020611 Merkel Singapur
2 Qershor 2011Ajo ishte gruaja e parë që foli para forumit më të rëndësishëm ekonomik të Singapurit. Dhe Angela Merkel e shfrytëzoi shansin për të bërë publicitet në qytetshtetin aziatik për euron. Bashkimi Evropian ka një krizë borxhesh, por jo krizë financiare, u shpreh Merkeli:
"Në këtë vend unë dua të shpreh shumë qartë: Gjermania është e ndërgjegjshme për rëndësinë e euros, Gjermania deklarohet në mbështetje të euros, Gjermania ka përfituar shumë nga euro."
Gjermania do të angazhohet edhe që përsa i përket aftësisë për konkurencë të shteteve, shtetet në Evropë të afrohen me njëra-tjetrën.
Kancelarja federale theksoi në mbyllje të vizitës së saj në Singapor marrëdhëniet e ngushta dhe të mira ekonomike midis Singaporit dhe Gjermanisë. Sido që të jetë, janë 1200 firma gjermane që kanë filiale e qendra në Singapor. Ajo e lëvdoi komunitetin aziatik të shteteve ASEAN. Anëtarit themelues të ASEAN-it, Singaporit, ajo i kërkoi që të angazhohet për respektimin e të drejtave të njeriut në Birmani:
"Sepse angazhimi për të drejtat e njeriut, për liri dhe demokraci - ky është jo vetëm një detyrim rajonal, por edhe global. Dhe Singapori është edhe në këtë drejtim partner me vlerë për ne" - tha kancelarja Merkel.
Birmania tani do të marrë sipas radhës kryesinë e ASEAN-it. Në këtë vend vërtet që u zhvilluan zgjedhje, por në pushtet atje mbeti junta ushtarake, e cila ishte edhe më parë në pushtet. Edhe kufizimi i lirisë së mendimit në Singapor ishte temë e takimit të kancelares gjermane Angela Merkel në takimin e saj me kryeministrin Lee Hsien Long. Para pak ditësh, një autor britanik u dënua në Singapor me një arrest gjashtëjavor. Atë e dënuan, sepse pati kritikuar në një libër drejtësinë e Singaporit dhe veçanërisht dënimin me vdekje.
Autor: Udo Schmidt / A.Dodi
Redaktoi: E.Xhani