Merkel mbështet planin saudit për konfliktin izraelito-palestinez
2 Prill 2007Në këtë plan vendet arabe theksojnë se do të njohin shtetin e Izraelit nëse ai është i gatshëm që të tërhiqet në kufijtë e para vitit 1967. Një ofertë të cilën Izraeli nuk mund të injorojë aq lehtë. Kjo për faktin se edhe në mesin e popullisë janë shtuar zërat që duan paqe më fqinjët arabë. Oferta e vendeve arabe ishte temë qëndrore edhe në takimin që kancelarja gjermane Angela Merkel zhvilloi të dielen me kryeministrin izraelit Ehud Olmert.
Kancelarja gjermane Angela Merkel foli në Jeruzalem për një 'dritare mundësish' për një përparim në procesin e paqës në Lindjen e Mesme. Samiti i shteteve arabe në Riadin e Arabisë Saudite i dha guximin kancelares për një formulim të tillë. Ringjallja e iniciativës së përbashkët arabe të vitit 2002 nuk hasi në vesh të shurdhër as në Izrael. Kryeministri izraelit Ehud Olmert shfrytëzoi këtë 'dritare të hapur'. Në konferencën e përbashkët për shtyp me zonjën Merkel u shpreh se: "Ndoshta unë mund të shfrytëzoj mundësinë e rëndësishme që këtu takohem me kryetaren e radhës së presidencës së Bashkimit Evropian për t'i thënë se unë ftoj të gjithë liderët e vendeve arabe në një takim, natyrisht edhe mbretin saudit të cilin e konsideroj si një burrështetas shumë të rëndësishëm që të arrijmë një marrëveshje. Qëllimi i një takimi të tillë do të ishte që të gjithë të prezantojnë të gjitha idetë e tyre. Kjo çështje ia vlen të angazhoesh për të", tha kryeministri Olmert.
Nuk kaloi shumë dhe Olmert korrigjoi veten duke sqaruar se nuk mendon për të gjithë liderët arabë por vetëm për presidentët dhe kryeministrat e moderuar të vendeve arabe. Poashtu edhe pse njëherë ftoi vet këta lider në takim u pendua menjëherë dhe tha se do të mirrte pjesë në një takim të tillë nëse ai do të thirrej nga mbreti i Arabisë Saudite.
Kështu Olmert nuk foli për një konferencë ku do të merrnin pjesë edhe Siria, Libia dhe Hamasi palestinez. Për më tepër mendohet në një takim të të ashtuquajturit kuarteti arab për Lindjen e Mesme ku bëjnë pjesë Arabia Saudite, Egjipti, Jordania dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. Në një takim të tillë sipas kryeministrit Olmert mund të marrë pjesë edhe presidenti i palestinezëve Mahmud Abaz. Kryeministri izraelit nuk shfaqi gatishmërinë për tu takuar me qeverinë e re të unitetit kombëtar në të cilën është përfaqësuar edhe Hamasi radikal islamik.
Ndërkaq kancelarja gjermane Angela Merkel gjatë takimit me Olmertin u shpreh se si e sheh ajo të ardhmen e rajoni: "Unë besoj në vizionin e një zgjidhje me dy shtete. Besoj në vizionin e një zgjidhje me dy shtete me Izraelin, ekzistenca e të cilit do të garantohej përgjithmonë dhe banorët e tij do të mund të jetonin të lirë dhe pa frikë nga dhuna dhe sulmet në fqinjësi me një shtet palestinez, me kufij të njohur nga të dyja palët", tha Merkel.
Nga ana tjetër gjatë vizitës në Ramallah, në takimin me presidentin e palestinezëve Mahmud Abaz, Merkel theksoi se të gjithë pjestarët e qeverisë palestineze duhet të përmbushin kërkesat e kuartetit për Lindjen e Mesme, pra njohjen e Izraelit dhe heqjen dorë nga dhuna. Në Jeruzalem ajo tha se bashkësia ndërkombëtare ka për qëllim krijimin e një shteti funksional palestinez i cili mund të arrihet vetëm me ndihmën e palës izraelite. Kancelarja u tregua në të njëjtën kohë sa vizionere aq realiste.
"Përse në një ditë jo aq të largët nuk mund të bëhet realitet vizioni i ekzistencës së dy shteteve përbri njëra-tjetrës, Izraelit dhe Palestinës. Mos më kuptoni gabimisht: unë nuk kam iluzione. Përparimet në konfliktin mes Izraelit dhe palestinezëve me siguri që nuk do të jenë lehtë të arritshme", tha Merkel.
Fjalimi i kancelares Merkel në Universitetin hebre në Jeruzalem ë shtë ndërprerë shpesh nga duartrokitjet. Ajo u largua nga salla si doktore nderi e këtij universiteti.