Merkel i premton Olmertit mbështetje të procesit paqësor
13 Dhjetor 2006Olmert u detyrua të shpjegonte deklaratat e tij për mundësinë që Izraeli të ketë armë bërthamore. Ai po ashtu kërkoi shpjegim për vizitën e ministrit të jashtëm gjerman në Siri. Gjermania ka mbështetur zgjidhjen paqësore të krizës në Lindjen e Mesme.
Kryeministri izraelit Ehud Olmert u përpoq të qetësonte dallgët pas deklaratave të mëparshme ku në mënyrë të tërthortë pati paralajmëruar për mundësinë që vendi i tij të ketë armë bërthamore. "Izraeli kurrë nuk ka cënuar shtetet tjera, jo si Irani i cili hapur e thotë se Izraeli duhet të zhduket nga harta e botës", theksoi Olmert.
Ai ishte shprehur më parë në një intervistë se nuk është njësoj kur armë bërthamore posedon Irani, apo kur posedon Amerika, Franca, Rusia, Britania dhe Izraeli. Pas takimit me kancelaren Merkel Olmert u shpreh: "E kam thënë shumë qartë se Izraeli nuk do të jetë vendi i parë në Lindjen e Mesme, i cili do të ketë armë bërthamore". Megjithatë Olmert nuk deshi të konfirmojë apo përgënjeshtrojë pohimet se vendi i tij posedon armë bërthamore, gjë që ka shkaktuar reagime të ashpra në Jerusalem dhe kërkesa për dorëheqjen e Olmertit.
Kancelarja Angela Merkel dhe kryeministri izraelit e kanë dënuar ashpër të ashtuquajturën konferencë për Holokaustin, e cila po zhvillohet në Teheran. Merkel theksoi se Gjermania nuk do të pranojë kurrë kontestimin e Holokaustit. Sa i përket krizës në Lindjen e Mesme, Merkel premtoi një rol konstruktiv të BE -së në gjashtë muajt e parë të vitit të ardhshëm, kur Gjermania do të jetë udhëheqëse e radhës e BE.
"Unë kam prezantuar qëndrimet tona se Gjermania gjatë presidencës së radhës së BE do të angazhohet për ringjalljen e kuartetit dhe zbatimin e procesit paqësor. Ne jemi dakord se kuarteti mund paraqet një konstruksion të mirë në këtë rrugë", theksoi Merkel. Kancelarja gjermane pohon se baza më e mirë për dialogun mes Izraelit dhe palestinezëve është plani "Road Map" dhe ringjallja e kuartetit i cili përbëhet prej SHBA, Rusisë, OKB.
"Parimet e kuartetit janë shumë të qarta: njohja e të drejtës për ekzistencën e shtetit izraelit, refuzimi dhe hedhja poshtë e të gjitha formave të terrorizmit dhe dhunës si dhe njohja e rezultateve të arritura gjatë negociatave të kaluara. Mbi këto baza, BE si anëtar i këtij kuarteti do të luajë një rol konstruktiv. BE do ta ketë këtë mundësi gjatë presidencës gjermane të radhës e cila fillon me një janar", nënvizoi kancelarja Merkel.
Kryeministri izraelit ishte i mendimit se këto janë baza të mira për negociata.
"Besojmë se ekziston një shanc i vërtetë për dialog me palestinezët. Nuk është ndonjë sekret se kemi kontakte të përhershme me autoritetet palestineze dhe presidentin Abaz. Ne duam të bisedojmë mbi parimet e kuartetit për lindjen e Mesme. Me rëndësi është të forcohen ato subjekte që kundërshtojnë terrorin dhe mbështesin armëpushimin", theksoi Olmert.
Një temë e trajtuar në këtë takim ishte edhe programi atomik iranian dhe debati i ardhshëm në Këshillin e Sigurimit. Olmert kërkonte masa më të ashpra ndaj Teheranit zyrtar. Kancelarja gjermane tha se Teherani ka dërguar kohët e fundit vetëm sinjale negative lidhur me këtë program. "BE, SHBA, Rusia dhe Kina i kanë bërë Iranit një propozim të mirë, por ai nuk ka reaguar. Prandaj ka ardhur koha që të mendohet edhe për mundësinë e sanksioneve", theksoi Merkel, e cila ka përjashtuar me vendosmëri mundësinë e ndonjë ndërhyrje ushtarake kundër Iranit.
Sa i përket kritikave të Olmertit për shkak të vizitës së ministrit të jashtëm gjerman Frank - Valter Shtajnmajer në Siri, kancelarja Merkel tha se ja vlente të vlerësohet edhe një herë nëse Siria është e interesuar për zgjidhje paqësore. Për fat të keq, vizita nuk ka rezultuar me sukses.