Merkel: Jemi në kërkim të një kompromisi për rezolutën
17 Korrik 2007Fjalë të qarta, kishte kërkuar nga kancelarja Angela Merkel, në adresë të homologut të saj serb, Vojisllav Koshtunicës, koordinatori i Paktit të Stabilitetit, Erhard Busek, të martën paradite. Dhe me ç'dukej kjo kishte ndodhur, sepse para konferencës Merkel me Koshtunicën nuk u buzëqeshën kamerave që po prisnin të uritura të fotografonin fytyrat e tyre, por vazhdonin para objektivave të diskutonin me njëri tjetrin, thua se akoma s'kishin rënë dakord me të gjitha formulimet që do t'u ofronin gazetarëve.
Si përfundim gjuha mbeti brenda kornizës diplomatike. Gjermania e mbështet planin e Ahtisaarit, por ajo është e gatshme që të pranojë dëshirën e Serbisë për negociata të mëtejshme, bëri të ditur Merkel: "Ne bëmë të qartë se tani nuk ka nevojë të zhvillohet një debat kontrovers rreth planit të Ahtisaarit, por ne mendojmë se duhet të lëvizim një hap nga rezoluta 1244, dhe se do të mbështesnim një rezolutë të re ku të mos fiksohemi që më parë tek opcioni i pavarëisë, por të caktojmë një fazë bisedimesh mes Beogradit dhe Prishtinës ku do të bëhet përpjekja e fundit për gjetjen zgjidhjes."
Ky propozim i qaset shumë me dëshirës së Serbisë, sqaroi më tej kancelarja, me një përjashtim: Ndërsa Gjermania kërkon legjitimizimin e negociatave të reja
me anë të një rezolute të re, Koshtunica këmbëngul në qendrimin e mëparshëm. "Për negociatat nuk ka nevojë të ketë një rezolutë tëre, si bazë për këtë mjafton 1244, por këto bisedime nuk duhet të zhvillohen mbi bazën e planit të Ahtisaarit. Rezoluta duhet të bëhet në fund dhe jo në fillim të bisedimeve", tha kryeministri serb.
Merkel tha, se tani po kërkohet një rrugëdalje nga këto dy këndvështrime. Ajo bëri të qartë, se rezoluta e re është shumë e rëndësishme në mënyrë që "ushtarët tanë në Kosovë të kenë një mandat të qartë të përligjur nga e drejta ndërkombëtare".
Koshtunica si zakonisht e hodhi poshtë në mënyrë kategorike pavarësinë e Kosovës. Ai tha se krijimi i një "shteti të dytë shqiptar" në territorin e Serbisë do të destablizonte rajonin dhe botën. Por ai mbeti brenda gjuhës diplomatike dhe nuk kërcënoi me keqësimin e marrëdhënieve me shtetet që do të njohin Kosovën: "Unë kam besim tek drejtësia ndërkombëtare dhe jam optimist që Kosova nuk do të bëhet e pavarur dhe që nuk do të vijë puna deri tek keqësimi i marrëdhënieve me vendet e tjera", tha ai.