Merkel këron t'i japë procesit të paqes "një shtysë të re"
2 Prill 2007
Kështu FRANKFURTER ALLGEMEINE ZEITUNG ndër të tjera veçon:
"Me udhëtimin e saj në Lindjen e Afërme, kancelarja ndjek sipas saj dy synime: ajo kërkon "të krijojë një përfytyrim për gjendjen në vend" dhe t'i japë procesit të paqes "një shtysë të re". Përsa i përket rigjallërimit të procesit të paqes në Lindjen e Mesme, ky udhëtim sigurisht që kërcënon të dështojë. Në një çast, kur bota arabe e ka përtërirë ofertën e saj të gjerë për paqe me Izraelin, kancelarja federale nguron shumë me vendosjen e kontaktit me palestinezët. Ajo nuk do të kishte humbur asgjë, sikur me një hap të pazakontë dhe të guximshëm në anën palestineze të ishte përpjekur të hetonte mundësitë e shndërrimit të politikës palestineze dhe të luante për evropianët rolin e pararojës. Kjo do të kishte qenë- me kuptimin e dyfishtë të fjalës-një shtytje e vërtetë për të ecur përpara"
KÖLNISCHER RUNDSCHAU analizon synimin e vizitës së Merkelit:
"Hetimi i mundësive për paqe sigurisht nuk është ai që e ka shtyrë Merkelin të vejë në rajon. Ajo kërkon mundësi se si kuarteti i përbërë nga SHBA, Rusia, Kombet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian mund ta mbushin me jetë procesin e ndërmjetësimit, të mbetur në vend prej kohësh. Merret qëndrim i moderuar, merret qëndrim realist, njihet potenciali shkatërrimtar, i cili mund të shkatërrojë shpejt çdo iniciativë. Pas bisedave të para, Merkeli është shprehur plot shpresa, sepse punët në Palestinë aktualisht duket se po marrin për mirë. Një sukses, që ta meritonte këtë emër, sidoqoftë nuk duket gjëkundi."
Ja edhe mendimi i STUTTGARTER ZEITUNG:
"Izraelitët dhe palestinezët duhet të bëjnë kompromise të dhimbshme. Por parimi tokë për paqe është i arsyeshëm. Nëqoftëse palestinezët njohin të drejtën për ekzistencë të Izraelit dhe arabët bëjnë paqe me shtetin hebre, atëherë duhet të eleminohen ngulimet izraelite si në Jordanin Perëndimor, ashtu edhe në Lartësitë Golan. Izraeli dhe palestinezët duhet dhe mundet t'i tregojnë tani gjithë botës se ata e duan paqen."
Në gazetën BERLINER ZEITUNG vështrimi hidhet në situatën e përgjithshme në Lindjen e Afërme:
"Mbreti saudit Abdullah mbetet i varur nga SHBA, edhe po të distancohet nga Uashingtoni, njësoj si Izraeli dhe Angela Merkeli, e cila mund të vërë pak gjëra në lëvizje. SHBA kanë ndjekur me ardhjen në pushtet të Xhorxh Bushit një politikë katastrofale ndaj Lindjes së Afërt. Në konfliktin midis Izraelit dhe palestinezëve, SHBA janë përpjekur të fitojnë kohë, edhe duke e kuptuar gabimisht interesin e Izraelit; me konfliktin ndaj Irakut ato e kanë humbur ndikimin e tyre në Lindjen e Afërme. Më shumë se Arabia Saudite, nga dobësimi i pushtetit të amerikanëve përfitoi Irani, i cili është bërë pjesëtar i lojës në Lindjen e Afërme. Meqenëse nyja gordiane Lindje e Afërme nuk mund të shkatërrohet me dhunë, ato që mbeten janë vetëm negociatat dhe këto pa parakushte, edhe pa ato, të cilat i përmend Angela Merkeli:të mos flitet me Hamasët. Iniciativa për këtë mund të vijë vetëm nga Uashingtoni dhe për këtë me sa duket duhet pritur për kohën pas Xhorxh Bushit."
Në gazetën DIE WELT flitet ndër të tjera për të renë që solli vizita e Merkelit në Lindjen e Mesme: kryeministri izraelit Olmert ka propozuar një takim me shtetet arabe:
"Kryeministri i Izraelit, Ehud Olmert u ka bërë thirrje udhëheqësve të shteteve arabe për një takim të përbashkët. Në një konferencë të tillë ai do të përpiqet për një këmbim mendimesh për zgjidhjen e krizës së Lindjes së Afërme, bëri të ditur Olmert në një konferencë të përbashkët shtypi me kancelaren Angela Merkel. Olmerti tha se shfrytëzon praninën e presidentes së radhës së BE për ta shqiptuar këtë ftesë. Ftesa vlen edhe për mbretin e Arabisë Saudite. Të gjitha palët duhet të sjellin kërkesat e tyre, askush nuk do të diktojë kushte.
Kjo deklaratë e Olmertit bëhet në një kohë kur javën e kaluar 22 shtete të Ligës Arabe i ofruan Izraelit një normalizim të marrëdhënieve, nëse ky vend tërhiqet plotësisht nga zonat e pushtuara në vitin 1967. Ky plan qe prezantuar për herë të parë në vitin 2002 nga Arabia Saudite.
Por këtë herë, shtetet arabe shpresojnë të marrin më shumë mbështetje nga SHBA dhe BE. Izraeli është treguar i hapur për bisedime me shtetet arabe, megjithë kundërshtitë që ka për propozimet e tyre."