Merkel informohet për Kosovën
2 Dhjetor 2006Reklamë
Të paktën dy herë ishte Kosova të premten në axhendën e kancelares gjermane Angela Merkel: gjatë takimit me presidentin serb Boris Tadiç dhe më pas me ndërmjetësuesin për statusin Marti Ahtisaari. Të dy i shpjeguan kryetares së ardhshme të radhës së Bashkimit Evropian këndvështrimin e tyre për Kosovën. Angela Merkel preferon ende të mos deklarohet publikisht. Por sipas mediave serbe, Merkel i ka thënë Tadiçit që Kosova është më afër pavarësisë se sa autonomisë së zgjeruar që ofron Beogradi.
Kancelarja gjermane Angela Merkel gjatë takimit me presidentin serb Boris Tadiç nënvizoi perspektivën evropiane të vendeve të Ballkanit. Por ajo tërhoqi vëmendjen edhe për detyrimet ndaj bashkësisë ndërkombëtare, përkatësisht bashkëpunimin me Gjykatën Ndërkombëtare në Hagë. Kancelarja gjermane e përshëndeti vendimin e marrë dy ditë më parë në samitin e Natos në Rigë për t’i dhënë Serbisë mundësinë e anëtarësimit në programin “Partneritet për Paqe”. “Unë personalisht jam angazhuar jo vetëm që të flasim për perspektivën evropiane, por edhe që Serbia të hyjë në “Partneritet për Paqe” duke bërë kështu një hap më tej në lidhjet e saj me aleanca të reja”. Merkel i premtoi presidentit serb mbështetjen e Gjermanisë në rrugën e Serbisë për një të ardhme më të mirë.
Boris Tadiç e vlerësoi rolin kyç të Gjermanisë në zgjidhjen e problemeve në rajon dhe integrimin e këtij në strukturat euro-atlantike. Ai e vuri theksin më tepër në marrëdhëniet mes vendeve në Ballkan: “Serbia është e vetëdijshme për përgjegjësinë e saj për stabilitetin në rajon si në prizmin politik ashtu edhe në atë të sigurisë. Jo vetëm Kosova, që është problemi kryesor, por në përgjithësi marrëdhëniet ndërmjet të gjitha vendeve në Ballkan janë të rëndësishme për integrimin e tyre në Evropë,” – tha ai. Si një nga sukseset e këtij bashkëpunimi Tadiç përmendi krjimin e Zonës së Lire Tregtare disa javë më parë në Bukuresht.
Kancelarja gjermane, që e takon presidentin serb për herë të tretë, u njoh me qendrimin e tij për Kosovën, i tha një zëdhënëse e qeverisë Dojçe Veles, pa pranuar të jepte hollësi të mëtejshme për mendimin e kancelares për këtë çështje. Tadiç megjithatë citohet në media serbe të ketë thënë në një takim të zhvilluar me korrespondentët në Berlin, se qendrimet në këtë pikë ishin të ndryshme dhe se Merkel kishte thënë se Kosova ishte më afër pavarësisë se autonomisë.
Ahtisaari: “Kosova është sfidë historike”
I rezervuar me deklarata paraprake për statusin e Kosovës ishte edhe ndërmjetësuesi i OKB-së, Marti Ahtisaari. Biseda e tij me kancelaren gjermane u zhvillua mbas takimit të saj me presidentin serb. Më parë Ahtisaari kishte folur në një konferencë të fondacionit të BMW-së Herbert Quandt, ku
e kishte quajtur çështjen e Kosovës “një sfidë historike dhe një përgjegjësi politike që duhet t’i bëjë ballë e gjithë bashkësia ndërkombëtare”.
Për pjesëmarrësit e “Forumit të 12-të Evropian”, që ishin kryesisht politikanë, diplomatë dhe përfaqësues të koncerneve më të rëndësishëm gjermanë dhe ndërkombëtarë, ish-president finlandez argumentoi se përse Kosovës i duhet një status i pakeqkuptueshëm juridikisht: “Vetëm një status i qartë do t’i lejojë Kosovës të bëhet anëtare në institucionet ndërkombëtare financiare në mënyrë që të përmirësojë situatën e vështirë ekonomike që është sot problemi më i madh i saj”.
Ahtisaari tha se do të dalë me rekomandimin e tij për statusin menjëherë pas zgjedhjeve të 21 janarit në Serbi duke përmendur si datë të mundshme 25 janarin. Vendimi i Këshillit të Sigurimit pritet të dalë në mars.
Reklamë