillim të javës. Konkluzionet e krerëve të 25 vendeve anëtare të BE/së piketuan disa nga temat kryesore të axhendës së Gjermanisë dhe Portugalisë, kryetareve të radhës në vitin e ardhshëm. Krahas problemit të Kosovës, Gjermania do të merret edhe me hartimin e një strategjie të fqinjësisë së mirë me vendet e Azisë Qendrore, krijimin e një tregu të përbashkët energjetik për të gjithë BE-në. Politika gjithëpërfshirëse e migrimit dhe marrëdhëniet me Afrikën do të duhet të jenë pjesë e axhendës së presidencës portugeze. Por ashtu si presidenca finlandeze edhe ajo gjermane do të duhet të mernet me problemin e pazgjidhur të kushtetutës evropiane, që konsiderohet si çelësi i konsolidimit dhe rritjes së aftësisë vepruese të BE/së.