Merkel kërcënon Iranin me sanksione të tjera
15 Tetor 2007Reklamë
Kancelarja gjermane Angela Merkel ka kërcënuar Iranin me sanksione të tjera nëse ky nuk lëshon pe në konfliktim mbi programin e tij bërthamor. Në të përditshmen gjermane "Die Welt" politikania kristiandemokrate ka pleduar sërisht për zgjidhjen e problemit me negociata. Ajo ka shtuar megjithatë se duhet qenë gati për vendosjen e sanksioneve të reja nëse Irani nuk ndryshon qëndrim. Ky vend kërcënon jo vetëm sigurinë e Izraelit, për kancelaren gjermane diçka e panegociueshme kjo, por njëkohësisht edhe rajonin, Europën dhe botën. Kjo gjë duhet penguar, tha Merkel. Kohët e fundit SHBA dhe Franca ishin shprehur për ashpërsim të mëtejshëm të sanksioneve të Kombeve të Bashkuara ndaj Iranit.