Merkel kreu një punë të shkëlqyer bindëse gjatë vizitës së saj në Poloni
19 Mars 2007Në lidhje me vizitën e Angela Merkelit në Poloni, të cilën ajo e zhvilloi jo vetëm si kancelare gjermane por edhe si presidente e BE-së, gazeta «Frankfurter Allgemeine Zeitung» shkruan:
"Për t´u afruar me njëri-tjetrin kur bëhet fjalë për çështje delikate si ato të "Deklaratës së Berlinit" apo për 50 vjetorin e Marrëveshjes së Romës, për vazhdimin e procesit për kushtetutën evropiane apo për stacionimin e një sistemi amerikan mbrojtës kundër raketave, nuk është e lehtë në këto kohë. Por duket sikur kancelarja Merkel ka kuptuar pikërisht këtë kompleksitet të problemeve që ka Evropa. Kjo u bë e qartë në fjalimin e saj në Universitetin e Varshavës. Por ajo ja arriti t´i fitojë zemrat e politikanëve polakë edhe falë zgjuarsisë politike dhe mirësjelljes së saj. Por kjo nuk do të thotë se Varshava dhe Berlini janë tani dakord për të gjitha temat. Por le të shpresojmë që kjo do të thotë që debatet e ardhshme do të kryhen me më pak emocione historike dhe që do të mund të zgjidhen falë kompromiseve."
Gazeta «Süddeutsche Zeitung» nga Mynihu shkruan:
"Marrëdhënia gjermano-polake është shumë e ndërlikuar. Nga ana ekonomike antarësimi në BE është për të dyja këto vende shumë lukrativ. Madje edhe marrëdhëniet e njerëzve janë më të mira se dikur. Vetëm politika duket sikur ka probleme. Megjithëse kancelarja nuk e pranon, mbetet fakt se që kur e filloi postin e saj, problemet me Poloninë janë shtuar në vend që të pakësoheshin."
Gazeta «Der Tagesspiegel» nga Berlini shkruan:
"Në rast se Polonia do ta nënshkruajë tani "Deklaratën e Berlinit", e cila do të vendoset gjatë samitit të jubileut që do të zhvillohet fundjavën e ardhshme mes 27 vendeve antare të BE-së; në rast se Polonia do të disktuojë mbi sistemin kundër raketave që amerikanët kërkojnë të stacionojnë në Poloni dhe Çeki gjatë samitit të ardhshëm të NATO-s; dhe në rast se në fund Polonia nuk do të vazhdojë të ngulë më këmbë që BE-ja t´i përmbahet marrëveshje së Nicës, atëherë - dhe këtu nuk themi asnjë fjalë gabim - kancelarja gjermane Angela Merkel kreu një punë të shkëlqyer bindëse gjatë vizitës së saj në Poloni."
Gazeta «General-Anzeiger» nga Boni shkruan:
"Kancelarja nuk mund t´i zjgidhë problemet e rënda historike me një vizitë. Qeveria polake e kupton me te drejtë këtë vizitë si një rritje të imazhit të saj politik në Gjermani. Koalicioni i madh qeveritar gjerman ishte përqëndruar tek partnerët e mëdhenj Angli, Francë dhe Rusi. Disa shtete të vogla antare u lanë me qëllim pasdore, për t´u ndërshkuar. Por vizita e Merkelit e përfundoi këtë fazë jo kaq pozitive të politikës gjermane. Kjo është e rëndësishme për psikologjinë e një vendi që e vuajti i pari luftën shkatërruese të Hitlerit."
Ndryshojmë temë. Në lidhje me mospranimin e qeverisë së re palestineze nga qeveria izraelite, gazeta «Handelsblatt» nga Dyseldorfi shkruan:
"Me "JO"-në e saj ndaj qeverisë së re të palestinezëve, qeveria izraelite ka marrë automatiksht rrugën e gabuar. Mospranimi i saj kategorik për bashkëpunim me qeverinë e Hamsit radikal-islamik nuk është më koherent. Sepse palestinezët vendosën një program të ri, i cili është shpresëdhënës. Kabineti i ri rreth kryeministrit Ismail Hanija meriton një shans. Vetëm në rast se qeveria izraelite do të komunikojë tani me palestinezët, Jeruzalemi mund të shpresojë se palestinezët do të ofrojnë gjeste të tjera."
Dhe së fundi në gazetën «Landshuter Zeitung» lexojmë:
"Fronti i përbashkët kundër ekstremizmit palestinez po lëkundet. Norvegjezët, e madje tani edhe disa social-demokratë gjermanë po e ndryshojnë qëndrimin e tyre ndaj qeverisë palestineze. Dhe kjo qeveria ka tani shansin e saj. Ajo duhet të dëshmojë se do ta përfundojë dhunën dhe se e njeh ekzistencën e Izraelit."