Merkel në Poloni & Protesta tek Airbus
17 Mars 2007Gazeta "Rheinneckar Zeitung" e Heidelbergut komenton vizitën e Merkleit në Poloni: "Eshtë e dyshimtë, nëse binjakët Kazhinski, që me tonet e tyre nacionaliste dhe antigjermane deri tani kanë mundur të fitojnë pikë tek zgjedhësit, kanë vërtetë vullnetin e mirë për të vendosur raporte më të mira me Gjermaninë. Gjithashtu grindja për ndërtimin e sistemit të ShBA për mbrojtjen nga raketat në Poloni dhe në Çeki tregon se hendeku mes vendeve evropiano-lindore dhe atyre perëndimore vazhdon të ekzistojë. Në rast dyshimi ish-shtetet komuniste preferojnë më mirë të orientohen nga vëllai i madh ShBA se sa nga Evropa e bashkuar."
Ndërsa në komentin e "Wiesbadener Kurier" lexojmë: "Ndoshta binjakët Kazhinski mund t´i konsiderosh si një lloj stuhie që dikur do të kalojë. Angela Merkel megjithatë bën mirë, që zhvillon një vizitë kaq zemërgjerë tek partnerët e vështirë polakë duke i lënë kohë vetes për të biseduar shtruar mbi çështje parimore. ...E kush tjetër do të ishte më i përshtatshëm për të shmangur mosbesimin reciprok se sa Angela Merkeli, e cila jo vetëm flet polonisht, por edhe është rritur në kufi dhe është shumë më e afërt me Poloninë se sa paraardhësit e saj nga Perëndimi? Vizita e kancelares nga Ykermarku është një shans. Nëse ajo ia del të përmirësojë klimën e marrëdhënieve, atëherë mund të diskutohen në mënyrë pragmatike të gjitha mosmarrëveshjet aktuale duke filluar qysh nga kushtetuta e BE-së."
Mbi këtë temë edhe një koment nga "Kölner Stadt Anzeiger": "Nisma e kancelares nuk karakterizohet vetëm prej finesës taktike. Ajo synon të prekë direkt zemrën dhe arësyen e Polonisë. Eshtë sidoqftë një sfidë përpjekja për të nxjerrë nga moçali i grindjeve të ashpra marrëdhëniet bilaterale dhe për t´i vendosur ato mbi një bazë të sigurtë. Nëse presidenca gjermane e BE-së do të rezultojë e sukseshme, atëherë polakët dhe gjermanët duhet t´i japin fund mosmarrëveshjeve midis tyre. Për këtë kancelares i mbeten vetëm pak muaj në dispozicion. Pikërisht për këtë arësye
është e rëndësishme, që ajo ka planifikuar kohë për vizitën në Poloni për të biseduar shtruar."
Kalojmë në temën tjetër protetstat e punonjësve të Airbusit kundër planeve për shkurtime masive në valën e reformës financiare të koncernit. "Kieler Nachrichten" shkruan: "Sindikatat dhe këshillat e ndërmarrjeve për fat të keq i kanë duart po aq të lidhura në botën e Airbusit sa edhe menaxherët. Në lojë kërkohet shumë taktikë. Egoizmat kombëtare mund t´u bëjnë ballë me vështirësi fakteve të ekonomisë së ndërmarrjes. E pavarësisht nga të gjitha: rezistenca kundër planit të kursimeve
është pjesërisht e drejtë. Sepse koncepti, në të cilin është punuar për muaj me radhë, deri tani le mjaft çështje të hapura. Si do të fitojë Airbusi kompetenca të qarta dhe kur do ta shkurtojë koncerni volumin e papërballueshëm të administratës së brendëshme? Kujt do t´i kalojnë fabrikat që do të shiten? Dhe a
është në gjendje kjo ndërmarrje të përballojë shkurtimet masive në një kohë që librat e porosive janë plot e për plot?"
Ja se si analizon gazeta e Pocdamit "Märkische Allgemeine": "Natyrisht është e hidhur që kolektivat sërish duhet të paguajnë gabimet e menxahimit të ndërmarrjes. Por po ta shohësh esëll Airbusit s´i mbetet gjë tjetër. Në industrinë e fluturimeve me kapital intensiv fitimet e mëdha nuk janë qëllim në vetvehte, por ato janë të nevojshme për të zhvilluar tipe të rinj avionësh dhe për të avancuar teknologjitë e reja. Paratë që duhen për këtë Airbusi do t´i kish mbledhur me vështirësi edhe sikur të mos e përjetonte katastrofën financiare me avionin e kapacitetit të lartë Airbus 380. Kostot duhet të ulen, në mënyrë që të mos ketë dështim në konkurrencën me Boing. Një gjë e tillë nuk do t´u interesonte as kolektivave."