Merkel: Procesi i zgjidhjes së statusit të Kosovës nuk do të jetë i lehtë
7 Shkurt 2007Kancelarja gjermane Angela Merkel është treguar optimiste për orientimin e ardhshëm proevropian të Serbisë: "Unë besoj se në Serbi ka një grup të madh njerëzish që duan perspektivën evropiane, prandaj nuk është në pyetje se çfarë atraktivitetesh duhet të krijojmë ne për ta nxitur procesin afrues drejt Evropës," tha ajo mbas një takimi që pati të mërkurën në Berlin me homologun e saj austriak, Alfred Gusenbauer.
Tani ka rëndësi që Bashkimi Evropian të tregojë qartë që nuk e mban të mbyllur portën e tij për Serbinë, theksoi Merkel më tej. "Sigurisht që ne kemi disa kërkesa që kanë të bëjnë me përpunimin e së kaluarës, por ato nuk duhet të kthehen në një pengesë kaq të madhe, saqë për Serbinë të duket se janë të pakapërcyeshme," shtoi kancelarja gjermane dhe njëkohësisht kryetare e presidencës së BE/së. Ajo gjithashtu apeloi tek serbët që të shohin shanset që u ofrohen. Bashkimi Evropian i ka bllokuar negociatat për Marrëveshjen e Asocijim Stabilizimit me Serbinë për shkak të mosbashkëpunimit në nivelin e duhur me Tribunalin e Hagës për Krime Lufte.
Si Merkel ashtu edhe Gusenbauer e treguan edhe njëherë mbështetjen për planin e Ahtisaarit për të ardhmen e Kosovës. Gusenbauer theksoi në këtë rast, se e rëndësishme është që implementimi i zgjidhjes së statusit të Kosovës të bëhet në mënyrë të tillë që askujt të mos i merret nderi apo dinjiteti:
"Unë besoj se në Serbi është rritur vetëdija, që do të duhet të gjendet një zgjidhje, ku Kosova nuk do të jetë më tërësisht serbe, këtë e kanë të qartë shumica e njerëzve që janë aty," - tha Gusenbauer. Me rëndësi është se si do të organizohet procesi dhe se cilat do të jenë dukuritë shoqëruese të tij, shtoi kancelari austriak: "Ne në Vjenë themi: Toni e bën muzikën".
Gusenbauer tha më tej se implementimi i planit të Ahtisaarit nuk duhet të kuptohet si "një çështje e imponuar". Ai vuri në dukje edhe skepticizimin e disa vendeve në Bashkimin Evropian ndaj ndërhyrjes në sovranitetin territorial të një vendi si edhe dyshimet e Rusisë. Kryetarja e radhës së BE-së u shpreh e vetëdijshme për vështirësinë e implementimit të statusit të Kosovës: "Por ne kemi zgjidhur shumë probleme jo të lehta në Evropë," shtoi ajo.