Merkel: Evropa përgjegjëse për Ballkanin
15 Mars 2006Kryetarja e qeverisë gjermane nuk e konkretizoi se në ç'formë do të jetë lidhja e Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Evropian. Antarësimi i plotë për këto vende nuk është prioritar, tha kancelarja në Berlin.
"Termi partneritet me privilegje" nuk është për t‘u lënë mënjanë, ka thënë Merkel. Por ajo theksoi se megjithatë, BE ka një relacion krejt tjetër ndaj Ballkanit Perëndimor: "Në vende si Serbia, Kosova, Bosnja. involvimi i Bashkimit Evropian në proceset negociuese, mbështetja financiare kooperimi ekonomik, kanë arritur një masë që është përtej asaj të negociatave të mirëfillta për antarësim," – ka sqaruar kancelarja kristdemokrate. Kjo i ka dhënë marrëdhënieve një "cilësi tjetër," – ka shtuar ajo më tej duke theksuar se çështja e antarësimit të plotë nuk është e para që duhet të zgjidhet. "Kemi të bëjmë me qendrueshmëri politike, për të cilën Evropa duhet të ndjehet përgjegjëse.
Merkel më tej ka shtuar se nuk përjashtohet edhe një antarësim i plotë, duke shtuar se për të do të duhen hapa të tjerë. Shprehimisht ajo veçoi Kroacinë, me të cilën tashmë kanë filluar negociatat e antarësimit.
Kreu i qeverisë sllovene, Janesh Jansha, tha se ai pret që vendet e Ballkanit Perëndimor në të ardhmen t'i përmbushin kriteret për antarësim. Ato janë vende evropiane dhe Evropa është për to me rëndësi jetike, ka thënë Jansha që ndodhej në Berlin për vizitën e tij të parë zyrtare, që nga viti 2004, kur mori në dorë postin e kreut qeveritar.
Të dy krerët e vendeve evropiane përforcuan kështu mesazhin e dërguar në fundjavë nga konferenca e ministrave të jashtëm të BE-së dhe vendeve ballkanike në Salzburg. Deklarata e nënshkruar nga 33 pjesëmarrësit në përfundim të takimit jozyrtar të fundjavës së shkuar (10. dhe 11.03.) i linte parimisht të hapura portat e BE-së ndaj Ballkanit Perëndimor por nuk e përmendte fjalën antarësim.