Merkel me rol drejtues në një botë të globalizuar
31 Tetor 2007Për gjendjen në Lindjen e Mesme, në gazetën e Bonit, GENERAL-ANZEIGER ndër të tjera lexojmë:
"Në katër muajt që prej puçit të Hamasëve në Rripin e Gazës, palestinezë militantë kanë hedhur më shumë se 1000 granata dhe raketa në territorin izraelit. Fjalë kritike për këtë? Nuk dëgjon gjëkundi. Eshtë tashmë rutinë që Izraeli, e vetmja demokraci dhe i vetmi shtet juridik në Lindjen e Mesme ha dru nga përfaqësues të OKB-së. Në anën tjetër të medaljes është, që ka një ndryshim të madh, nëse lëvizjen islamike Hamas e quan (me të drejtë) armike dhe si bandë terroriste, apo nëse e shpall të gjithë Rripin e Gazës si bandë terroriste. Vendimi i qeverisë izraelite për rrethim ekonomik do të thotë në fakt dënim kolektiv për të gjithë popullatën në këtë territor. Izraeli mbetet përgjegjës për gjendjen në Rripin e Gazës, si fuqi pushtuese që është, edhe nëse i ka tërhequr ushtarët e tij prej atje."
FRANKFURTER ALLGEMEINE ZEITUNG i kushton vëmendje konfliktit midis Turqisë dhe kurdëve ashtu si pasqyrohet ai në Gjermani.
"Zyrtarisht frontet duket se vazhdojnë të jenë të qarta: nga njëra anë janë turqit, në anën tjetër kurdët. Dhe kur takojnë njëri-tjetrin, plas sherri. Në Berlin, në Hamburg ose në Këln, në juglindje të Turqisë gjithsesi. "Konflikti me kurdët po kalon në Berlin" shkruante në nga këto ditë gazeta e Berlinit "Tagesspiegel". Një titull që ishte i përfytyrueshëm për t'u lexuar edhe para shtatë ose 15 vjetësh. Por vëmendja mediale së fundi ka rënë.
Urrejtje dhe pretendime për të sunduar ka kudo. Megjithë ndalimin e partisë, simpatizantë të Partisë Punëtore Kurde, PKK thyejnë herë pas here xhamat e dyqaneve dhe kafeneve turke, jo vetëm në Berlin. Por linjat e këtij konflikti nuk janë në asnjë mënyrë të qarta. Jo vetëm të gjithë turqit, por edhe shumë kurdë janë kundër terrorit të PKK, ata janë arratisur madje në Gjermani dhe gjejnë këtu paqe, nëse kanë fat. Por kur u ecën ters, edhe këtu bien në varësinë e terroristëve, të cilët në Evropë, por para së gjithash në Gjermani i maskojnë organizatat e tyre pasuese të partisë si qendra kulturore kurde. Edhe më tej merren me shantazh donacione, parave të drogës u ndryshon destinacioni, rekrutohen ushtarë dhe detyrohen familje të japin strehim për "luftëtarë", të cilët duhet të fshihen. Po kush e di me të vërtetë, se çfarë po ndodh këtu?"
Vizitën e kancelares gjermane në Indi ka në fokus të saj gazeta THÜRINGER ALLGEMEINE prej së cilës shkëpusim:
"Pyetja duhet të jetë e lejueshme. A justifikohet ende që India të marrë nga Gjermania 64 milionë Euro si ndihmë për zhvillimin? Kancelarja do të bënte mirë, sikur në të ardhmen ta zhvendoste pikërëndesën në mbrojtjen e klimës dhe në teknologjitë e reja. Kjo nuk ka vetëm rëndësi globale, por është edhe në interesin e Gjermanisë. Sido që të jetë, përsa i përket teknikës së ambientit Gjermania është eksportuesi më i madh në të gjithë botën. Që me delegacionin e Merkelit u desh të udhëtonin për në Indi dy avionë Airbus, flet për interesin që është rritur për vendin me zhvillim të shpejtë ekonomik. Eshtë bërë prej kohësh e qartë që qeveria e koalicionit midis socialdemokratëve dhe të Gjelbërve është mbështetur në mënyrë shumë të njëanshme te Kina. Merkeli duhet të ndërmarrë nga ky shkak edhe korrigjimet e nevojshme."
Ja së fundi edhe mendimi i analistit të FRANKFURTER RUNDSCHAU, i cili ndalet gjithashtu në vizitën e Merkelit:
"Kryeministri i Indisë, Manhoman Singh e sheh kancelaren Merkel në një rol drejtues në një botë të globalizuar. Ai tha se në këtë botë, që po përvijohet në horizont, varësia reciproke e kombeve është një fakt. "Ne presim nga kancelarja Merkel që të luajë një rol drejtues në botë në këtë çështje", tha Singh. Synimi i vizitës së Merkelit është zgjerimi i marrëdhënieve politike, ekonomike dhe shkencore me Indinë. Për këtë baza duket se ekziston. Kryeministri i Indisë e quajti Merkelin jo vetëm një politikane me emër ndërkombëtar, por edhe një mikeshë të madhe të Indisë".