Merkel për ashpërsimin e masave të sigurisë
21 Gusht 2006Të shtunën u arrestua njëri nga dy të dyshuarit për vendosjen e dy valixheve me lëndë eksplozive në trenat rajonalë gjermanë. Dy valixhet atëherë u gjetën shumë rastësisht dhe për fat të mirë, bombat e vendosura në to nuk shpërthyen. I arrestuari akuzohet për pjesëmarrje në rrjete terroriste dhe për tentativë për vrasje në një numër të madh rastesh. Organet zyrtare e zbuluan atentatorin e mundshëm me anë të videove të përgjimit nëpër stacionat e trenave.
Në Gjermani është hapur që të shtunën debati për masa të forcuara sigurie dhe për shtimin e videokamerave nëpër stacione dhe vende publike. Kancelarja Angela Merkel u shpreh qysh të shtunën e lehtësuar për suksesin e hetimeve. Në një konferencë për shtyp të hënën ajo theksoi edhe një herë qendrimin e saj rreth kontrollimit me anë të videove:
"Sigurisht që askush nuk mund të pretendojë, që përgjimi me video në vendin tonë nuk është gjë e rëndësishme. Ishte pikërisht ky kontroll që solli deri tek arrestimi i njërit prej atentatorëve. Dhe ky është një hap shumë i rëndësishëm," - tha Merkel.
Pro zgjerimin e sistemit të përgjimit me video nëpër vende publike është shprehur edhe ministri gjerman i punëve të brendshme, Volfgang Shojble: "Kontrolli me video në raste të tilla ka rezultuar me sukses. Edhe cilësia e pamjeve është shumë e mirë. Prandaj, kjo mundësi duhet të shfrytëzohet më shumë. Askush nuk lëndohet prej saj. Kur je në vende publike të shohin kamerat, kjo ndodh në çdo dyqan."
Edhe për socialdemokratët zgjerimi i kontrollit me anë të videos është një mjet i rëndësishëm për luftimin e terrorizmit. Megjithatë, kryetari i kësaj partie, Kurt Bek, kërkon që të mos ndërmerren konsekuenca të nxituara nga situata e re kërcënuese: "Jam për atë që të shqyrtohet mirë se ku janë të domosdoshme këto video. Por nuk duhen nxituar. Nuk duhet ta mbrojmë lirinë deri në vdekje."
I ngarkuari i qeverisë për ruajtjen e sekretit personal, Peter Shar, u shpreh gjithashtu kundër zgjerimit gjithpërfshirës së kontrollit me anë të videove. Në disa zona tepër të rrezikuara duhet të arrihet që regjistrimet të mos kalojnë në duar të gabuara, tha Shar në një intervistë.
Edhe ekspertë të zyrave të kriminalistikës kanë shprehur dyshime për zgjerimin e sistemit të kontrollit me anë të videove. Sisteme të tilla janë të rëndësishme për sqarimin e një krimi, por jo për parandalimin e atentateve, është shprehur kryetari i Shoqatës së nëpunësve gjermanë të kriminalistikës, Tomas Mitçke.
Ndërkohë që prej shumë vitesh po diskutohet për ngritjen e një sistemi qendror të të dhënave kompjuterike me të dyshuarit për aktivitete terroriste. Dy janë modelet që shtrohen për diskutim: Një sistem i plotë dhe një në formë të indeksuar. Ky i dyti do të jepte vetëm emrat e personave të dyshuar dhe zyrat që janë në dispozicon të të dhënave më të hollësishme për secilin prej tyre. Politikanët unionistë janë për ngritjen e sistemit të plotë, ku do të mund të shiheshin menjëherë të gjitha të dhënat, pra edhe të dhëna të tilla, si kontaktet private dhe profesionale, vendet e vizituara dhe makinat e përdorura nga personi.
Sipas këtij koncepti, në këtë databejz duhet të kenë akses organet policore në nivel landi dhe federate, si edhe shërbimi i fshehtë. Por në Gjermani është e ndaluar që këto dy organe të shkrihen me njëra-tjetrën. Ky rregull e ka zanafillën në kohën e nacionalsocializmit, kur policia dhe shërbimi i fshehtë bashkëpunonin ngushtë mes tyre duke krijuar kështu një nga parakushtet kryesore për ushtrimin e terrorit nazist.